Politike

Letra e Metës për burgjet, Rama: Një njeri pranë tij foli me kriminelët, iu kërkoi të marrin në dorë situatën

Kryeministri Edi Rama akuzoi sot presidentin Ilir Meta se e kishte të programuar letrën për drejtorin e Burgjeve, Agim Ismaili të cilit i kërkonte informacion lidhur me situatën në burgjet e vendit. Rama tha se një person pranë katërshes Berisha-Meta-Basha-Kryemadhi ka folur me kriminelë dhe iu ka kërkuar të marrin në dorë situatën.

TIRANE- Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Kuvend ka thënë se para dy ditësh një person pranë katërshes Berisha-Meta-Basha-Kryemadhi ka folur me eksponentë në burgje. Pas kësaj, tha Rama, ka ardhur edhe letra e djeshme e Metës, ku i kërkonte kreu të Burgjeve që të merrte masat për të ruajtur rendin dhe sigurinë në institucionet e vuajtjes së dënimit.

“Para dy ditësh morëm informacion se një njeri pranë katërshes, ka komunikuar me persona në burgje që të marrin në dorë pjesën e tyre për revolucionin imagjinar. Menjëherë më pas del letra e presidentit të shqetësuar për situatën në burgje. Presidenti po të ishte i shqetësuar për situatën, s’duhet të kishte bërë letrën publike. Dhe e dërgoi letrën në vendin e gabuar. Po të donte informacion, do kërkonte informacion nga ministrat. Drejtorët s’janë nomenklatura e tij, pavarësisht se i duket vetja udhëheqës Suprem përkrah liderit supreme.”-tha Rama.

Deklarata e Ramës vjen një ditë pasi presidenti i Republikës, Ilir Meta i ka dërguar një letër drejtorit të Burgjeve, Agim Ismaili, të cilit i kërkonte që të siguronte burgjet e vendit, pasi kishte informacione se situata mund të tensionohej nga të burgosurit atje.

(F.g/dosja.al)

Shto Koment