Ekonomi

INSTAT publikon raportin: PBB ra me 3.31% në 2020 krahasuar me 2019, sektorët kyçë të ekonomisë pësojnë rënie masive, vetëm ndërtimi rritet me 18.5%

Ajo që vërehet në pasqyrimin e shifrave nga INSTAT është rritja e madhe që ka pësuar sektori i ndërtimit në raport me bujqësinë, peshkimin, tregtinë dhe aktivitetet e tjera në vend që janë tkurrur përgjatë 2020-ës.
Featured image of article: INSTAT publikon raportin: PBB ra me 3.31% në 2020 krahasuar me 2019, sektorët kyçë të ekonomisë pësojnë rënie masive, vetëm ndërtimi rritet me 18.5% Raporti i INSTAT

TIRANË– Instituti i Statistikave (Instat), ka publikuar sot raportin me të dhënat për rritjen ekonomike dhe ecurinë e saj përgjatë 3 mujorit të 4-të të vitit 2020. Në raport, INSTAT zbulon se PBB, (Produkti i Brendshëm Bruto), u rrit me 2.99% krahasuar me vitin 2019, por në total pati një rënie me 3.31%.  Sektorët kyçë që kanë ndikuar në këtë rritje është ndërtimi, arsimi, shëndetësia dhe pasuritë imobiliare, ndërsa negativisht ka ndikuar tregtia, bujqësia dhe taksimi. Ajo që vërehet në pasqyrimin e shifrave nga INSTAT është rritja e madhe që ka pësuar sektori i ndërtimit në raport me bujqësinë, peshkimin, tregtinë dhe aktivitetet e tjera në vend që janë tkurrur përgjatë 2020-ës.

“Produkti i Brendshëm Bruto (P.B.B) në tremujorin e katërt të vitit 2020 vlerësohet me rritje prej 2,99 %, kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2019. Kontribut pozitiv kanë dhënë degët: Ndërtimi me +1,84 pikë përqindje, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me +1,01 pikë përqindje, Aktivitete të pasurive të paluajtshme me +0,52 pikë përqindje, Industri, Energji dhe Uji me +0,49 pikë përqindje dhe, Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me +0,36 pikë përqindje, Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,27 pikë përqindje, Informacioni dhe Komunikacioni me +0,24 pikë përqindje, Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi me +0.08 pikë përqindje. Negativisht kontribuan aktivitetet: Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor me -0,96 pikë përqindje, Bujqësi, Pyje dhe Peshkim me -0,49 pikë përqindje. Taksat Neto mbi produktet kontribuan negativisht me -0,37 pikë përqindje.

Degët kryesore të ekonomisë, për tremujorin e katërt të vitit 2020, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2019, shfaqen si më poshtë: Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit pati një rënie me 2,91%. Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati një rritje me 4,38 %. Aktiviteti i Ndërtimit pati një rritje me 18,48 %. Grupi i aktiviteteve Tregti,Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor pati një rënie prej 5,51 %. Grupi i aktiviteteve Informacioni dhe Komunikacioni u shfaq me rritje prej 7,15 %. Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rritje prej 11,44 %. Aktiviteti i Pasurive të
Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 8,93 %. Grupi i Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative u shfaq me një rritje prej 5,04 %. Grupi i aktiviteteve të Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë u shfaq me rritje prej 8,04 %. Grupi i aktiviteteve Arte, argëtim dhe çlodhje, Aktivitete të tjera shërbimi pati një rritje me 2,72 %. Taksat Neto mbi produktet u ulën me 2,92 %”-thuhet në raportin e INSTAT.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Për të lexuar raportin e plotë kliko këtu:

(F.g./dosja.al)

Shto Koment