Politike

Shqipëria mbledh 1.15 mld €, Basha: Do sigurohemi që t’i shërbejnë për njerëzit. Braçe: Nuk preken lekët tuaja

Shqipëria mbledh 1.15 miliardë € nga Konferenca e Donatorëve në Bruksel. Menjëherë kanë nisur reagimet edhe në Shqipëri nga figurat më të larta politike.
Featured image of article: Shqipëria mbledh 1.15 mld €, Basha: Do sigurohemi që t’i shërbejnë për njerëzit. Braçe: Nuk preken lekët tuaja Ilir Meta, Lulzim Basha dhe Edi Rama

TIRANË– Shqipëria ka arritur që të mbledhë 1.15 miliardë € nga Konferenca e Donatorëve në Bruksel për rindërtimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit.  Menjëherë kanë nisur reagimet edhe në Shqipëri nga figurat më të larta politike. Pak çaste pak mbylljes së Konferencës ka reaguar kryedemokrati Lulzim Basha, i cili pasi falenderoi donatorët, u shpreh se ishte detyra e tij si opozitë që të sigurohet që paratë do të shkonin për personat në nevojë. Skeptikë për menaxhimin e parave kanë qënë edhe opozitarët e tjerë si Monika Kryemadhi e Petrit Vasili. 

Edhe kreu i shtetit, Ilir Meta ka shprehur mirënjohjen e tij për të gjithë donatorët që ofruan shuma të konsiderueshme parash për të ndihmuar Shqipërinë.  Edhe socialistët kanë qënë shumë falenderues për shumën e mbledhur nga donacionet duke paralajmëruar punë të madhe përpara.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Shqipëria ka arritur të mbledh më shumë se 1.15 miliardë € nga Konferenca e Donatorëve në Bruksel. BE, Franca, Italia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqia kanë dhënë një kontibut të majmë, po ashtu dhe vendet e tjera pjesëmarrëse kanë dhënë kontributin e tyre që arriti shifrën mbi 1 miliardë. Miliona € janë dhuruar dhe nga bankat ndërkombëtare, si grante dhe hua. Presidentja e KE pas konferencës u shpreh se nuk e lënë kurrë Shqipërinë vetëm. Rama ishte i ekzaltuar nga shuma e mbledhur dhe tha se gjithça kaloi fantazinë e tij.

(k.m/dosja.al)

  • 22:47

    Erion Braçe emocionohet nga ndihmat për Shqipërinë: Nuk lejoj asnjë abuzim me paratë tuaja

    Zv.kryeministri i vendit Erion Braçe ka reaguar gjithashu për donacionin 1.15 mld euro nga Konferenca për dëmet e tërmetit të 26 nëntorit. Me anë të një statusi në rrjetet sociale, ka falenderuar të gjitha vendet që kanë dhuruar për rindërtimin e Shqipërisë. Më tej në reagimin e tij Braçe, përmend me emër të gjitha vendet me emër, duke veçuar SHBA-në Japoninë për çdo qindarkë që dhuruan.

    Erion Braçe, zv. Kryeministër i Shqipërisë

    “Me shpirt, Shume shume shume #FALEMINDERIT! Te gjitheve, Bashkimit Evropian-lider, Presidentes se KE qe nuk na la kurre vetem, asnje dite nga termeti deri sot, Gjermanise, Frances, Italise, fqinjeve tane, Turqise e Greqise, cdo vendi te Evropes dhe Lindjes se Mesme; SHTETEVE TE BASHKUARA posacerisht qe jane gjithnje me ne, shqiptaret, JAPONISE qe eshte perhere, #MIRENJOHES per cdo cent e milione te dhuruar dhe angazhuar!

    Nderkohe, pas me shume se dy muajsh, edhe nje here shume #faleminderit cdo shqiptari qe humbi jete e shtepi, eshte ne veshtiresi prej shtatorit te vitit qe shkoi dhe eshte ne cader prej nentorit, per #DURIMIN; VUAJTJA JUAJ E KETYRE MUAJVE ESHTE PERGJEGJESI PER NE, PER MUA E CILINDO TJETER QE ISHTE ME JU, PA E JETOI TMERRIN E HUMBJES SE JETES E PAFUQISE PER TE SHPETUAR QOFTE EDHE NJE JETE ME SHUME! Nuk do tradhetoj e tradhetojme kurre duke prekur apo lejuar cdo lloj abuzimi me parate tuaja; PO, KETO JANE PARATE TUAJA, DO JENE TUAJAT PER TU RIKTHYER NJE JETE TE SIGURT E TE QETE! Tani duhet pune, edhe me shume pune, shume me teper pune, me nder, dinjitet e ne drite te diellit cdo minute, me ritem teresisht tjeter per te rimekembur Durresin, Tiranen, Krujen, Lacin e Lezhen, rimekembur destinacionin turistik ne keto ane; RIKTHYER JETEN E SIGURT E TE QETE NJEREVE, RIKTHYER EKONOMINE NE ZHVILLIM E RRITJE!”, shkruan Erion Braçe.

  • 21:05

    “FALEMINDERIT që na u gjendët”, Kryemadhi reagon për donacionet 1.15 mld euro: Të administrohen me transparencë dhe përgjegjësi të plotë!

    Monika Kryemadhi

    Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka shprehur mirënjohje për të gjithë vendet e botës që dhuruan 1.15 miliardë euro për rindërtimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit.  Kryemadhi shkruan në “Facebook” se miqtë i qëndruan në krah Shqipërisë në këto momente të vështira dhe se e gjithë ndihma duhet të shkojë pranë famijleve të pastreha.

    “Tani është koha që kjo mbështetje t’u shkojë sa më parë, në radhë të parë familjeve që janë të pastreha. Miqve nga të gjitha anët e globit FALEMINDERIT që na u gjendët pranë. Çdo euro ndihmë është e çmuar dhe duhet të administrohet me transparencë dhe përgjegjësi të plotë,“-shkruan Kryemadhi.

    Postimi i plotë:

    Miqtë i qëndruan në krah Shqipërisë në këto momente të vështira. Mirënjohje për kontributin e tyre për të ndihmuar qytetarët shqiptarë dhe infrastrukturën e dëmtuar pas tërmeteve, që goditën vendin. Tani është koha që kjo mbështetje t’u shkojë sa më parë, në radhë të parë familjeve që janë të pastreha. Miqve nga të gjitha anët e globit FALEMINDERIT që na u gjendët pranë. Çdo euro ndihmë është e çmuar dhe duhet të administrohet me transparencë dhe përgjegjësi të plotë.  Solidariteti i treguar nga vendet mike dhe institucionet ndërkombëtare kërkon seriozitet dhe angazhim të gjithanshëm! Zoti ju bekoftë të gjithëve, ju dhe qytetarët tuaj! Ju faleminderit!

  • 20:59

    Mblidhen 1.15 mld euro, Balla: Mbështetje e besim tek Rama, brenda 2020-ës do hyni në banesë më të mirë nga ajo që humbët

    Taulant Balla

    Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar pas përfundimit të Konferencës së Donatorëve në Bruksel, ku u mblodhën 1.15 miliardë euro për rimëkëmbjen e Shqipërisë pas tërmetit të 26 nëntorit. Përmes një postimi në rrjetin social facebook, Balla shpreh mirënjohje ndaj të gjithë miqve të Shqipërisë për solidaritetin e treguar. Sipas Ballës, mbështetja e madhe është besim i plotë në Planin e Rindërtimit të Kryeministrit Edi Rama.

    Kjo mbështetje kaq e madhe është besim i plotë në Planin e Rindërtimit të Kryeministrit Edi Rama: Brenda vitit 2020, çdo familje jashtë qytetit që ka humbur banesën individuale, do të hyjë në një banesë të re, më të mirë se sa ajo që ka humbur,”-shkruan Balla.

    Postimi i plotë i Taulant Ballës:

    1.15 miliardë euro për rimëkëmbjen e Shqipërisë pas tërmetit të 26 nëntorit në Konferencën e Donatorëve. Mirënjohje të gjithë miqve të Shqipërisë sonë. Kjo mbështetje kaq e madhe është besim i plotë në Planin e Rindërtimit të Kryeministrit Edi Rama: Brenda vitit 2020, çdo familje jashtë qytetit që ka humbur banesën individuale, do të hyjë në një banesë të re, më të mirë se sa ajo që ka humbur. Deri në gjysmën e parë të vitit 2020, duhet të jenë ngritur në qytetet e prekura, të gjitha kantieret e lagjeve të reja.  Shkollat, kopshtet, spitalet, qendrat shëndetësore të dala jashtë funksioni, duhet të rindërtohen nga e para deri në shtatorin e ardhshëm. Në sezonin e ri shkollor 2020-2021, fëmijët e shkollave të rrënuara, duhet ta nisin mësimin në shkolla të reja, me kushte shumë më të mira se përpara tërmetit.

  • 20:21

    Petrit Vasili skeptik për ndihmën e KE: Me rëndësi mos të shkojnë dëm

    Petrit Vasili

    Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili ka reaguar gjithashtu për shumën e donacioneve të mbledhura sot për dëmet e shkaktuara nga tërmeti.  Në Facebook, Vasili shkruan se me rëndësi është që paratë e dhëna nga aleatët të mos treten njësoj si “kripa në ujë”. 

    “Ka shumë rëndësi që lekët e donatorëve për tërmetin të mos shkojnë dëm si dhjetra milion euro të Reformës në Drejtësi që u tretën si kripa në ujë dhe prodhuan vetëm kapjen mafioze të shtetit nga Rilindja,“-shkruan Vasili. 
  • 20:09

    1.15 miliardë euro për Shqipërinë, Çuçi: Mirënjohje për jetë e mot! Na pret punë e madhe para

    Ministri fuqiplotë Bledi Çuçi ka reaguar lidhur me shumën e 1.15 miliardë eurove që u mblodhën në Konferencën e Donatorëve për rindërtimin e dëmeve të tërmetit në Shqipëri. Me anë të një postimi në Facebook, ministri i Bujqësisë shprehet se Konferenca e Donatorëve i kaloi pritshmëritë e qeverisë, ndërsa thekson se tani nis puna e kabinetit për të rindërtuar gjithë çka ka humbur gjatë 26 nëntorit.

    Na pret një punë e madhe dhe e vështirë, por unë jam i bindur se do të ringrihemi dhe do të jemi më të fortë se më parë. Me të njëjtën kurajo dhe vendosmëri që përballuam situatën emergjente do t’ia dalim mbanë edhe me rindërtimin. Faleminderit me zemër çdo shteti dhe institucioni ndërkombëtar që mbështeti sot Shqipërinë. Mirënjohje për jetë e mot!,”-shkruan Çuçi.

    Postimi i plotë:

  • 18:59

    Meta përshëndet Konferencën e Donatorëve: Mirënjohje të thellë për të gjithë kontribuesit

    Ilir Meta, President i Shqipërisë

    Presidenti Ilir Meta, ka reaguar pas Konferencës së Donatorëve, nga e cila Shqipëria ka dalë me duart plot, pasi janë mbledhur më shumë se 1 miliardë Euro. Në një reagim në Facebook, Meta shkruan se  shpreh mirënjohje të thellë për solidaritetin dhe kontributin e vendevepjesëmarëse dhe kontribuese.

    Përshëndes Konferencën e Donatorëve që po zhvillohet në Bruksel, në mbështetje të Shqipërisë, për kapërcimin e pasojave të tërmetit të nëntorit të vitit të kaluar, e njëkohësisht shpreh mirënjohjen e thellë për solidaritetin dhe kontributin e vendeve pjesëmarrëse dhe kontribuese”, shkuan Meta.

  • 18:55

    Lulzim Basha: Detyra jonë, të sigurohemi që shërbejnë për njerëzit në nevojë

    Lulzim Basha

    Kryedemokrati Lulzim Basha ka përshëndetur nga Tirana donacionet e mbledhura në Konferencë për rindërtimin e dëmeve që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit. Me anë të një statusi në Facebook, Basha ka shprehur mirënjohjen dhe falenderimin e tij për çdo vend që dhuroi para për të ndihmuar Shqipërinë. Ndër të tjera, Basha shtoi se detyra e tij si kreu i opozitës tanimë është që të sigurohet që paratë e marra të përdorën tek personat që janë prekur nga tërmeti.

    “Të gjitha donacionet ndërkombëtare për popullin shqiptar për dëmet e pas tërmetit të 26 nëntorit janë të bekuara dhe të mirëpritura. Falenderime dhe mirënjohje për çdo vend, çdo organizatë dhe çdo institucion ndërkombëtar që i gjendet pranë qytetarëve shqiptarë në këtë moment të vështirë. Detyra jonë është të bëjmë gjithçka që këto kontribute të shërbejnë vërtet për ndihmë ndaj njerëzve në nevojë. Është e rëndësishme që të nisë menjëherë puna dhe fondet të përdoren me përgjegjshmëri dhe transparencë për të ndalur  keqpërdorimin dhe abuzimin me to,“-shkruan Basha. 

Shto Koment