Editorial

Rama që mbështesin ndërkombëtarët përballë Kapos që njohin shqiptarët

Ata që duan të zgjedhin një administrator të mirë pavarësisht partisë, por nuk panë programe, dhe nuk kanë ç' të zgjedhin. Çfarë do ndodhë me ata që nuk janë të bindurit e PS, me ata që, megjithese mund të mos votojnë PD dhe LSI, nuk jane gati të venë shenjen e pranimit në fletën e votimit të së ardhmes njëpartiake?
Featured image of article: Rama që mbështesin ndërkombëtarët përballë Kapos që njohin shqiptarët

Nuk ka asnjë të re që ndërkombetarët kërkojnë zgjedhje dhe stabilitet. Nuk ka asnjë të re që kriterin kryesor kanë Reformën në Drejtësi. E mbështesin edhe pse duket qartë që po dështon të ndërtojë institucione të pavarura.

U kërkohet të mbajnë qëndrim për përgjimet, harrojnë se nuk është detyrues në misionin e tyre të kërkojnë demokracinë me çdo kusht. Përpara kësaj, është stabiliteti. Në mënyrën se si e sheh Perëndimi Shqipërinë, një vend problematik që duhet ndihmuar për të mos e zgjeruar problemin, demokracia duket si luks, stabiliteti domosdoshmëri.

Nuk është as e re dhe as problematike që Komuniteti Ndërkombëtar mbështet qeevrinë.

Problemi është që Edi Rama abuzon me këtë mbështetje. Ai nxjerr flamurin e atij që do zgjedhje dhe bën votime, bën aleancë me krimin dhe paranë kundër partive konkurrente.

Futi krimin dhe paranë si pjesë të tepsisë në 2017, pasi më parë i kishte futur në administratë, duke ndare me to edhe fondet publike. I legjitimoi si partnerë politikë.

Ata funksionojnë tashmë me përfaqësuesit e tyre në parlament dhe pushtet lokal, emërojnë njerëz në administratën e lartë, kanë zëvendësuar gjithë partitë politike, aleate dhe kundërshtare të Ramës.

Rama nxjerr flamurin e atij që do stabilitet dhe e fut vendin në konflikt. Ruhet me polici, forca speciale dhe ushtri, bën zgjedhje të armatosura deri në dhëmbë, arreston eksponentë të opozitës, kërcënon kryetarin e opozitës me burg,

Presidentin me shkarkim, mediat me gjoba të rënda, gjyqtarët dhe prokurorët me Veting.

I vetëm kundër të gjithëve, ai përdor institucionet shtetërore, që tashmë i ka nën kontroll, për represion ndaj kundërshtarëve dhe kritikëve.

Jo vetëm stabilitet të brendshëm, Edi Rama nuk punon as për stabilitetin e Rajonit. Futet si sekser në pazarin e kufijve, me shpresen se pjesa e tij do vijë në rritje, si fillim pranimi i pushtetit të tij nga SHBA, sado problematik të jetë dhe, nëse gjithçka shkon siç do ai, drejtimi i një Federate të përbashkët Shqipëri-Kosovë. Është gati të jetë bashkautor i një lufte të re në Ballkan, vetëm për të marrë pjesën e vet.

Kërcënon Maqedoninë sapo, me të drejtën e vetë, kërkon të ndahet në rrugën drejt BE nga Shqiperia e ngecur. Paralajmëron se shqiptaret janë faktor i rëndësishëm që i kontrollon ai.

Integritetin, stabilitetin apo integrimin e Maqedonisë mund ta sabotojë ai , nëse guxon të shërbejë si shembull suksesi dhe të kontrastojë me qeverisjen e tij.

Ka marrë prej 5 vjetesh flamurin e Reformës në Drejtësi, ndërkohë që deri tani ka kompromentuar gjithë institucionet e reja. E nisi me KPK dhe KPA, e vazhdoi me Komisionerin Publik, pastaj me KLP dhe KLGJ. Me prokuroren e përkohshme që e shndërroi në të përhershme arriti ta shndërrojë për 1 vit e gjysmë në zyrë partie, institucionin e akuzës, që ta lehtësonte marrjen në kontroll përgjithmonë, bashkë me SPAK.

Megjithatë ka ende frikë nga drejtësia. Çdo lëvizje përpara për të ngritur një nga hallkat e drejtësisë, e bën vetëm kur ka presion ndërkombëtar. Vetëm për sytë e ndërkombëtarëve kujtohet të qeverisë. Për shqiptarët tregon hapur se nuk do t’ ja dijë.

E quan pazarin të mbyllur në 25 qershor 2017, dha lekët e mori votat. Pa detyrime ndaj askujt, përveç krimit dhe parasë, është nisur në rrugën e qeverisjes pa opozitë dhe pa institucione të pavarura.

Nuk e ka marrë përgjegjësinë e Kryeministrit, thjesht ka blerë qëndrimin në karrigen e tij. Nuk ngrihet në lartësinë e detyrës së Kryeministrit, por është gati të bëjë gjithcka për karrigen e tij.

Është mbajtësi i karriges së Kryeministrit pa marrë asnjë përgjegjësi, pa e ushtruar detyrën. Nëse do mendonte vetëm 10 sekonda si Kryeministër, do t’ i mjaftonin të pyeste: çfare do të ndodhë me ata që nuk votojnë as PD dhe as PS?

Ata që duan të zgjedhin një administrator të mirë pavarësisht partisë, por nuk panë programe, dhe nuk kanë ç’ të zgjedhin. Çfarë do ndodhë me ata që nuk janë të bindurit e PS, me ata që, megjithese mund të mos votojnë PD dhe LSI, nuk jane gati të venë shenjen e pranimit në fletën e votimit të së ardhmes njëpartiake?

Për këta ai nuk ka asnjë përgjigje, sepse është thjesht komandanti i një ushtrie militantësh, bashkëpronari i një pakice përfituesish të pasurive publike, kapoja i një bande grabitësish që e fillojnë me votën dhe e përfundojnë me strehën ku fukarenjtë fusin kokën, prijesi i një kopeje keqberësish, që si karkalecat në fushën e drithit, nuk pyesin çfarë mbetet pasi mbushin barkun.

Tani është vonë për Edi Ramën që të marrë përgjegjësitë që i takojnë. Nëse do të merrte detyrën do ta linte menjëherë karrigen.

Shto Koment