Politike

Raporti i Dick Marty-t/ Boiken Abazi ngre pyetjen: Pse Kuvendi s’ka përgatitur një dosje për të gjykuar gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve?

Boiken Abazi shkruan se ishte vetëm përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Ilir Rusmaili, ai që votoi pro raportit të Dick Marty në Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, por nuk ka përjashtuar nga akuzat edhe maxhorancën aktuale.
Featured image of article: Raporti i Dick Marty-t/ Boiken Abazi ngre pyetjen: Pse Kuvendi s’ka përgatitur një dosje për të gjykuar gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve? Boiken Abazi, Lëvizja VETËVENDOSJE!

TIRANË– Kreu i Vetëvendosje në Shqipëri, Boiken Abazi ka komentuar gjithashtu ngritjen e akuzave për krime lufte ndaj ish-zyrtarëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me anë të një statusi në Facebook, Abazi shkruan se ishte vetëm përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Ilir Rusmaili, ai që votoi pro raportit të Dick Marty në Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, por nuk ka përjashtuar nga akuzat edhe maxhorancën aktuale. Në reagimin e tij, kreu i Vetëvendosjes, ngre pyetjet se përse Kuvendi nuk ka miratuar asnjë rezolutë lidhur me gjenocidin që Serbia ka bërë në Kosovë.

“Përse Kuvendi i Shqipërisë nuk ka miratuar kurrë një rezolutë, siç ka bërë Kuvendi i Kosovës, për të njohur gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë? Përse deputetët shqiptarë nuk janë përfshirë kurrë në përgatitjen e një dosjeje që dorëzohet në Këshillin e Evropës për të njohur e gjykuar gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve? Kosova nuk e realizon dot këtë gjë, pasi ka vetëm statusin e observuesit në Këshillin e Evropës,”-shkruan Abazi. 

POSTIMI I PLOTË:

E vërteta mbi votimin e raportit famëkeq të Dick Marty në Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dokumenti nr. 12462, i datës 7 janar 2011, ku votuan tre deputetë shqiptarë:

1. Damian Gjiknuri (PS) votoi kundër
2. Shpëtim Idrizi (PDIU) votoi kundër dhe mbajti edhe fjalim kundër.
3. Ilir Rusmali (PD) votoi pro.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Por historia nuk mbaron me kaq… Pas zgjedhjeve të vitit 2013, Rusmali fillon të largohet nga PD, dhe më vonë propozohet nga PS si ekspert i jashtëm në komisionin për reformën zgjedhore – ku personin më të afërt ka Gjiknurin. Rusmali kthehet në ekspertin kryesor të shumicës aktuale (PS) në Kuvend për ndryshimet e dëmshme të Kodit Zgjedhor që po konsolidojnë në Shqipëri autoritarizmin elektoral. Pas miratimit të ndryshimeve të njëanshme kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor, PS e voton tani Rusmalin, përmes Kuvendit, si pjesë të Komisionit për Ankesa dhe Sanksione (KAS) që do të menaxhojë zgjedhjet më 25 prill 2021. Në gjithë këtë kohë që ka punuar për llogari të PS, Rusmali nuk ka bërë asnjë apologji për votën e tij në favor të raportit antikombëtar të Dick Marty. Duhet thënë që as PS e as PD nuk e kanë mbrojtur si duhet UÇK-në, dhe e kanë mbështetur votimin për Gjykatën Speciale në vitin 2015, kur LVV, AAK dhe NISMA votuan kundër në Kuvendin e Kosovës.

Dy pyetje:

1. Përse Kuvendi i Shqipërisë nuk ka miratuar kurrë një rezolutë, siç ka bërë Kuvendi i Kosovës, për të njohur gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë?

2. Përse deputetët shqiptarë nuk janë përfshirë kurrë në përgatitjen e një dosjeje që dorëzohet në Këshillin e Evropës për të njohur e gjykuar gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve? Kosova nuk e realizon dot këtë gjë, pasi ka vetëm statusin e observuesit në Këshillin e Evropës.

(k.m/dosja.al)

Shto Koment