Editorial

Rama si prestigjiator elektoral

Mund t’i vësh edhe emra apo etiketime të tjera si modernist, populist apo neo-autoritarist, por mbizotëruese mbeten tiparet e prestigjiatorit në secilin prej këtyre roleve. Cirku i tij politik ka qenë i paimagjinueshëm dhe i pashoq në skenën tonë publike
Featured image of article: Rama si prestigjiator elektoral

Përgjegjshmërinë qeverisëse për efekte skenike Edi Rama e luan si pakkush tjetër. Me aftësinë e një prestigjiatori për të krijuar iluzionin e qeverisjes. Loja e tij e preferuar është ajo me imazhet dhe dukjen, e cila i shërben pikërisht për të fshehur dhe mbuluar. Njëlloj sikurse i shërben iluzionistit tërheqja e vëmendjes së spektatorit për të fshehur trukun e tij të prapaskenës! Madje sa më shumë të ketë për të fshehur aq më spektakolare është performanca e mbulimit të saj. Pa ekzagjerim apo ekstravagancë nuk ka mbulim efektiv të prapaskenës, kuptohet! Kështu zhvendoset vëmendja ndaj të gjithave trukeve, manipulimeve dhe prapësive të bëra…

Numri i radhës i kryeministrit prestigjiator me sjelljen e mistifikuar të një doze minimale të vaksinës anti-Covid, është tipike prej tij duke pretenduar madje njohje të meritave për shfaqjen e servirur, e cila vijon. Një zëvendësim i menaxhimit qeverisës me menaxhim imazhi. Njëlloj si me tragjedinë e tërmetit të cilën e menaxhoi me sentimentalizmin e telenovelave turke; përmbytjet apo aksidentet me jetë njerëzish të cilat “i zgjidh” me qoka e dorë në zemër; intervistat agresive në ekrane të cilat i përballon me “dalje nga binarët”; krizën e pandemisë në tërësi që shyqyr është në dorë të Zotit dhe kjo është edhe strategjia e tij e përballjes; skandalet, aferat si edhe protestat apo krizat institucionale e politike, të cilat i menaxhon me demonstrim simbolik të forcës së mohimit dhe deri tek fushatat elektorale që mbahen mend për ahengun dhe batutat e “one-man show”.

Kuptohet, në ka diçka për të cilën emri i Edi Ramës do të mbetet si referencë thelbësore në komunikimin politik në Shqipëri është krijimi i efekteve skenike si formë qeverisjeje. Ky është bilanci dhe trashëgimia e tij kryesore në jetën publike dhe kjo nuk mund t’i mohohet! Mund t’i vësh edhe emra apo etiketime të tjera si modernist, populist apo neo-autoritarist, por mbizotëruese mbeten tiparet e prestigjiatorit në secilin prej këtyre roleve. Cirku i tij politik ka qenë i paimagjinueshëm dhe i pashoq në skenën tonë publike dhe në këtë drejtim Rama ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm në çlirimin e kodeve të komunikimit dhe të përfytyrimit. Me shumë sukses për të si protagonist dhe me efekte pozitive ndoshta sa i përket një lloj demokratizimi në terma të imazhit.

Kur paraqitjet e jashtme dhe imazhi shërbejnë për të komunikuar në terma profesionale të PR-it dhe komunikimit politik modern, në mënyrë etike dhe legjitime, këtu do të kishim një fund të lumtur të historisë. Pothuaj të gjithë politikanët dhe qeveritë e sotme në vendet demokratike aplikojnë praktika të marrëdhënieve publike profesionale dhe strategji të komunikimit politik. Madje këto praktika i përdorin edhe regjimet më diktatoriale e shtypëse të botës së sotme, që supozohet se nuk kanë nevojë për to, sa kohë mund të qeverisin me mjete të tjera. Fasada u hyn në punë të gjithëve. Mirëpo a nuk është qëllimi ai që justifikon mjetin? Kur qëllimi është maksimalizimi i pushtetit si në rastin e Putinit dhe liderëve të tjerë në demokracitë imituese, “politika është një luftë konstante midis formave demokratike dhe substancës jodemokratike” sikurse pohojnë Ivan Krastev dhe Stephen Holmes në librin e tyre ‘Light that Failed”. Kështu ndodh që fasada demokratike në vende me demokraci gjasmuese sikurse ajo e Rusisë së Putinit dhe vendeve ish-komuniste të Lindjes, në vend që të nxisë krijimin e qeverive elektoralisht të përgjegjshme, shërben për një kombinim të rrezikshëm të demokracisë me autoritarizmin. Në të vërtetë, regjime të tilla nuk i varin shpresat as tek loja e imazhit, as tek lojërat ideologjike apo bindja etike. Kudo ku është në pushtet, populizmi nuk sundon intelektualisht, por elektoralisht. Madje edhe populizmi mediatik ose ai i krijuar përmes mediave, sikurse është rasti i Ramës. Ndaj zgjedhjet janë “lepuri” nën kapelën e prestigjiatorit politik. Trukimi i tyre mundëson fasadën dhe anasjelltas.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Tek zgjedhjet qëndron pra e gjithë loja! Rama dhe të tijtë e kanë gjithë specializimin, përvojën dhe sofistikimin e nevojshëm për ta luajtur këtë lojë sërish përpara syve tanë, duke kërkuar edhe duartrokitje në fund për suksesin apo shuplakat. Ndërsa përballon me shou dhe media vetë mediat dhe oponentët publikë, nuk është fasada por paskuinta ajo që vlen më tepër, pasi në terren kanë nisur “përllogaritjet krijuese” të votave. Njëlloj sikurse shprehen studjuesit e përmendur më lart se ndodh në regjimin e Putinit me fiksimin e rezultatit të zgjedhjeve paraprakisht përmes sigurimit dhe planifikimit të tij në terren përkundrejt një përqindje të përcaktuar nga Kremlini qysh më parë, ky është edhe skenari më i keq që duket se i ka të gjitha gjasat të jetë i mundur në rastin e vendeve që gjenden në zgrip drejt autoritarizmit, ndërsa në rastin e Shqipërisë ky skenar është edhe praktikisht më i thjeshtë duke qenë shumëfish më e vogël dhe më e menaxhueshme në terren sesa Rusia e Putinit. Të ashtuquajturit specialistë të votave bëjnë të mundur që të mos ketë surpriza elektorale, atëherë kur një regjim i caktuar ka tipare si ato që ka shfaqur tanimë regjimi i Tiranës, të cilit nuk i thotë gjë as pluralizmi partiak, as opozitarizmi, as mediat e pavarura, as transparenca publike e aq më pak liria e qytetarëve të mirëinformuar për të marrë pjesë në zgjedhjen e pushtetit.

Kjo është “demokracia e post të vërtetës”, sidomos në mjedise kulturore ku polarizimi ndërmjet demokracisë dhe autoritarizmit nuk ekziston në mendjet e zgjedhësve, pra në vendet ish-komuniste. Projekti i ri politik i Ramës i afrohet kësisoj gjithnjë e më tepër atij të një autoritaristi që demokracinë e ka fasadë njëlloj si spektaklin e tij mediatik, por objektivi i qartë është të fitojë legjitimitetin përmes ruajtjes dhe instalimit të inercisë politike ose status-quos-ë. Këtë ia mundëson ingranazhi i makinerisë elektorale, të cilën e ka plotësisht nën kontroll nëse ka vullnetin për ta bërë këtë. Kështu u projektua edhe Rusia putiniste sipas Krastev dhe Holmes, duke e bërë të pamundur për më tepër përfytyrimin e një alternative ndaj lidershipit politik të Putinit, edhe pse kjo ishte një mungesë e sajuar e alternativave.

Si edhe në shembullin e mësipërm, mund të ndodhë që nëse nuk përfytyrohet apo nuk shfaqet bindshëm një “kundërelitë” që të mund të krijojë apo të formojë një bazë të gjerë zgjedhësish, si në Rusi ku “Putini dhe rrethi i njerëzve të tij në pushtet krijuan një hapësirë politike që të dukeshin si e vetmja zgjidhje e pranueshme”. Po ashtu, autorët theksojnë se fshehja e paaftësisë për të ndërtuar ka qenë dhe mbetet në qendër të artit të të qeverisurit të Putinit, ndërsa kjo i ka mundësuar atij të ushtrojë pushtet të pakontrolluar duke përdorur madje një minimum të forcës. “Në vend që t’i përfaqësojnë votuesit, zgjedhjet e manipuluara synojnë të ekzagjerojnë efektivitin e pushtetit mbi një publik edhe të frikësuar, edhe të bindur”, – theksojnë autorët si rrezik që vjen bashkë me instalimin e këtyre regjimeve pa alternativë, pasi shpresat për “elektoratin e zgjuar nga gjumi që derdhet rrugëve për të mundur makinerinë anakronike të autoritarizmit” shpesh nuk materializohen dhe demokracia e rreme bëhet normë dhe hipokrizi e përgjithshme, ndërsa përgjegjësia e politikanëve ndaj qytetarëve përfundon si diçka iluzive dhe sa për efekte skenike. Tek e fundit magjepsja pas pushtetit është mëkati i preferuar në politikë dhe kështu mund të ndodhë që në biografinë politike të dikujt të mund të shkruhet diçka e ngjashme me atë të hungarezit jo pak të talentuar Viktor Orbanit, tanimë autoritarist i konfirmuar, që përshkruhet si “një ish-liberal, riosh energjik, i pamëshirshëm dhe i talentuar, që përfundoi peng i magjepsur pas pushtetit të tij absolut”. Ndoshta ky është edhe fati i keq i prestigjiatorëve, kur nisin e i besojnë edhe vetë realitetit të trukuar…

Shto Koment