Aktualitet

Rezoluta e miratuar në Kuvend, përgjigjet Gjykata Kushtetuese: S’kemi kuorumin e duhur për të marrë vendime

Përmes një njoftimi thuhet se mungon kuorumi për të marrë vendimet e duhura nga kjo gjykatë.
Featured image of article: Rezoluta e miratuar në Kuvend, përgjigjet Gjykata Kushtetuese: S’kemi kuorumin e duhur për të marrë vendime Foto ilustruese

TIRANË– Gjykata Kushtetuese ka reaguar pas miratimit të rezolutës nga Kuvendi. Përmes një njoftimi thuhet se mungon kuorumi për të marrë vendimet e duhura nga kjo gjykatë.

Në këtë rezolutë kishte dy thirrje drejtuar këtij institucioni, ku kërkohej të mos zbatohej dekreti nul i presidentit Meta për të emëruar Marsida Xhaferllarin në Gjykatën Kushtetuese dhe nga ana tjetër të mos pengohet fillimi i punës për anëtarët e rinj të zgjedhur.

-Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese dhe të gjitha organeve publike që ngarkohen nga ligji me detyra në kuadër të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese të zbatojnë me përgjegjshmëri dhe përgjegjësi detyrat e tyre dhe të mos zbatojnë Dekretin nul të Presidentit të Republikës  nr.11350, datë 13.11.2019.

-Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese dhe organeve të tjera, që në kuadër të frymës zhbllokuese të Reformës në Drejtësi, të zbatojnë me përgjegjësi detyrat, pa krijuar asnjë pengesë, përmundësimin e fillimit të detyrës së gjyqtareve kushtetuese Znj. Arta Vorpsi, Znj. Elsa Toska dhe Znj. Fiona Papajorgji.”

Kësaj rezolute, Gjykata Kushtetuese i jep këtë përgjigje si më poshtë:

Jemi njohur me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë sot, në datën 15.11.2019, për “Shmangien e krizës kushtetuese me synim legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese – detyrë imperative e organeve më të larta të shtetit”.

Në citim të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të saj. Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës.

Për sa më sipër, lidhur me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese sqaron se, edhe pas plotësimit të disa prej vakancave në përbërjen e saj, nuk e ka ende kuorumin e nevojshëm për të shqyrtuar dhe vendosur në seancë gjyqësore lidhur me kërkesat që paraqiten përpara saj. Për këtë arsye ajo nuk mund të ushtrojë kompetencat e saj thelbësore apo juridiksionale lidhur me zgjidhjen e konfliktit të kompetencave midis pushteteve apo organeve kushtetuese, si dhe as ato kompetenca që lidhen me shqyrtimin e kushtetutshmërisë së akteve të nxjerra nga organet e pushtetit publik.

Në këto kushte, Gjykata Kushtetuese si një institucion i pavarur, duke zbatuar Kushtetutën dhe ligjin e saj organik dhe legjislacionin në fuqi, si dhe praktikat administrative të ndjekura ndër vite, me qëllim sigurimin e kushteve normale për mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e veprimtarisë së saj, është duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme administrative formale për fillimin e detyrës së tri anëtarëve të rinj, pas betimit të tyre para Presidentit të Republikës.

Kuvendi i Shqipërisë sot ka miratuar me 97 vota projektrezolutën për Gjykatën Kushtetuese. Kjo rezolutë, urdhëron institucionet të mos respektojnë dekretin e presidentit Ilir Meta për të emëruar Marsida Xhaferllarin në Gjykatën Kushtetuese, por vendin t’a mbajë anëtarja e renditur e para nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Arta Vorpsi.Ngërçi nisi, pasi presidenti Meta nxorri një dekret për emërimin e Xhaferllarit, që maxhoranca e quan përtej afateve kushtetuese. Por vetë Meta, ia njeh të drejtën vetes për këtë dekret, duke mos njohur si anëtare Arta Vorpsin. Ndërsa sot në Gjykatën Kushtetuese, janë paraqitur dy gjyqtare për të njejtin vend pune.

(a.m/dosja.al)

Shto Koment