Editorial

Rënia e iluzionit për arbitrin amerikan

Dhe nuk duhet pasur asnjë paragjykim se kjo mund të mos jetë politika zyrtare e Uashingtonit, por një lojë interesash dhe lobistësh të paguar. Por, pyetja që shtrohet është se deri në ç’masë kjo tentativë për të trysnuar opozitën përputhet me një vizatim besnik të realitetit shqiptar?
Featured image of article: Rënia e iluzionit për arbitrin amerikan

TIRANË- Diplomatët amerikanë janë përfshirë në një betejë të ashpër dhe përtej limiteve me opozitën shqiptare. Që prej dy muajsh, pas protestës së shkurtit dhe vendimit për djegjen e mandateve, ne jemi bërë dëshmitarë të thirrjeve të pa precedenta që deputetët mos t’u binden liderve, se PD-LSI po pengojnë të ardhmen e vendit, se ata po tradhëtojnë zgjedhësit e tyre, se forcën duhet ta provojnë në zgjedhje, jo në rrugë, madje madje, se për sytë e publikut shqiptar, Murrizi dhe Hajdari vlejnë elektoralisht po aq sa Basha dhe Kryemadhi.

Nuk ka diskutim se në këtë kronikë të ashpër që Lapsi.al është përpjekur ta raportojë të plotë (shiko poshtë) duket i qartë qëllimi për të dekurajuar daljen nga sistemi, për të ruajtur një lloj stabiliteti dhe ekuilibri forcash. Dhe nuk duhet pasur asnjë paragjykim se kjo mund të mos jetë politika zyrtare e Uashingtonit, por një lojë interesash dhe lobistësh të paguar.

Por, pyetja që shtrohet është se deri në ç’masë kjo tentativë për të trysnuar opozitën përputhet me një vizatim besnik të realitetit shqiptar?

Sepse po të bëhet një kqyrje në filigran e deklaratave të dala këto dy muaj nga selia e rrugës së Elbasanit, aty vërehet lehtësisht një anomali. Në zellin për të treguar se ndërkombëtarët nuk lëkunden përballë kërcënimit të opozitës për destabilitet, duket sikur ata janë përfshirë në një garë të ethshme për të asgjesuar çdo kritikë që i është bërë qeverisjes problematike të Ramës. Në këtë këndvështrim, në komunikatat e ambasadës Amerikane ka konstatime që nuk kapërdihen lehtë. Ka një tentativë për të mbyllur sytë përpara gjysmës bosh të gotës.

Pasi nuk mund të thuash se në 2017 u zhvilluan zgjedhje të rregullta që pollën një parlamet dhe qeveri legjitime, pa përmendur, në rastin më të mirë, ato që ka konstatuar edhe Zëri i Amerikës.

Pasi nuk mund të thuash se reforma në drejtësi po zhvillohet si një histori suksesi, kur je njohur me emërimet e Arta Markut dhe vettingun e Donika Prelës.

Pasi nuk mund të thuash se në luftën kundër krimit janë bërë hapa përpara, kur ato bandat për të cilat fliste ish ambasadori Lu janë ende në lojë, apo kur ke lexuar raportin e Departamenti të shtetit për trafiqet.

Pasi nuk mund të shohësh me sy pozitiv betejën kundër korrupsionit kur je njohur me përgënjeshtrimin e letrave fallco nga zyrtarët e shtetit të Delawerit.

Pasi nuk mund të godasësh vetëm dhunën politike të protestuesve, pa folur asnjë fjalë për respresionin e shproporcionuar të policisë.

Pasi vërtet mund të mos i respektosh Lulin dhe Monikën, por nuk prapë është herezi të imagjinosh se dotë ketë zgjedhje normale me disa disidentë karagjozë.

E gjithë kjo tablo që del nga leximi i deklaratave të amabasdës amerikane ndoshta rezulton një instrument efikas për të bindur PD dhe LSI-në të kthehen në vathë.

Por ajo përmban në vetvete një problem më të madh.

Sepse në sytë e shqiptarëve, hiperfuqia botërore, nuk ka qenë vetëm një shtet që flet me arsyen e forcës, për të arritur qëllimet që do, por edhe një ideal, një ëndër lirie dhe drejtësie. Shumë prej atyre që rahin gjoksin në emër të shtetit më pro amerikan në kontinet, kanë parë tek ShBA, jo vetëm një arbitër arrogant, por edhe nje arbitër të drejtë dhe të ndershëm. Pikërisht ky imazh rrezikon të kriset me qëndrimet e fundit që kanë kthyer si qëllim në vetvete anatemimin e opozitës dhe ku është harruar të thuhet, prej kohësh, qoftë edhe një kritikë e vetme për keqqeverisjen.

Po ti shtosh këtyre, percedentë të tjerë në raste krizash, tabloja është edhe më e zymtë.

Ata që nuk janë as me njërën parti, as me tjetrën nuk e kanë fshirë lehtë nga kujtesa atë kryediplomatin amerikan që në 21 janar konsideronte burra shteti vrasësit dhe kërkonte celula anti-amerikane mes viktimave.

Ata me siguri që nuk e kanë harruar edhe shoun e pasardhësit të tij që guxonte ta etiketonte histori suksesi luftën kundër drogës, pikërisht në kohën kur ajo kishte mbirë në çdo cep të vendit dhe pikërisht kur ministri i Brendëshëm ishte akuzuar për herë të parë për lidhje me Habilajt.

ëto përpjekje për të ruajtur stabilitetin e qeverisjeve, duke u përfshirë në kulisat e betejës lokale, e kanë rrënuar shpesh herë imazhin e një Amerike ideale, që është ngulur si me çekiç në kryet e shqiptarëve.

Pikërisht kjo po ndodh edhe sot, kur përpjekja për të dekurajuar radikalizmin e opozitës, po shpie ujë amerikan në kënetën e qeverisë.

Dhe nuk është çudi që logjika e forcës të ketë sukses. Askush nuk mund të vërë bast se një ditë Luli dhe Monika mund të mos marrin drejtimin e rrugës së Elbasanit për të kërkuar ndjesë si fëmijë plangprishës.

Presioni arrogant dhe i shproporcionuar mund ta mposhtë opozitën. Por me çmimin e lartë së zverdhjes së imazhit të idealizuar të një arbitri të drejtë dhe të ndershëm, që vazhdon të zhbëhet rast pas rasti.

©Lapsi.al

Shto Koment