LIVE UPDATES
Ekonomi

Reforma në Drejtësi një kantier i hapur/ Bizneset i ndjejnë më shumë efektet anësore sesa përfitimet, ndryshimi i taksav

7 Gusht 2021, 05:33 Nga DOSJA
Reforma në Drejtësi një kantier i hapur/ Bizneset i ndjejnë

Pesë vjet nga miratimi i paketës ligjore, Reforma në Drejtësi është sot ende një kantier i hapur. Përfaqësuesit e bizneseve shprehen se është shumë herët për të folur për një ndikim të prekshëm të këtij procesi në klimën e biznesit.

Pesë vjet më parë u miratua paketa ligjore e Reformës në Drejtësi. Mes përfaqësuesve të bizneseve, reagimi më domethënës ishte nga një sipërmarrës i sektorit të ndërtimit. Kur e pyetëm për këtë ndikim, ai u revoltua dhe nuk e perceptonte se për çfarë ndikimi mund të bëhej fjalë, “kur ai kishte pesë vjet në gjykatë për një çështje administrative”.

Deri tani, reforma është një kantier i hapur dhe ato që janë ndier më shumë janë efektet anësore, si ngadalësimi apo bllokimi i punës në gjykatat e të gjitha niveleve, për shkak të uljes së numrit të gjyqtarëve nga vetting-u, apo për shkak të bllokimeve të natyrës politike dhe procedurale, siç ka ndodhur për shumë vite me Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese.

Edhe sot e kësaj dite, Gjykata e Lartë ka vetëm 7 gjyqtarë (nga 19 që duhet të ketë) dhe në të qëndrojnë në pritje për t’u gjykuar 36 mijë dosje. Sipas bizneseve, probleme të mbingarkesës me çështje ka edhe në gjykatat e niveleve të tjera, sidomos në Gjykatën e Apelit Administrativ.

Mbështetur në disa analiza të shoqërisë civile lidhur me rezultatet e deritanishme të reformës, vlerësohet se numri i çështjeve pezull në gjykata mund të jetë afërsisht 100 mijë. Pavarësisht emërimit të magjistratëve të rinj gjatë këtyre dy viteve, sistemit gjyqësor i mungojnë rreth 150 gjyqtarë dhe prokurorë. Për shembull, nga 78 gjyqtarë të përcaktuar në organikën e Gjykatave të Apelit, deri në fund të vitit 2020 kanë ushtruar detyrën vetëm 41 gjyqtarë.

Sipas një raporti për Qëndrueshmërinë e Reformës në Drejtësi, të përgatitur nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim, ngarkesa e punës së gjykatave është rritur me 25% krahasuar me periudhën para fillimit të reformës.

Reforma ende vazhdon në shtyllën kryesore, atë të vetting-ut të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Deri tani, janë më shumë se 220 gjyqtarë dhe prokurorë të cilët janë eliminuar nga ky proces, nëpërmjet shkarkimit apo dorëheqjes. Reforma në Drejtësi është një çështje shumë e rëndësishme edhe në këndvështrimin e klimës së biznesit dhe sipërmarrjes, qoftë në mënyrë direkte, apo indirekte. Veç marrëdhënies direkte me gjykatat, Reforma në Drejtësi pritej të ndikonte disa nga plagët e tjera madhore të klimës së biznesit, si niveli i lartë i korrupsionit dhe funksionimi i dobët i shtetit të së drejtës në tërësi.

Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar është shpresa më e madhe për fundin e pandëshkueshmërisë. Veç të tjerash, SPAK ka objekt hetimin dhe gjykimin e veprave penale nga funksionarët publikë të të gjitha niveleve. SPAK-u përbëhet nga Prokuroria e Posaçme, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Gjykatat Speciale. Këto organe zëvendësuan Prokurorinë për Krimet e Rënda dhe Gjykatën për Krimet e Rënda, por me kompetenca më specifike, të orientuara kryesisht te veprat penale të korrupsionit dhe grupeve kriminale.

SPAK dhe Gjykatat Speciale janë funksionale që në fillim të vitit 2020. Por, Byroja e Hetimit, e cila asiston SPAK në hetime, ka nisur të funksionojë vetëm javët e fundit me 28 hetues nga 60 vende të shpallura të lira. Këtë vit, SPAK ka urdhëruar disa arrestime të drejtuesve në administratë dhe sistemin e drejtësisë, përfshi kryetarë bashkie, zëvendësministra, gjyqtarë, prokurorë, si dhe nëpunës të niveleve të ndryshme në institucionet e pushtetit qendror dhe vendor.

Kosto e reformës, vetëm vetting-u ka kushtuar rreth 32 milionë euro

Reforma në Drejtësi ka pasur një kosto të konsiderueshme financiare për taksapaguesit shqiptarë. Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se në vitin 2021, buxheti i institucioneve të sistemit të drejtësisë është parashikuar në 7.7 miliardë lekë. Kjo shifër përfshin buxhetet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Prokurorisë së Përgjithshme, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gjykatës Kushtetuese, Shkollës së Magjistraturës, Institucioneve të Sistemit të Drejtësisë (institucionet e vetting-ut dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë) dhe Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar (SPAK).

Buxheti është rritur në mënyrë progresive, vit pas viti, dhe për këtë vit ka një vlerë 76% më të lartë krahasuar me vitin 2016, kur u miratua paketa ligjore e Reformës në Drejtësi.

Nëse koston e drejtpërdrejtë të Reformës në Drejtësi për buxhetin e shtetit do ta matim me totalin e shpenzimeve shtesë të kryera në periudhën 2017-2021 (kundrejt buxhetit 2016) kostoja e Reformës në Drejtësi rezulton rreth 7.2 miliardë lekë, ose rreth 59 milionë euro me kursin aktual.

Vetëm kostoja e institucioneve të reja të ngritura pas reformës, si strukturat e vetting-ut, ILD, SPAK dhe KLP deri tani ka arritur në mbi 3.9 miliardë lekë, ose rreth 32 milionë euro. Nga këto, 2.75 miliardë lekë kanë kushtuar strukturat e ISD, 861 milionë lekë SPAK dhe 316 milionë lekë KLP.

Shembull tjetër i kostove të lidhura me reformën është buxheti i Shkollës së Magjistraturës. Nga 70 milionë lekë që ishte në vitin 2016, buxheti i kësaj shkolle në vitin 2021 ka arritur në 307 milionë lekë. Shkarkimi i qindra gjyqtarëve dhe prokurorëve nga vetting-u ka krijuar shumë vende të lira në këto struktura, duke shtruar nevojën për përgatitjen e më shumë magjistratëve nga shkolla e posaçme.

Nga ana tjetër, edhe shkarkimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve ka krijuar kosto, nga pagesa me 80% e pagës së tyre që nga momenti i vendimit për shkarkim nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, deri në marrjen e vendimit të formës së prerë, nga Komisioni i Pavarur i Apelit. Kosto e këtyre magjistratëve që kanë vazhduar të paguhen, edhe pa kryer funksionin e tyre, përfshihet në shtesat e buxhetit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorisë së Përgjithshme.

Për vitin 2021, KLGJ ka një buxhet prej 3.24 miliardë lekësh, ndërsa buxheti i institucionit që kryente këtë funksion në 2016 (Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor) ishte vetëm 1.9 miliardë lekë. Për vitin 2021, buxheti i Prokurorisë së Përgjithshme ka arritur në 2.24 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2016 kishte 1.47 miliardë lekë.

Dhjetëra milionë euro mbështetje nga donatorët

Reforma në Drejtësi ka qenë një ndër projektet që ka siguruar mbështetjen më të madhe financiare nga parnerët e huaj në vitet e fundit. Mbështetja më e madhe ka ardhur nga Bashkimi Europian dhe nga SHBA. Raporti për Qëndrueshmërinë e Reformës në Drejtësi, i përgatitur nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim, evidneton se deri në vitin 2020 vetëm Bashkimi Europian ka dhënë një mbështetje me rreth 42 milionë euro për Reformën në Drejtësi.

Në vitin 2019, Bashkimi Europian nisi edhe zbatimin e projektit BE për reformën në drejtësi, me vlerë totale, me vlerë 35 milionë euro, i shtirë në periudhën qershor 2019-janar 2023. Sipas informacionit të faqes së projektit, deri tani ai është realizuar në masën 11% (rreth 3.85 milionë euro).

Në vitin 2016, Agjencia Amerikane për Ndihmën e jashtme USAID prezantoi projektin “drejtësi për të gjithë”, me vlerë 9 milionë dollarë amerikanë. Objektivi i këtij projekti, i shtrirë në periudhën 2016-2021, ka qenë t’i vijë në ndihmë drejtuesve të gjyqësorit për të përmirësuar punën e gjykatave në Shqipëri, duke prezantuar standarde gjyqësore gjithëpërfshirëse për efektshmërinë, transparencën, aksesin dhe llogaridhënien. Po në këtë kuadër, USAID i ka ofruar mbështetje edhe organizatave të shoqërisë civile, gazetarisë investigative dhe medias për të forcuar rolet e tyre si aktorë të rëndësishëm në procesin e reformës në drejtësi dhe si mbikëqyrës të zbatimit të reformave.

Përveç fondeve që kanalizohen nëpërmjet buxhetit, ligji organik iu lejon organeve të SPAK të përfitojnë edhe mbështetje direkte nga projekte të partnerëve ndërkombëtarë. Në raportin vjetor të 2020, Prokuroria e Posaçme raportnte një kontribut prej rreth 20 milionë lekësh nga donatorë të ndryshëm.

Doing Business, shteti ligjor është “thembër akili”

Raporti “Doing Business”, një publikim i Bankës Botërore, është referenca kryesore krahasuese për elementet më të rëndësishme që përcaktojnë klimën e të bërit biznes. Shqipëria nuk ka shkëlqyer ndonjëherë në këtë renditje dhe për vitin 2020, renditej në vendin e 82-të në botë. Në shumicën e indikatorëve që lidhen me funksionimin e shtetit ligjor dhe të administratës, renditja është edhe më e dobët se ajo mesatare.

Çështja më problematike mbetet procedura për marrjen e lejeve të ndërtimit. Në Doing Business 2020, Shqipëria renditej në vendin e 166-të në botë, pa përmirësime krahasuar me vitin e mëparshëm. Me gjithë ndryshimet ligjore dhe dixhitalizimin e procedurës së aplikimit, procesi nuk duket të jetë përmirësuar shumë.

Për shumicën e shqiptarëve, mbetet perceptimi se për të marrë një leje ndërtimi duhet të paguash ryshfet, ose përndryshe përballesh me zvarritje dhe refuzime. Për një tregues që lidhet në mënyrë edhe më direkte me sistemin gjyqësor, siç është zbatimi i kontratave, Shqipëria në Doing Business 2020 u rendit në vendin e 120-të, edhe në këtë rast pa përmirësime krahasuar me një vit më parë.

Në nënindeksin që lidhet me regjistrimin e pronës, Shqipëria renditet në vendin e 98-të, edhe në këtë rast poshtë pozicionimit mesatar të vendit. Në këtë tregues, vitin e kaluar u shënua përmirësim modest, me gjysmë pikë përqindje.

Vrojtimet e kryera nga shoqatat më të rëndësishme të biznesit me kompanitë e tyre anëtare, gjithashtu tregojnë perceptim të përkeqësuar për klimën e biznesit dhe të investimeve. Indeksi i Biznesit i Dhomës Amerikane të Investimeve, në vrojtimin 2019-2020, ra me 5 pikë krahasuar me një vit më parë. Pjesa dërrmuese e treguesve janë në përkeqësim.

Mes elementeve në territorin e vlerësimit negativ dhe me një nënindeks më të ulët se ai mesatar janë konkurrenca e pandershme, niveli i lartë i korrupsionit, niveli i lartë i ekonomisë informale, si dhe zbatimi i ligjit dhe akteve nënligjore, aspekte të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë edhe me funksionimin e sistemit të drejtësisë. Dhoma Amerikane e Tregtisë nuk iu përgjigj një kërkese nga “Monitor” për të komentuar problemet e klimës së biznesit dhe në veçanti, ndikimet eventuale të Reformës në Drejtësi në përmirësimin e saj.

Një tablo ndoshta edhe më pesimiste dha anketimi vjetor mbi situatën ekonomike nga Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA), prezantuar në qershor të këtij viti. Edhe për shkak të ndikimit të pandemisë, përqindja e bizneseve që e vlerësuan të përkeqësuar situatën ekonomike u rrit ndjeshëm në 63%, nga 54% një vit më parë. Përtej elementeve të lidhur me krizën ekonomike, faktorët e vlerësuar më negativisht nga bizneset anëtare të DIHA-s ishin lufta kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, siguria ligjore dhe transparenca e tenderëve publikë, të gjitha çështje të lidhura direkt me funksionimin e sistemit të drejtësisë.

Konfindustria: Rezultatet duken kur vendimmarrja të orientohet tek interesi publik

Gjergj Buxhuku, administrator i përgjithshëm i Konfindustrisë Shqiptare thotë se, megjithëse Reforma në Drejtësi është e mirëpritur në përmirësimin e klimës së biznesit, është ende shpejt të presësh përmirësime të prekshme.

“Në Shqipëri, natyrisht kemi praninë e shtetit ligjor. Por, kjo nuk mjafton. Çështja është, nëse një shtet i tillë ligjor është funksional. Edhe nëse po, përsëri është e pamjaftueshme. Edhe diktatura komuniste kishte shtet ligjor dhe për më shumë, edhe mjaft funksional. Kryesorja është, para së gjithash, nëse sistemi shtetëror është në interesin qytetar dhe publik? Mendoj se jo!

Vazhdojmë të jemi larg. Parashtrimin e mësipërm e bëj pikërisht për të arsyetuar, se Reforma në Drejtësi do të prodhojë efektivitet edhe për ekonominë dhe biznesin, nëse arrin, që në një kohë të arsyeshme, të ndryshojë drejt interesit publik vendimmarrjen politike. Për të qenë të sinqertë, sa më sipër mund të bëhet e mundur të japë arritje vetëm nëse drejtohet dhe përfshihen më thellë partnerët tanë strategjikë. Nga brenda është pothuajse e pamundur, të paktën në kohë të shpejtë” – thotë ai. Sipas tij, arrestimet e zyrtarëve të niveleve të ulëta janë të pamjaftueshme për të dhënë rezultat në luftën kundër korrupsionit.

“Në çdo rast dhe pavarësisht çdo kritike, kur vjen fjala për nisma, që kanë për qëllim luftën kundër korrupsionit, ato duhen mbështetur. Por, është e pamendueshme, që duke mbetur te goditja e zyrtarëve të dorës së tretë dhe të katërt, të kemi rezultate të qëndrueshme në kohë. Për më shumë ekziston edhe mundësia, që edhe vetë goditjet të dalin bosh dhe të mbeten vetë me show mediatik.

Po marr një shembull për ta kuptuar. Edhe sikur të pranojmë, se strukturat e shtetërore antikorrupsion të jenë të mirëpërgatitura, të përgjegjshme dhe të plotësuara plotësisht në njerëz dhe logjistikë, ato e kanë shumë të vështirë të merren me rastet e “state capture/kapje e shtetit”, ku çdo gjë është bërë me akte ligjore, pavarësisht se mund të jenë në kundërshtim me interesin publik.

Ndërkohë, duhet të jemi edhe të kujdesshëm, për të mos ngarkuar dhe për të mos goditur padrejtësisht biznese, të cilat janë të detyruara të punojnë në kushtet e një sistemi të shtrembëruar në thelb. Shto këtu edhe rastin skajor të përdorimit të instrumenteve shtetërore nga konkurrenca në treg” – shprehet z. Buxhuku.

Sipas tij, perceptimi i lartë i korrupsionit dhe problemet me funksionimin e shtetit ligjor janë faktor i rëndësishëm në vendimmarrjen e bizneseve të huaja, kur vjen fjala për investime serioze. Ai mendon se ekonomia shqiptare me ngadalësi, por në mënyrë të pandalshme, po jep shenja të përfshirjes në tregjet globale dhe sidomos të BE-së: sipas tij, kjo jep shpresa më të mëdha për zhvillim të qëndrueshëm. Por, koha dhe kostot e ndryshimit dhe integrimit janë çështje të qeverisjes së brendshme, që shfaqen drejtpërdrejt edhe në mjedisin e të bërit biznes. Sipas tij, korrupsioni masiv dhe kapja e shtetit janë një e keqe e madhe që shkakton deformime të mëdha në klimën e të bërit biznes.

“Ka kufizim të dukshëm të konkurrencës në treg, sidomos në sektorët strategjikë. Pastaj do të shtoja paaftësinë e thellë institucionale, përfshi edhe sistemin e drejtësisë, përdorimin joefektiv të investimeve buxhetore dhe natyrore të vendit dhe para së gjithash, korrupsionin masiv, ku mjaft shqetësues është ai i tipit ‘state capture/kapje e shtetit’. Problem në rritje janë flukset e mëdha ‘dumping’ të parave të zeza dhe gri të kriminalitetit, monopoleve dhe informalitetit, përfshi edhe kontrollin e territorit, që në shumë raste të shkrira, edhe me politikën, rrezikojnë bizneset e rregullta dhe ndalojnë investimet.

Zvogëlimi i vazhdueshëm i tregut, si pasojë e emigracionit, cilësia e ulët e arsimit profesional, infrastruktura ende e dobët rrugore dhe energjetike, kostot e energjisë, karburanteve, etj., janë thjesht pasoja të shkaqeve të renditura më sipër. Shtojmë këtu edhe agresivitetin e shteteve mjaft më të fuqishme konkurrente tona në ekonomi dhe tregti, që bashkuar edhe me paaftësinë dhe korrupsionin e agjencive publike, pengojnë ndjeshëm industritë dhe prodhimin vendor” – thotë ai.

KASH: Deri tani, më shumë dëshirë e mirë, sesa rezultate

Agim Rrapaj, kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, thotë për “Monitor” se, përtej dëshirës së mirë, funksionimi i sistemit të drejtësisë mbetet i ngadaltë dhe problematik.

“Problemi ynë i parë ka të bëjë me dosjet ende pa gjykuar, të cilat kanë arritur shifra shumë të mëdha. Problemi i dytë lidhet me disa padi të bëra nga sektori publik ndaj sektorit privat, por nuk kanë shumë kuptim të jenë në gjykatë. Janë me mijëra padi që mund të zgjidhen me rrugë të tjera, si për shembull ndërmjetësimi, por bazuar në një ligj absurd, ato bëhen objekt për çështje gjyqësore. Problem tjetër është mungesa e transparencës së gjykatave. Në gjykata nuk merr dot asnjë të dhënë, sepse ka probleme dhe kaos me organizimin.

Shohim një dëshirë për të ndryshuar dhe për të përmirësuar gjërat. Shohim sinjale pozitive nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, që nëpërmjet një projekti të USAID po punon për të mbështetur akademinë e transparencës SHBA-Shqipëri. Kjo është një nismë pozitive. Ne mbështesim edhe reformën dhe planin strategjik që ata kanë bërë, por realisht duhet më shumë bashkëpunim për të reflektuar të gjitha problematikat që shfaqen”, – thotë ai.

Rrapaj vlerëson pozitivisht arrestimet e fundit të bëra me urdhër të SPAK, sidomos në sistemin e prokurimeve që lidhet me sistemin e ujitjes dhe kullimit.

“Fakti që SPAK ndërhyri te fondet e alokuara për sistemet e ujitjes dhe kullimit është shenjë pozitive. Është një nga fushat ku ne kemi edhe problematikën më të madhe dhe më të vështirë për sa i përket kontrollit dhe verifikimit për mënyrën sesi përdoren fondet. Nisja nga ky sektor është një ogur i mirë. Këto janë fonde në vlera të mëdha, me mundësi të mëdha abuzimi dhe ndërhyrja ishte e nevojshme”, thotë ai. Në lidhje me subvencionet për bujqësinë, sipas tij, hapësirat e abuzimit janë më të vogla, sepse këto fonde përgjithësisht vijnë nga donatorë të huaj, që kanë një axhendë kontrolli shumë strikte.

Një problem specifik, sipas z. Rrapaj, është mospërmbushja e pritshmërive nga gjykata administrative. Ato kanë një shpërndarje të pabarabartë të ngarkesës, sidomos në nivelin e gjykatave të apelit. Kjo shtron nevojën për rishpërndarje të gjyqtarëve dhe ndoshta, edhe rishikim të strukturës së gjykatave.

“Ne mendojmë se ato duhen reformuar, sepse nuk kanë dhënë impaktin që pritej. Problemi është se shpërndarja e ngarkesës mes tyre është anormale. Ka gjykata apeli, të cilat nuk kanë asnjë dosje, të tjera kanë me qindra dosje të ngelura pezull. Në disa raste kanë ngelur pezull në gjykimin e apelit administrativ prej vitesh. Ka nevojë për ndryshime dhe përqendrim të gjyqtarëve aty ku është edhe volumi më i madh i punës”, – thotë ai.

Fasonistët: Disa efekte kanë filluar të ndihen

Edvin Prençe, kryetar i Shoqatës ProExport, bashkësi e bizneseve të sektorit fason, mendon se efektet e para të Reformës në Drejtësi kanë filluar të ndihen, sidomos në respektimin e kontratave.

“Drejtësia është gjithmonë indikator i një shteti funksional dhe të barazisë së të gjitha palëve para ligjit. Mendoj se ka një përmirësim të theksuar në këtë pikë. Për herë të parë në Shqipëri shihet respektimi i kontratave midis bizneseve dhe të tretëve”, – thotë ai.

Sipas z. Prençe, arrestimet e javëve të fundit janë një sinjal pozitiv, sidomos në funksion të vendosjes së praktikave më të drejta dhe të ndershme në prokurimet publike. “Unë do ta quaja fryma e një revolucioni që është pak i vonuar, por gjithmonë i mirëpritur nga bizneset. Të barabartë përballë ligjit, fitimi i një të drejte sepse e meriton dhe jo të jepet, meritokracia edhe në tenderime, është hapi i duhur në një moment kyç për të ardhmen europiane të Shqipërisë” – shprehet ai.

Problemi kryesor i lidhur me klimën e biznesit është ndryshimi i shpejtë i taksave, që sjell çoroditje të bizneseve, por edhe stepje të investitorëve të huaj. Sipas tij, fryma e bashkëpunimit dhe dialogut mes institucione publike dhe grupeve të interesit ka përmirësim, por nuk është ende në nivelin e duhur. Investitorët e huaj strategjikë, bizneset e huaja, sipas z. Prençe, kanë indikatorë shumë rigorozë, kur vendosin zhvendosjen e tyre në një vend të huaj.

“Sipërmarrësi kërkon klimë të qetë biznesi, ku me rëndësi është mosndryshimi i shpeshtë i paketave fiskale e taksave lokale, kërkon barazi para ligjit, ligje funksionale dhe pa burokraci kur ajo duhet të aplikohet, korrupsion zero, detyrimet dhe të drejtat të aplikueshme dhe jo vetëm në letër. Shqipëria ka bërë hapa të mëdha në këto pika, rrugëtimi është i gjatë dhe kërkon kohën e tij, por reformat e ndërmarra japin perceptimin se koha për ndryshim ka filluar dhe unë jam optimist se shumë shpejt, Shqipëria do të rrisë shkallët e suksesit” – thotë ai./Monitor

Iftar dhe politikë, a u prek Muaji i Ramazanit nga politikanët?

View Results

ekonomi ekonomi reforma ne drejtesi reforma ne drejtesi

Sondazh

Poll

"Injoranca nuk është argument" Nuk i pëlqeu pyetja, Rama prek në faqe gazetaren Ambrozia Meta

"Injoranca nuk është argument" Nuk i pëlqeu pyetja, Rama prek në faqe gazetaren Ambrozia Meta

Del VIDEOJA, Elia godet Princ Lekën: Familja ime të ka mbajtur me bukë

VIDEO/ Noka i jep Spiropalit pankartën, Ministrja ofrohet ta mbaj para fytyrës

Publikohen pamjet nga brenda bazës ajrore të Kuçovës, Komandanti: E gatshme për stërvitjen e trupave

Tempulli 2/ Me kanabis gati për shitje dhe shuma parash, arrestohen 4 të rinj në Tiranë

Dalin pamjet nga kasollja ku u vra 50-vjeçari në Durrës

Kontrabandonin ilaçe dhe telefona, arrestohen dy persona në Tiranë, sekuestrohen 47 iPhone

I vunë flakën eskavatorit me vlerë 150 mijë euro, arrestohen 2 autorët e ngjarjes

Reshjet e shiut dhe borës në vend, policia: Moderoni shpejtësinë e mos kryeni parakalime të gabuara

Kampioni Alvin Karaqi mes lotësh: Për besë u ndjeva si Gjergj Kastrioti kur mora flamurin

'Dokumentar horror'/ Berisha publikon pamjet: Do ju paraqes terrorin që Bajrajt ushtruan më 14 maj

Krimi në Bulqizë/ Fqinji: Po hante bukë në banesë kur erdhën dy makina!

Dosja "Gjici"/ Zv.kryetari i bashkisë së Kukësit shkon në SPAK

Newsroom 11 |XAMA: LAJMI I FUNDIT FAKE QË PASHË, ISHTE PËR MUA

Newsroom 11 |XAMA: KËSHILLË QYTETARËVE- MOS LEXONI VETËM NJË BURIM

Newsroom 11 | XAMA: GAZETARËT NUK SHKRUAJNË ME EMËR, KJO S'ËSHTË ETIKE

Xama në Newsroom: Lajmet e rreme përhapin panik! Më akuzuan se kisha marrë para për një shkrim

Muka në Newsroom: Në Shqipëri ka portale gjobaxhie, u bëjnë shantazh njerëzve

Xama në Newsroom: Fake News shpërndahet më shumë në Facebook e Tik Tok! Gazetarët të shkruajnë emrin

Newsroom 11 |Kush prodhon lajme të rreme në Shqipëri

Newsroom 10 |SENJA: NE S'REAGOJMË NDAJ GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 |HAZIZAJ: 'ÇOHU ENVER', PJESË E GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ KEMI MARRËVESHJE PËR TË MBROJTUR 'VIKTIMAT'

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES KA SHKAKTUAR DHE KRIME

Newsroom 10 |GAZETARI: GJUHA E URREJTJES, PJESË E SHOQËRISË

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES, E FRIKSHME NË SHQIPËRI

Vidhnin në banesa duke përdorur çelësa të klonuar, vihet në pranga 1 person,nje tjeter në kërkim

Newsroom 10 |GJUHA E URREJTJES PËRDORET NGA POLITIKA, AMA TË KONTROLLOJË GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: STEREOTIPET NXISIN GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES LUFTOHET ME EDUKIM

Newsroom 10 | Gjuha e urrejtjes në media, si dhe kush e shpërndan?

Ndryshimet në PS/ Gjiknuri: S'është fundi, por fillimi i diçkaje të re.

Inceneratorët/ S’kam dhënë asnjë kontratë pa garë, ato janë publike!

Ndihet 'i shitur' nga Rama? Gjiknuri: Nuk ndjej braktisje, kam komunikim me të prej 20 vitesh

Klosi: Kemi primare reformimin e partisë, PS synon mandatin e katërt

U shkarkua si Sekretar i Përgjithshëm, Gjiknuri: PS edhe kur fiton, refekton!

Digjet shtëpia në Shkodër, në banesë ndodhej një i moshuar, përfundon në spital

Vazhdon përplasja në PD! Basha kërkon mbledhjen e Komisionit të Etikës për të, Bardhi: Shenjë humbje

Vrasja e Jetmirës/ Autori u dënua me 28 vite burg, nëna e viktimës: Duhet dënim përjetë!

Newsroom 9 | Kallanxhi: Threads? S`besoj se do zgjasë shumë

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Mos merrni për bazë asgjë thuhet në rrjet

Newsroom 9 | Gazetarja: po ndodhin vrasje nga tik tok

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Fake News dallohet vetëm po të jemi kritikë

Newsroom 9 | Kallanxhi: Shqiptarët besojnë gjithçka shohin në rrjet

Newsroom 9 | Eksperti i IT, Tomi Kallanxhi: Tik Tok ka "fake news" sepse s'ka censurë

Newsroom 9 | Gazetarja: Shqipëria do kohë të përshtatet me Tik Tok

Newsroom 9| Eksperti i IT: Çdo rrjet është i përkohshëm, duhet të kujdesemi për vlerat

A mund të mbyllet TikTok për Shqipërinë? Flet për Newsroom eksperi i IT

Fëmija mbyllet brenda në shtëpi, nëna e alarmuar njofton zjarrfikësit, NDËRHYRJA nga ballkoni

Newsroom/ Karabolli: Shqipëria do kohë të përshtatet me TikTok, e provuan edhe gazetarët, s’ia dolën