Dikur

Raporti sekret për Komitetin Qëndror: Ja kuadrot e Sigurimit të Shtetit që janë të implikuar në akte imoraliteti dhe veprimtari armiqësore

Memorie.al publikon një dokument arkivor të sigluar “Tepër sekret” që i përket datës 27 tetor të vitit 1982, ku sekretarja e parë e Komitetit të Partisë së rrethit të Beratit, Mine Guri, informon Komitetin Qëndror të PPSH-së lidhur me disa kuadro të Sigurimit të Shtetit si: Refat Nenaj, Besnik Cani, Nuri Brahimi, Miti Shyti, Halim Velçani, Merdar Hasa, Tahir Çobani, Petraq Rrushi, Seit Zeqiri, Ligor Divjaka, Kudret Çollaku, Rustem Çipi, Janaq Lila, Skënder Lika, Haki Shehu, Ramazan Muka, Sokrat Bitri, Koço Eftimi, etj, duke i akuzuar ata për akte imoraliteti, veprimtari armiqësore, agjentë të zbulimeve të huaja, shpërdorim detyre, abuzime, përvetësime, fshehje të biografisë, shfaqje nepotizmi, etj., etj.
Featured image of article: Raporti sekret për Komitetin Qëndror: Ja kuadrot e Sigurimit të Shtetit që janë të implikuar në akte imoraliteti dhe veprimtari armiqësore Anëtar të sigurimit të shtetit

TIRANË- Vetëm pak kohë pas ngjarjes së 18 dhjetorit të vitit 1981, kur kryeministri Mehmet Shehu u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit në rrethana misterioze të cilat vazhdojnë të diskutohen edhe sot, në të gjitha organizatat bazë dhe Komitetet e Partisë të rretheve në mbarë vendin u mbajtën mbledhje të gjata, ku diskutohej “nën frymën e Plenumit V të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe fjalës së shokut Enver Hoxha mbi tablonë sinoptike për armikun e poliagjentin Mehmet Shehu”. Në të gjitha këto mbledhje, siç bëhet e ditur edhe në një numër të madh dosjesh me siglën “tepër sekret” që gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit, Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes, diskutantë të shumtë që e kanë marrë fjalën aty kanë hedhur lloj-lloj akuzash, të vërteta dhe gjysmë të vërteta, me shpifje, trillime, sajesa e thashetheme, e gjithçka që u ka ardhur për shtat. Të gjitha këto në drejtim të ish-kryeministrit tashmë të vdekur, Mehmet Shehu, familjes së tij dhe atyre që konsideroheshin bashkëpunëtorë të tyre, duke përmendur me emra me dhjetëra ushtarakë dhe kuadro të lartë, nga qendra deri në bazë.

Po kështu, këto mbledhje u intensifikuan së tepërmi dhe morën një hov të madh sidomos pas tetorit të atij viti (1982), kur u arrestua dhe ministri i Mbrojtjes, Kadri Hazbiu (i cili për gati tri dekada me radhë kishte mbajtur postin e ministrit të Brendshëm), si dhe Feçorr Shehu, ministri i Brendshëm në detyrë Ashtu si dhe ndaj Mehmet Shehut, edhe ndaj Hazbiut e Feçorr Shehut u përsërit e njëjta tablo. Dhe pas përfundimit të këtyre mbledhjeve, sekretarët e organizatave bazë, Sekretarët e parë të Komiteteve të Partisë të rretheve, apo të deleguarit nga Komiteti Qendror që asistuan në ato mbledhje, kanë hartuar raport-informacionet përkatëse dhe ato i kanë dërguar në Komitetin Qendror të PPSH-së, ku ato janë parë personalisht nga vetë Enver Hoxha. Në këto kontekst të zhvillimit të ngjarjeve të asaj kohe, është mbajtur edhe një mbledhje në organizatën bazë e Komitetin e Partisë të Degës së Punëve të Brendshme në Berat, si dhe Gjykatës e Prokurorisë së atij rrethi, ku ka asistuar vetë sekretarja e parë e rrethit, Mine Guri.

Gjë e cila bëhet e ditur edhe nga ky dokument arkivor që përmban raport-informacioni i bërë me këtë rast prej saj (me siglën ‘tepër sekret’), ku ajo ka përmbledhur disa prej ‘çështjeve kryesore’ që kanë dalë dhe janë diskutuar aty. Dhe ku shihet qartë se gjithçka ka pasur vetëm një qëllim, atë të përbaltjes, denigrimit e demaskimit të personave që përfliteshin aty, duke i akuzuar ata kryesisht për imoralitet, fshehje të biografive, e lloj-lloj absurditetesh. Por që në fakt nënkuptonte dhe përgatiste terrenin për t’i akuzuar ata më pas si bashkëpunëtorë të ish-shefave të tyre, Feçorr Shehu, Kadri Hazbiu dhe Mehmet Shehu. Dokumentin në fjalë po e publikojmë me shkurtime (duke hequr vetëm pjesët propagandistike) dhe me emrat e plotë të të akuzuarve, jo me qëllim denigrimi, por për të kuptuar (kryesisht brezi i ri që nuk e ka jetuar atë kohë), se si funksiononte ai regjim i Shqipërisë komuniste i para viteve ’90-të, ku pas çdo “Grupi armiqësor” që godiste dhe eliminonte Enver Hoxha, goditeshin edhe një rreth i gjerë zyrtarësh të funksioneve të ndryshme si dhe të ëfëmr të tyre, duke u akuzuar si bashkëpunëtorë të tyre.

PARTIA E PUNES E SHQIPERISE                                       Tepër sekret

KOMITETI I PARTISE                                       

  BERAT

Prot. Ekzemplar Nr. 1

Nr. 1114.

Berat më 27.X.1982                                                                                                               

Lënda: Informacion: Mbi punimin e materialeve të Plenumit të 5-të të KQ të Partisë në organizatat e Partisë të Degës së Punëve të Brendshme dhe të Gjykatës dhe Prokurorisë.

                          KOMITETIT QENDROR TE P.P. SHQIPERISE

                                                                                                                 TIRANE

Në analizat që u bënë në orga nizatat bazë e Komitetin e Partisë të Degës së P. Brendshme dhe Gjykatës e Prokurorisë për konkluzionet e Byrosë Politike dhe vendimeve të Plenumit të 5-të të K.Q. të Partisë, nga të gjithë komunistët u shpreh solidariteti i plotë me këtë vendim të rëndësishëm e jetik të Partisë sonë. Nga diskutimi i të gjithë komunistëve u reflektua me të gjithë forcën uniteti i çeliktë rreth K.Q të Partisë dhe shokut Enver Hoxha. Ata shprehën edhe njëherë dashurinë e madhe për partinë dhe shokun Enver, me të cilët janë të lidhur të gjitha fitoret e arritura nga populli ynë në katër dekadat e fundit.

Në çdo diskutim doli se komunistët dhe punonjësit e këtyre organeve do t’i jenë mirënjohës përjetë të jetëve Partisë dhe shokut Enver, të cilët duke shpartalluar e likuiduar grupin armiqësor të Kadri Hazbiut, Feçorr Shehut dhe pasuesve të tyre, shpëtuan atdheun, popullin dhe socializmin nga rreziku që u kanosej. Në të njëjtën kohë, të gjithë dënuan njëzëri dhe me urrejtje të thellë këta armiq dhe bashkëpunë- torë të agjentit dhe armikut Meh met Shehu dhe kërkuan që ndaj tyre të jepet dënimi kapital nga drejtësia popullore.

Komunistët tërhoqën vëmendjen edhe për faktin që për disa çështje që lidhen me qëndrimet arrogante e përçmuese të Kadri Hazbiut, Feçorr Shehut e pasuesve të tyre, ndaj të tjerëve, kanë qenë të njohur e të jetuar nga komunistët, por ata nuk kanë pasur kurajë e iniciativë t’i kundërshtonin e thoshin ato në rrugë Partie ose shtetërore. Disa porosi dhe orientime të këtyre armiqve janë zbatuar verbërisht megjithëse dihej ose flitej se ato bien në kundërshtim me mësimet e Partisë e normat e parimet e saj. Në disa raste komunistët kanë ngritur probleme që lidhen me pastërtinë e figurës morale-politike të punonjësve të organeve të Punëve të Brendshme; për këtë çështje, ose nuk i është shkuar deri në fund ose janë marrë masa jo të plota.

Ndaj disa komunistëve të Degës, në kohën kur ka qenë kryetar Refat Nenaj, ka pasur hakmarrje kur ata kritikonin atë, ose sektorin që mbulonte për të cilin ai mbante përgjegjësi. Kështu, një hetues vetëm pse nuk ishte i një mendimi me të për një çështje u ul në përgjegjësi dhe u transferua në një rreth tjetër. Raste si ky ka pasur edhe ndaj shokëve të tjerë. Pavarësisht nga këto, mendimi i përgjithshëm i komunistëve është se në 4-5 vitet e fundit në Degën e Brendshme në Berat, roli i organizatës bazë të Partisë ka ardhur duke u përsosur gjithnjë e më shumë. Mbi punën me kuadrin dhe pastërtinë e figurës moralo-politike të tyre. Në zbatim të politikës së Partisë për përgatitjen, përdorimin dhe kualifikimin e kuadrit, si rezultat i veprimtarisë armiqësore dhe ndikimeve të saj në bazë ka pasur dobësi e të meta, të cilat janë reflektuar edhe në punën e përditshme. – Për përgatitjen e kuadrit u bënë vërejtje që të intensifikohet më shumë përgatitja ushtarake dhe ideo-profesionale. Është e nevojshme që me efektivin si dhe Shkollën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të zbërthehen më shumë tema për Artin Ushtarak Popullor, për vendimet dhe direktivat e Partisë për orga net e diktaturës së proletariatit, për interpretimin e ligjshmërisë socialiste e të platformës etj. – Të bëhen më shumë tema për përgatitjen ideo-profesionale të punonjësve të këtyre organeve duke përgjithësuar përvojën e grumbulluar sipas sektorëve dhe detyrave të veçanta. – Në programin e përgatitjes ushtarake të shtohen orët e stërvitjes për përgatitjen dhe qitjen luftarake. – Për të ruajtur pastërtinë e figurës së kuadrove të zbatohen në vazhdimësi porositë e Partisë për qarkullimin e kuadrove. Për këtë çështje janë bërë vërejtje se në mjaft raste nga Ministria janë mbajtur shumë kuadro pa qarkulluar ose të qarkulluar brenda një kohe të shkurtër, u rikthyen përsëri në Ministri me përkrahjen e Kadri Hazbiut dhe Feçorr Shehut Nga Ministria e Punëve të Brendshme në mjaft raste janë pranuar ose mbajtur në organet e punëve të brendshme persona me figurë moralo-politike jo të pastër. – Punëtori Operativ Nuri Brahimi, i cili ka ardhur me transferim nga Lezha, ka lidhje farefisnore të gruas me përbërje të keqe politike. – Shefi i seksionit të Sigurimit të “Qytetit Stalin”, Besnik Cani, që u emërua kohët e fundit në këtë detyrë, u mbajt në këto organe në një kohë që gjatë periudhës që ka qenë i fejuar, xhaxhai i gruas është dënuar me 25 vjet burg si agjent i zbulimit grek. Për këtë Besniku ka bërë shtojcë biografie

Punëtori Operativ, Miti Shyti ka të arratisur kushëririn e dytë nga babai. Për këtë çështje para disa vjetësh është kthyer në kandidat partie. – Shoferi i repartit të MKZ së “Qytetit Stalin”, Halim Velçani, me përbërje të keqe politike, megjithëse u pushua nga organi ynë për këtë shkak, me urdhër të Feçorr Shehut u rimor përsëri. Aktualisht, hequr kohët e fundit, ka dalë në pension. – Feçorr Shehu ka marrë në mbrojtje ish-nënkryetarin e Degës, Refat Nenaj, i cili ishte arrogant, imoral, denigrues dhe falsifikator. Feçorri imponoi Komitetin e Partisë të Degës për të mos e përjashtuar nga Partia Refatin, duke ardhur vetë në diskutimin që u bë për të në Komitetin e Partisë, në një kohë që çështjen e ndiqnin Raqi Iftica dhe Sotir Kokeri. – Është marrë në mbrojtje gjithashtu Merdar Hasa, sot kryetar i Degës P. Brendshme Gjirokastër, i cili është ndëshkuar për imoralitet e megjithatë u ngrit në përgjegjë- si. – Tahir Çobani, kunat i Feçorr Shehut dhe pjesëtar i komplotit të Konferencës së Tiranës, u transferua përsëri në Tiranë, pasi punoi dy vjet në Ballsh. – Oficeri i Degës së Punëve të Brendshme Lezhë, Petraq Rrushi, ka të dënuar vjehrrin e tij me 25 vjet burg si agjent i UDB-së. – Nga Feçorr Shehu është përkrahur Ligor Divjaka, i cili është me karakter të ulët dhe ka shkelur normat e punës, duke e transferuar nga Tropoja në Lezhë dhe më vonë në Ministri, ku është dhe sot. Është ngritur në përgjegjësi punëtori operativ Seit Zeqiri, i cili kish falsifikuar proces-kallëzimet. – Kudret Çollaku së bashku me të vëllanë, janë mbajtur oficerë në Tiranë, sepse janë krushq të Kadri Hazbiut. – Lulo Ymeri u emërua shef Hetuesie në Pogradec, në një kohë që kish kryer imoralitet në zyrat e prokurorisë të një rrethi ku shërbente. – Zëvendës shefi i Hetuesisë në Vlorë, Rustem Çipi, u rikthye përsëri në qendër pas dy vjet nga koha e qarkullimit për t’u vendosur fillimisht në një vend të rëndë- sishëm, por meqë Byroja e Komitetit të Partisë së Tiranës për biografi jo të pastër nuk e miratoi, megjithatë Rustemi u mbajt si kryehetues në Drejtorinë e Tiranës, ku është edhe sot.

Janaq Lila, i cili u shkarkua nga detyra e zëvendësdrejtorit të Policisë për shkak se e bija grisi fotografinë e udhëheqësit të Partisë në një shkollë të Tiranës, i përkrahur nga Feçorr Shehu, u mbajt pedagog në Shkollën e Ministrisë së Punëve të Brendshme. – Në Degën e Punëve të Brendshme Skrapar, në disa punonjës ka lidhje fisnore. Po kështu në Gjykatën dhe Prokurorinë e rrethit tonë, zëvendëskryetari i gjykatës dhe zëvendësprokurori janë bashkëshortë.

Skënder Lika, kryetar Dege në Peshkopi, ka pasur marrëdhënie të ngushta me Feçorr Shehun, duke pasur hyrje-dalje familjare. – Haki Shehu, kushëri i Mehmet Shehut, është transferuar, nga komandant i kampit të Bulqizës në komandant burgu në Tiranë. Gjithashtu Ramazan Muka u transferua nga Peshkopia në drejtorinë e kuadrit në Ministri. Ramazani ka lidhje krushqie me Haki Shehun. – Ish-polici i Degës së Punëve të Brendshme Berat, Sokrat Bitri, tani i arrestuar lidhur me ngjarjen e Lushnjës (Banda Xhevdet Mustafa, shënimi ynë), kur kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak, është karakterizuar nga sjellje jokorrekte, i padisiplinuar dhe imoral. Pas lirimit me kërkesë të Degës së Punëve të Brendshme të Lushnjës, këto sjellje të Sokrat Bitrit i janë bërë të njohura, por megjithatë ai u mor në shërbim aktiv si polic në atë Degë. Lidhur me Sokrat Bitrin u ngrit gjithashtu se kur ka qenë në Berat, shpesh pa leje me ndërhyrje të Koço Eftimit, ish-punonjës i Degës së Punëve të Brendshme Berat dhe tani në Drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë. Një javë para se të arrestohej Sokrat Bitri, Koçoja është takuar me të. – Në Degën e Punëve të Brendshme ka pasur raste të cenimit të figurës morale të punonjësve, të cilat u shfaqën në marrëdhëniet me popullin, në pjet alkoolike, zbutje të luftës së klasave etj. Për këtë janë marrë masa Partie dhe shtetërore të ndryshme, deri në nxjerrje në lirim.

Marrë nga Memorie.al 

Shto Koment