Politike

Raporti i OSBE/ Rama: Furtunë në gotë! Zgjedhjet, të certifikuara. Basha: Rrëzoi farsën e 30 qershorit

Raporti i dalë dje në media, pjesë e raportit final të OSBE-ODIHR, ku thuhej se zgjedhjet e 30 qershorit ishin me probleme dhe se pati presione mbi votuesit, debat në politikë. Kryeministri e cilëson një "furtunë në gotë", ndërsa për Bashën, është rrëzimi i një farse zgjedhore, siç e quan ai 30 qershorin.
Featured image of article: Raporti i OSBE/ Rama: Furtunë në gotë! Zgjedhjet, të certifikuara. Basha: Rrëzoi farsën e 30 qershorit Kryeministri, Edi Rama dhe kreu i PD, Lulzim Basha

TIRANE- Një ditë më parë në media u botua pjesë nga raporti final i OSBE/ODIHR, për zgjedhjet e 30 qershori duke shkaktuar një valë reagimesh nga politika. Kryeministri Edi Rama e ka komentuar në Twitter, raportin dhe thotë se të gjithë ata që e shohin raportin si në kundërshtim me 30 qershorin, duan të ngrenë një furtunë në gotë. Rama shprehet se raporti ka certifikuar zgjedhjet si krejt legjitime e ka dhënë rekomandime në shërbim të reformës që na duhet. Rama ka theksuar se tashmë duhet të fokusohemi tek Reforma Zgjedhore dhe tek dialogu.

Përpjekja për të ngritur një furtunë në gotë mbi Raportin e OSBE/ODHIR-it është e kotë, e gabuar dhe e dëmshme për vendin,e në radhë të parë për opozitën joparlamentare! Raporti ka çertifikuar zgjedhjet si krejt legjitime e ka dhënë rekomandime në shërbim të reformës që na duhet! Zgjedhjet e 2021 nuk janë larg për kohën që duhet për adresimin e rekomandimeve në funksion të Reformës Zgjedhore. Prandaj le të fokusohemi tek kjo reformë themelore dhe të përgatisim me frymë DIALOGU e BASHKEPUNIMI, zgjedhjet e ardhshme. Dora jonë është e shtrirë për të gjithë. Çdo vonesë e kotë sot e bën më të vështirë arritjen e një rezultati domethënës, në adresimin e problematikës së evidentuar përmes rekomandimeve. Ne presim, po koha nuk pret qytetarët tanë pa dallim, presin prej nesh të hapim një faqe të re DIALOGU e BASHKEPUNIMI për Shqipërinë.

Edi Rama, kryeministër

Postimi i Ramës në Twitter

Pak orë më vonë, në selinë blu, kryedemokrati Lulzim Basha, e pa ndryshe këtë raport. Basha tha se farsa e 30 qershorit nuk mund të fshihet dot më.  Ai ka theksuar se ky raport ngjan praktikisht si një raport për një ngjarje kriminale pasi në zgjedhjet e 30 qershorit pati shumë shkelje të ligjit. Kreu i PD-së vijoi dhe tha se raporti tregon se 30 qershori ishte procesi më problematik dhe më i pandershëm i dy dekadave të fundit. (Lexoje këtu fjalën e Bashës të plotë)

 

 

Raporti i OSBE/ODIHR e ka rrëzuar farsën e 30 qershorit në çdo aspekt.Raporti tregon se 30 qershori ishte procesi më problematik dhe më i pandershëm i dy dekadave të fundit. Për herë të parë në historinë e pluralizmit politik, kemi një raport i cili nuk flet thjesht për parregullsi teknike, apo shkelje, por për krime të mirëfillta dhe veprime të qëllimshme antiligjore të të gjithë strukturës elektorale në vend, dhe për një shkatërrim të qëllimshëm të të drejtës së popullit për të zgjedhur.Praktikisht ky është një dokument, i cili më shumë se raport zgjedhor ngjan me një raport për një ngjarje kriminale. Ky është raport që realisht përmban prova dhe fakte për të filluar hetime kriminale ndaj një sërë personash dhe institucionesh.

Lulzim Basha, kryetar i PD

Në raportin e OSBE-ODIHR theksohej se KQZ ka cënuar sigurinë juridike dhe se zgjedhjet ishin problematike. Në të shkruhej se gjatë fushatës elektorale punonjësve të administratës u është bërë presion për vendin e punës. Ky organizëm ndërkombëtar është shprehur se kriza politike ndikoi negativisht në të drejtën për të votuar, ndërsa thotë se u cënua fshehtësia e votës në disa qendra votimi. 

(J.V.F.G/Dosja.al)

Shto Koment