Sociale

Raporti/ Vdekshmëria amësore dhe foshnjore shënoi rritje në 2018-n

Sipas të dhënave që ka publikuar INSTAT në vitin 2018, vdekshmëria amësore ishte 7.3 për 100.000 lindje nga 6.3 që ishte një vit më parë.
Featured image of article: Raporti/ Vdekshmëria amësore dhe foshnjore shënoi rritje në 2018-n Foto ilustruese

TIRANË- Viti 2018 tregoi se shanset që një nënë e re të humbë jetën u rritën. Sipas të dhënave që ka publikuar INSTAT në vitin 2018, vdekshmëria amësore ishte 7.3 për 100.000 lindje nga 6.3 që ishte një vit më parë. Ky është niveli më i lartë i regjistruar që prej vitit 2011. Raporti i vdekshmërisë së nënës (MMR) përcaktohet si numri i vdekjeve të nënës në një periudhë kohore të dhënë për 100,000 lindje të gjalla, gjatë së njëjtë periudhë kohore.

Ulja e vdekshmërisë amësore është një nga Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs). Edhe pse 2018-a shënoi rritje të tij, ky tregues në Shqipëri është shumë më poshtë mesatares botërore. Vdekja amësorë është ndarja nga jeta e një gruaje shtatzëne gjatë shtatzënisë apo brenda 42 ditësh të përfundimit të shtatzënisë nga ndonjë shkak i lidhur me shtatzëninë apo menaxhimin e saj dhe jo nga shkaktarë aksidentale. Treguesi përshkruan rrezikun e vdekjes së nënës në krahasim me numrin e lindjeve të gjalla dhe në thelb kap rrezikun e vdekjes në një shtatzëni të vetme ose një lindje të vetme të gjallë.

Edhe vdekshmëria foshnjore shënoi rrije në 2018

INSTAT raportoi se vdekshmëria foshnjore ka shënuar rritje të fortë gjatë vitit të kaluar, pasi 8.9 foshnja vdiqën për 1000 lindje të gjalla. Vitin e kaluar, ky raport ishte 8.0 për 1000 lindje. Gjatë vitit të kaluar kanë lindur gjithsej 28,934 bebe, nga këto kanë humbur jetën 257 foshnja. Teksa raportoi fenomenin, INSTAT dha edhe arsyet pse po rritet numri i foshnjave që nuk mund të mbahen në jetë: “Rritja e koeficientit të vdekshmërisë foshnjore i dedikohet uljes së numrit të lindjeve në vitin 2018 prej 6,3% krahasuar me vitin 2017”.Edhe rritja e këtij treguesi e vë vendin tonë në një pozicion të keq për zhvillimin e qëndrueshëm, nivelin e varfërisë dhe në përgjithësi, në indeksin e zhvillimit njerëzor.

Marrë nga Monitor

(a.m/dosja.al)

Shto Koment