Editorial

Revanshi i shkarkimit dhe domosdoshmëria e dorëheqjes së Ilir Metës

Pa asnjë fuqi për të ndaluar instalimin e regjimit, Ilir Meta është bërë me vullnet të plotë pengu i Edi Ramës. Sa herë ka një problem me kundërshtarët ai keqtrajton pengun, sa herë i duhet buzëqeshja e ndërkombëtarëve e nxjerr si kërcënim lirimin e pengut
Featured image of article: Revanshi i shkarkimit dhe domosdoshmëria e dorëheqjes së Ilir Metës

Kuvendi i cunguar e rimori fuqinë, për të nisur një proces të ri për Ilir Metën. Hera e dytë që 9 deputetë, 7 nga të cilët praktikisht të dalë në pension nga 25 prilli, do të thërrasin Presidentin për debat teorik mbi Kushtetutën. Ilir Meta, njësoj si një vit më parë, do të dalë përballë surrogatove të opozitës për të shpjeguar qëndrimet e tij. Një spektakël qesharak, ku personazhe të padenjë mundohen të fitojnë vëmendjen politike apo financiare të Edi Ramës duke përdorur Ilir Metën, që, për të mbajtur me çdo kusht Presidencën, i faktorizon me bujari.

Një show mediatik që nuk do të sjellë asnjë rezultat, një farsë politike që do të marrë vëmendjen e një procesi të vjedhur zgjedhor, një skemë e Edi Ramës, që, duke shpërqëndruar vëmendjen nga çështja kryesore, i kthen nderin Amabasadores Amerikane duke i ulur nderin Kreut të Shtetit.
Është një betejë që shoqëria e shijon me ëndje, pavarësisht barit që prishet nga sherri i elefantëve. Një kosto që Ilir Meta e paguan me qejf, mjafton të rrijë edhe një vit në Presidencë. Dëshira e tij për të qëndruar me çdo kusht, u kuptua qartë, kur pas zgjedhjeve, me një mesazh 80 – sekondësh, në vend të shpalljes së dorëheqjes, komplimentoi procesin.

Pasi nuk preu asnjë dorë, nuk nxori asnjë sfurk dhe, bashkë me partinë e tij dhe PD-në humbi “referendumin”, pritej që, të paktën të mbante fjalën dhe të dorëzonte Presidencën. Kishte kuptim të qëndronte kur beteja për Gjykatën Kushtetuese ishte në kulm dhe firma e tij ishte vendimtare për 3 nga anëtarët e rinj. Kishte kuptim kur premtoi se qëndrimi i mëtejshëm do të garantonte procesin zgjedhor, se nuk do të lejonte institucionet të abuzonin dhe do të garantonte një rezultat – besnik të vullnetit të votuesve. Kishte një kuptim të fundit kur e shpalli veten si sfidues të regjimit dhe deklaroi se po të fitonte Rama pa u prekur votat, do të dorëhiqej.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Sot, kur procesi zgjedhor dështoi ndërkohë që ai i jepte notën “10 me yll”, kur Edi Rama siguroi mandatin e tretë dhe ndihet i lirë për pushtet absolut, Ilir Meta duhet t’i kursejë shqiptarëve turpërimin e Kreut të Shtetit në një përplasje me surrogatot e opozitës.
Dorëheqja është, jo vetëm mbajtje e premtimit që bëri përpara zgjedhjeve. Ai duhet ta lëshojë zyrën për të mos i dhënë një vlerë që nuk e ka. Nga ajo zyrë nuk fitohet dot një proces zgjedhor i ndershëm, as ndëshkimi i atyre që e prishën procesin, as dekurajohen bandat që u hargalisën në orgjinë e votave të blera. Duke qenë ilir Meta, nga ajo zyrë fiton vetëm Edi Rama. Në një shtet të kapur nga aleanca okulte që përvetësoi zgjedhjet, ai tregon me gisht nga Presidenca, për të treguar që ka një institucion të pavarur. Pasi prishi Kushtetutën për interesa elektorale, ai tregon se ligji themeltar vazhdon të funksionojë përsa kohë mbron Presidentin nga shkarkimi.

Pa asnjë fuqi për të ndaluar instalimin e regjimit, Ilir Meta është bërë me vullnet të plotë pengu i Edi Ramës. Sa herë ka një problem me kundërshtarët ai keqtrajton pengun, sa herë i duhet buzëqeshja e ndërkombëtarëve e nxjerr si kërcënim lirimin e pengut, që i zemëruar nga oportunzimi i ambasadorëve dhe shefave të tyre, lëshon kërcënime nga zyra komode ku ruhet nga garda që në korrik 2017.
Shpërthimi i 23 prillit ndaj Ambasadores Amerikane dhe SHBA-ve, kulmoi përdorimin e Presidentit nga Edi Rama. Nga studio e ‘Syri Tv’, Ilir Meta rrëfeu një betejë të gjatë me ambasadorët e SHBA, një betejë më shumë personale se institucionale, një betejë që shkonte deri në Departamentin e Shtetit. Lufta me SHBA nga frëngjitë e Presidencës, është një luks i tepruar. Në kushtet kur shumica dërrmuese e shqiptarëve janë pro-amerikanë, lufta e Ilir Metës, nuk është as përfaqësuese. Ajo është kundër interesit dhe vullnetit të shumicës dhe nuk mund të vazhdojë nga një institucion shtetëror. Është e drejta e tij për ta çuar deri në fund betejën, por jo duke përdorur institucionet përfaqësuese të një shoqërie pro- amerikane. Mbi të gjitha kjo betejë është kundër politikës së Shtetit që ai pretendon se përfaqëson, që marrëdhënien me SHBA e ka strategjike.

Për të gjitha këto arsye, nga 26 prilli, qëndrimi i Ilir Metës në Presidencë është i pajustifikuar. Shkarkimi nga Parlamenti, megjithëse i pavlerë kushtetueshmërisht, konfirmon revanshin e mandatit të tretë, por qëndrimi në një zyrë që nuk i takon më, vetëm sa i jep shpirt gogolit që Edi Rama vizatoi për shqiptarët dhe më shumë për ndërkombëtarët, që të merrte lejen e grabitjes së zgjedhjeve.

WordPress › Error

There has been a critical error on your website.

Learn more about debugging in WordPress.