Rajoni

Sot 21-vjetori i masakrës së Reçakut/ Thaçi dhe Meta e quajnë gjenocid, Kurti: Të dënohen ata që urdhëruan vrasjet (VD)

Sot 21-vjetori i masakrës së Reçakut. Thaç e quan gjenocid, ndërsa presidenti Meta kërkon drejtësi. Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje u shpreh i prerë se duhet të dënohen ata që urdhëruan vrasjet. Më 15 janar të 1999 do të ndodhte një nga masakrat më të mëdha të luftës së Kosovës, forcat serbe brenda një ditë vranë mizorisht 45 civilë shqiptarë.
Featured image of article: Sot 21-vjetori i masakrës së Reçakut/ Thaçi dhe Meta e quajnë gjenocid, Kurti: Të dënohen ata që urdhëruan vrasjet (VD) Ish-ambasadori William Walker duke parë nga afër viktimat në Reçak

KOSOVË- Sot bëhen 21 vite nga masakra e Reçakut në Kosovë, ku humbën jetën 45 civilë shqiptarë. Të pranishëm në veprimtarinë përkujtimore të 21-vjetorit të masakrës së Reçakut ishin Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, presidenti i Shqipërisë Ilir Meta dhe një sërë figurash të njohura të politikës shqiptare.

Nuk kanë qenë të pakta edhe reagimet për këtë ngjarje, ku kërkohet drejtësi për jetët e humbura. Krue i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti deklaroi se duhet të dënohen të gjithë ata që urdhëruan vrasjet. Ndërsa Thaçi u shpreh i prerë se askush nuk mund ta mohojë që kjo ngjarje është një gjenocid. Ndërsa kreu Presidenti Meta kërkoi drejtësi për këtë masakër.

Masakra e Reçakut:

Si sot 21 vite më parë, forcat serbe në Kosovë, kryen një nga masakrat më të rënda, atë të Reçakut. Më 15 janar të 1999 do të ndodhte një nga masakrat më të mëdha të luftës së Kosovës, forcat serbe brenda një ditë vranë mizorisht 45 civilë shqiptarë.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Sipas informacioneve të asaj kohe urdhri për vrasjen mizore ishte bërë nga vet Sllobodan Millosheviç. Pas urhdërit forcat serbe nisën aksionin dhe deri në fund ishin 45 trupa të pajetë, civilë dhe të pafajshëm. Masakra e Reçakut krijoi shumë debat dhe ndërkombëtarët kërkuan informacione, por në fillim u refuzuan nga forcat serbe, pasi deklaronin se gjitha viktimat ishin anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Por pas insistimit nga nga ish-shefi i Misionit Vëzhgues të OKB-së, Ëilliam Ëalker, forcat serbe lejuan që ndërkombëtarët të vëzhgonin dhe vet ish-ambasadori deklaroi se bëhej fjalë për një krim që nuk kishte ndodhur kurrë në historinë e luftërave moderne dhe se viktimat ishin që të gjithë civilë e të pambrojtur, mes të cilëve një fëmijë 12-vjeçar dhe tre femra.

Maskra e Reçakut dhe raporti që doli nga misioni vëzhgues ndërkombëtar ishin faktorët kryesorë i vendimit të vendeve anëtare të NATO-s në nisjen e bombardimeve dhe përdorimit të forcës kundër Serbisë. Sot 21 vite më pas, Masakra e Reçakut do të kujtohet nga Kosova, e cila kurrë nuk e ka harruar.  Kohët e fundit Reçaku është bërë  një nga pikat e përplasjes mes Serbisë dhe Kosovës, pasi lideri serb Aleksandër Vuçiç, nuk e njeh si masakër, e ndërkohë e gjithë shqiptari e ka dënuar këtë deklaratë.

(A.B/J.V Dosja.al)

  • 16:46

    21 vite nga masakra e Reçakut/ LVV me qendër në Tiranë: Institucionet e Shqipërisë duhet ta njohin zyrtarisht gjenocidin e Serbisë

    Foto ilustruese

    Lëvizja Vetëvendosje me qendër në Tiranë ka reaguar, lidhur me 21-vjetorin e masakrës së Reçakut, ndodhur gjatë luftës në Kosovë, ku mbetën të vrarë 45 civilë shqiptarë, mes tyre gra dhe fëmijë. Përmes një statusi në Facebook, LVV shprehet se institucionet në Shqipëri duhet ta njohin zyrtarisht gjenocidin e Serbisë. Për të përkujtuar viktimat e kësaj masakre, aktivistët e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE, në Shqipëri organizuan sot një konferencë për shtyp dhe një aksion simbolik përpara Kryeministrisë në Tiranë, në përkujtim të masakrës së Reçakut, duke kërkuar që institucionet e Republikës së Shqipërisë ta njohin e dënojnë zyrtarisht gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve.

    REAGIMI I PLOTË I LVV-së Në TIRANË:

    Institucionet e Shqipërisë duhet ta njohin zyrtarisht gjenocidin e Serbisë

    Aktivistët e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE ! në Shqipëri organizuan sot një konferencë për shtyp dhe një aksion simbolik përpara Kryeministrisë në Tiranë, në përkujtim të masakrës së Reçakut, duke kërkuar që institucionet e Republikës së Shqipërisë ta njohin e dënojnë zyrtarisht gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve.

    Prej një viti, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar rezolutën që e shpall 15 janarin si ditën përkujtimore të gjenocidit serb ndaj shqiptarëve, por aktivistja Gearda Demiraj shpjegoi se: “Institucionet e Republikës së Shqipërisë nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për ta njohur e dënuar zyrtarisht këtë gjenocid. Asnjë institucion, asnjë vendim, asnjë rezolutë. Asnjë përpjekje për ta ndihmuar Kosovën të ngrejë padi në nivel ndërkombëtar ndaj Serbisë. Zyrtarët e Serbisë, si Vuçiç e Daçiç, vazhdojnë ta mohojnë publikisht masakrën e Reçakut dhe gjenocidin e Serbisë. Sakaq, Aleksandar Vuiçiç ka qenë Ministër i Informacionit kur Serbia kryente këto masakra në Kosovë.” Më tej ajo tha: “Në vend që të flasë për marrëveshje si mini-shengeni me një kriminel lufte si Vuçiç, qeveria Rama dhe institucionet e Republikës së Shqipërisë do duhej ta shpallnin sa më parë 15 janarin si dita e gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve, dhe do duhej të jepnin të gjithë ndihmën e nevojshme për ta ndërkombëtarizuar dhe dënuar gjenocidin e Serbisë… vuajtjet e këtij kombi nuk zgjidhen me mesazhe në rrjete sociale, apo duke i hapur dyert atyre që na kanë masakruar, por me vendime shtetërore që kërkojnë drejtësi sipas parimeve universale dhe ligjit ndërkombëtar.”

    Demiraj kujtoi edhe një herë ngjarjet e 15 janarit 1999, kur forcat policore dhe ushtarake serbe hynë në shtëpitë e shqiptarëve në Reçak duke torturuar për vdekje popullaten civile të pambrojtur. Aty forcat serbe vranë dhe kryen makabritete si prerje kokash e nxjerrje organesh nga trupat, duke masakruar 45 njerëz pa dallim moshe e gjinie, nga mosha 12 vjeçare deri në moshën 85 vjeçare. Sot e kësaj dite, për masakrën e Reçakut, nuk është dënuar asnjë polic apo ushtarak serb.

    Aktivisti Elvis Hoxha foli në këtë konferencë duke thënë se: “Masakra e Reçakut nuk është as më e madhja, as më e vogla. Nuk është as më e tmerrshmja as më e lehta. Ajo është një prej 100 sipërmarrjeve mizore të kolektivave shtetërorë ushtarakë dhe paraushtarakë serbë, mbi kolektivë civilësh shqiptarë”. Masakra e Reçakut i ka vetëdijesuar ndërkombëtarët për luftën e padrejtë që i është bërë Kosovës. Përmes Misionit të OSBE-së, i drejtuar nga Ambasadori Ëilliam Ëalker, u gjetën faktet per krimet e Serbisë në kufomat e shqiptarëve të masakruar në Reçak, duke çuar në ndërhyrhyrjen ushtarake të NATO-s. Në rrafshin praktik, Reçaku ishte deklarimi publik i gjenocidit.

    Në vijim, Elvis Hoxha deklaroi se: “Kryeministri i Shqipërisë, e ftoi ministrin e propagandës së Millosheviçit, Aleksandar Vuçiçin, nëpër festa, në vende publike, duke i vendosur të gjithë trupën e Teatrit Kombëtar të këndojë përpara tij, duke e çuar në vendet më shik të Tiranës, dhe këtë e bënë si për të harruar dhe për të fshirë krimin mbi shqiptarët. Shteti shqiptar ekziston pra, sipas mendjes së kryeministrit Rama, për të harruar dhe fshirë krimin mbi shqiptarët. Dhe sigurisht kjo nuk është patetike, por kriminale. Fyerja e Qeverisë së Tiranës mbi viktimat e gjenocidit është një krim. Ajo kapi tre momente djallëzore: (1) Organizimin e një koncerti madhështor ku mori pjesë krimineli i luftës Vuçiç; (2) Vizitën e Vuçiçit në Durrës, në vendin simbolik të synimeve pushtuese serbe; dhe (3) Në kuptimin estetik, krimi më i rëndë që është kryer mbi popullin shqiptar nga kryeministri i vet, morën Vuçiçin dhe e vendosën pranë një djali të vogël për t’u fotografuar. Kujtojmë që ushtria dhe paramilitarët serbë kanë ekzekutuar 1392 fëmijë shqiptarë gjatë dy viteve të luftës në Kosovë. Pra i thanë Vuçiçit, me një dorë te koka e një djali të Shqipërisë, ti mund të harrosh 1392 krimet që ke bërë vetëm mbi fëmijët. Dhe gjithashtu iu tha se me 100 shtëpitë që do ndërtosh ti dhe shteti serb do harrosh 100.000 shtëpi të rrafshuara.”

    Fjalën e tij Hoxha e mbylli duke deklaruar se: “Ndoshta për kryeministrin Rama, shqiptarët janë të tepërt, por për ne, viktimat janë një problem i gjallë. Indiferenca e përgjithshme shoqërore nuk është e natyrshme. Ajo është e shkaktuar prej padijes së institucioneve të shtetit dhe të atyre akademike, si dhe prej shkeljes së Kushtetutës prej institucioneve. Në nenin 8, pika 1, Kushtetuta thotë se Republika e Shqipërisë është në mbrojtje të popullit shqiptar jashtë kufijve. Kuptohet se për cilin popull bëhet fjalë. Është urgjente të mendojmë në bazë të Kushtetutës.” Në fund të konferencës, në përkujtim të 45 shqiptarëve të masakruar në Reçak, aktivistët vendosën në hapësirën e gjelbërt para kryeministrisë në Tiranë 45 trëndafila të kuq.

  • 13:05

    Mustafa: Masakra e Reçakut, krimi që tronditi botën demokratike

    Isa Mustafa, kreu i LDK-së ka reaguar për 21-vjetorin e masakrës së Reçakut. Ai është shprehur se viktimat e Reçakut janë vulë e çlirimit dhe shtetformimit të Kosovës dhe se ata janë në piedestalin e historisë më të re, andaj përulemi para veprës së tyre.

    “Sot, bëhen 21 vite nga momenti kur ndodhi Masakra e Reçakut, njëra nga krimet më të tmerrshme të regjimit serb mbi popullatën civile shqiptare. Aktin makabër të regjimit të Millosheviqit e pa nga afër i tmerruar edhe ambasadori i OSBE-së, William Walker. Masakra e Reçakut, zgjoi ndërgjegjen e fjetur ndërkombëtare ndaj padrejtësive dhe krimeve shekullore të Serbisë mbi popullin e Kosovës. Viktimat e Reçakut, janë vulë e çlirimit dhe shtet-formimit të Kosovës, ata janë në piedestalin e historisë më të re, andaj përulemi para veprës së tyre. Pa sakrificën e tyre, liria nuk imagjinohej dot. Lavdi jetës dhe veprës të rënëve në Masakrën e Reçakut”, deklaroi Mustafa.

  • 12:31

    Ministrja e ardhshme e Drejtësisë publikon emrat e 20 autorëve: As pas 21 vitesh asnjë kriminel s’u dënua

    Albulena Haxhia

    Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, e cila sipas liderit të kësaj partie do të jetë edhe ministrja e ardhshme e Drejtësisë ka publikuar emrat e autorëve të masakrës së Reçakut. Haxhia ka postuar një foto në Facebook, ku duket një banderolë gjigande në të cilën janë shkruar 20 emrat njëri pas tjetrit.

    “As pas 21 vitesh asnjë kriminel nuk u dënua për masakrën në Reçak. Janë dorëzuar shumë kallëzime, janë shumë dëshmi, sërish asnjë i dënuar. Nuk ka drejtësi pa dënim të kriminelëve të luftës. Kriminelët kanë emra e mbiemra. Institucionet duhet t’i trajtojnë me seriozitet këto krime e sidomos pas hyrjes në fuqi të ndryshimit për lejimin e gjykimit në mungesë,”-shkruan ndër të tjera në postimin e saj Haxhia.

    POSTIMI I PLOTË:

  • 12:30

    21-vjetori i masakrës së Reçakut, Ditmir Bushati: Çdo mohim i krimeve të kryera dëmton ardhmërinë e përbashkët europiane

    Ditmir Bushati

    Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka reaguar për 21-vjetorin e masakrës së Reçakut në Kosovë. Në një postim në Facebook Bushati është shprehur se çdo mohim i krimeve të kryera apo relativizim i së keqes i vë krusmën ardhmërisë së përbashkët europiane të popujve të Ballkanit Perëndimor.

    Reagimi i plotë:

    Sot nderojmë kujtimin e atyre që humbën jetën në masakrën e Reçakut dhe masakrave të tjera të kryera nga forcat serbe në #Kosovë. 21 vjet më parë në #Reçak u organizua një prej masakrave më mizore që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në #Europë. Kjo zgjoi ndërgjegjen e komunitetit ndërkombëtar dhe solli ndërhyrjen vendimtare të NATO-s që i dha fund spastrimit etnik dhe katastrofës humanitare në #Kosovë.

    Historia na mëson se edhe shtete të tjera që kanë përgjakur Europën kanë gjetur forcën për të dënuar krimet e kryera duke u distancuar prej tyre, kanë kërkuar ndjesë publike dhe janë investuar në projektin e paqes dhe ripajtimit. Është koha që në Ballkan procesi i ripajtimit dhe bashkëjetesës demokratike e paqësore të ndjek shembuj të tillë. Sepse çdo mohim i krimeve të kryera apo relativizim i së keqes i vë krusmën ardhmërisë së përbashkët europiane të popujve të Ballkanit Perëndimor. #KurrëMë!

  • 11:00

    Thaçi në Reçak, mesazh Serbisë: Askush nuk e mohon dot, është genocid

    Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë homazhe sot në Reçak, ku ka kujtuar 21-vjetorin e masakrës së ndodhur gjatë luftës në Kosovë, ku u vranë 45 civilë shqiptarë, mes tyre gra dhe fëmijë. Në fjalën e tij, Thaç i dërgoi një mesazh Serbisë dhe Presidentit Aleksandër Vuçiç, duke thënë se nuk ka njeri në botë që mund të mohojë këtë masakër.

     

    Masakra e Recakut, një prej masakrave më të rënda të Serbisë. Masakra e Recakut është krim kundër njerëzimit, që ka kryer drejtpërdrejt shteti i Serbisë, që është gjenocid i Serbisë kundër popullit të Kosovës. Kjo masakër tregoi që Serbia po kryente spastrim etnik në Kosovë. Edhe kjo masakër, si gjithë të tjerët, do jenë ato që ne do kërkojmë vazhdimisht që të zbardhen. Drejtësia ndërkombëtare ka heshtur për këto masakra. Rrugëtimi jonë është ai euroatlantik, do punojmë fuqishëm për të ardhmen evropiane, por duke kërkuar drejtësinë që shteti i Serbisë duhet të japë llogari herët ose vonë për gjenocidin që ka kryer në Kosovë. Edhe tendenca e fshehjes, apo mohimit, është sjellje e mentalitetit të Milloshevicit, por kjo sjellje e Serbisë ka ardhur edhe për shkak të heshtjes ndërkombëtare. Ishte shtytje dhe guxim i autoriteteve të Serbisë për të mohuar masakrën, por nuk ka njeri në botë që e mohon”, u shpreh ndër të tjera Thaçi.

  • 10:51

    21-vjetori i masakrës së Reçakut/ Meta: Përulje dhe nderim ndaj viktimave, drejtësia të shkojë deri në fund

    Presidenti i vendit Ilir Meta i pranishëm në veprimtarinë përkujtimore të 21-vjetorit të masakrës së Reçakut u shpreh duhet të vendoset drejtësia për këtë ngjarje të rëndë . Ai u shpreh se kjo masakër tregoi se liria dhe dinjiteti njerëzor padyshim që triumfojë para barbarizmit.

    “Përulje dhe nderim ndaj viktimave të Reçakut. Populli i Reçakut bëri një sakrificë të madhe. Kjo masakër por edhe të tjera që kanë ndodhur në Kosovë, tregoi se liria dhe dinjiteti njerëzor padyshim që triumfojë para barbarizmit dhe gjenocidit. Duhet të luftojmë ngjarje të tilla dhe duhet drejtësi për këtë ngjarje. Jo vetëm përkujtim dhe nderim i pakufijshëm, por edhe kërkesë që drejtësia të shkojë deri në fund me ndëshkimin e orkestruesve dhe realizuesve të masakrës. Të gjithë ne duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe ngjarje të tilla nuk duhet të përsëriten në rajonin tonë.”, u shpreh Meta.

  • 10:35

    Albin Kurti kujton 21-vjetorin e masakrës së Reçakut: Të dënohen të gjithë ata që urdhëruan vrasjet

    Kreu i Levizjes Vetëvendosjes Albin Kurti, ka qenë sot në Reçak ku ka kujtuar 21 vjetorin e masakrës serbe që është kryer në këtë vend. Albin Kurti bëri homazhe tek varrezat e dëshmorëve dhe tha se është detyrim i institucioneve në Kosovë që të dënojnë të gjithë ata që kanë urdhëruar këtë masakër.

    Albin Kurti, duke bërë homazhe në Reçak

    Lajmi për Masakrën e Reçakut e tronditi dhe tmerroi Kosovën por e ndërgjegjësoi dhe alarmoi botën demokratike dhe diplomacinë ndërkombëtare. Masakra e Reçakut ishte vendimtare që NATO ta bombardonte Jugosllavinë e Millosheviqit….21 vite më vonë nuk ka drejtësi për viktimat dhe familjet dhe kjo drejtësi e mohuar paraqet krim të vazhdueshëm ndaj njerëzve tanë, popullit tanë, ndaj shtetit tonë, është obligim i institucioneve vendore dhe i partnerëve tanë ndërkombëtarë që të sjellim drejtësi, të shtojmë trysni mbi Serbinë ashtu që të gjithë kriminelët që ekzekutuan dhe ata që urdhëruan masakrën e Reçakut të nxirren para proceseve gjyqësore dhe të dënohen”, ishte kjo një pjesë e deklarata e Kurtit.

    Masakra ka ndodhur më 15 Janar 1999, ku në Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. Pak kohë pas kryerjes së këtij akti barbarë nga forcat paramilitare serbe, fuqitë e mëdha ndërkombëtare vendosën për intervenimin e NATO-s në Kosovë.

Shto Koment