Sport

Rikthehet Superliga, kryesuesit përplasin “brirët”

Në "Selman Stërmasi" do të luhet kalsikja e futbollit shqiptar mes Tiranës dhe Vllaznisë kryesuese, ndërkohë që Laçi do të ketë një tjetër shans për të mos humbur garën për titull përballë Partizanit
Featured image of article: Rikthehet Superliga, kryesuesit përplasin “brirët”
Përditësuar:

TIRANE – Pas zhurmës dhe kaosit të krijuar nga zgjedhjet, kjo mesjavë veç numërimeve të votave do të ketë ndeshje mjaft të rëndësishme të kampionatit shqiptar, ku përballen skuadrat e kreut me njëra-tjetrën.

Në orën 16:00 vëmendja më e madhe do të jetë te klasikja e Shqipërisë mes Tiranës dhe Vllaznisë që do të luhet në “Selman Stërmasi”. Një sfidë për të mos u humbur në ekranin e Supersport, pasi bardheblutë luajnë shansin e tyre të fundit në garën për të mbrojtur trofeun e kampiones, ndërkohë që Vllaznia duke patur parasysh që Partizani ka ndeshje shumë të vështirë në Laç, mund të kryesojë e vetme pas raundit të 30-të.

Po në orën 16:00, pikërisht në Kurbin, premton emocione dhe shkëndija dueli mes Laçit vendas dhe të kuqve të Dajës, të cilët do të shkojnë për fitore në këtë sfidë, por të njëjtën gjë do të kërkojë të bëjë edhe Laçi që ka ende shanse për të shkruar historinë në këtë sezon.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Në “Elbasan Arena”, ndërkohë Kukësi pret një pretendent tjetër për titullin pikërisht Teutën e Edi Martinit, që vjen në këtë sfidë pas humbjes ndaj Tiranës. Durrsakët nuk do ta kenë të thjeshtë aq më tepër që Kukësi do të synojë të marrë ndonjë pikë për të siguruar sa më shpejt qëndrimin direkt në Superiore.

Në orën 13:00, vëmendja padiskutim do të jetë në Korçë, aty ku luhet dueli i drejtpërdrejtë për mbijetesën mes Skënderbeut dhe Bylisit, me korçarët që duhet të fitojnë me çdo kusht për ta ngushtuar në 3 pikë diferencën me ballshiotët dhe për të shpresuar deri në fund të qëndrimi.

Kastrioti nga ana tjetër do të kërkojë të kthehet te fitorja pas një “thatësire” të gjatë, pikërisht në sfidën e “Loni Papuçiut” ndaj Apolonisë në Fier, me fierakët që tashmë janë dorëzuar dhe vetëm matematika i mban ende në lojë për të qenë pjesë e më të mirave edhe sezonin e ardhshëm.
B.T (Dosja.al)

Shto Koment