Politike

Rama  homazh për Musine Kokalarin: Jetoi për t’u flijuar në emër të dashurisë për vendin, jeta e saj i përngjan djegies së ngadaltë të qiririt

Rama shkruan se ajo jetoi për t’u flijuar në emër të dashurisë për vendin.
Featured image of article: Rama  homazh për Musine Kokalarin: Jetoi për t’u flijuar në emër të dashurisë për vendin, jeta e saj i përngjan djegies së ngadaltë të qiririt Musine Kokalari

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka kujtuar sot Museni Kokalari, e cila ka qenë një shkrimtare e shekullit të XX dhe njihet si një disidente e komunizmit.  Në një postim homazh  për Kokalarin, Rama shkruan se ajo jetoi për t’u flijuar në emër të dashurisë për vendin.

Sipas Ramës, jeta e saj i përngjan djegies së ngadaltë të qiririt, që Naimi, aq i dashur e themelor për të, e ktheu në imazhin ikonik të dhënies së gjithçkaje për të gjithë. “Pionere e social-demokracisë prej zjarrit që ndez dashuria për njerëzit pa dallim, plot hir në pamje e gjithaq talent në të shkruar, Musineja u bë delja e zezë e regjimit që tek bukuria femërore shihte një arsye për të dyshuar, e tek shpirti krijues një rrezik për t’u eliminuar”, shkruan ndër të tjera Rama.

POSTIMI I PLOTË

HOMAZH! MUSINE KOKALARI, jetoi për t’u flijuar në emër të dashurisë. Jeta e saj i përngjan djegies së ngadaltë të qiririt, që Naimi, aq i dashur e themelor për të, e ktheu në imazhin ikonik të dhënies së gjithçkaje për të gjithë, si kusht për “të sjellë pakëz dritë”. Drita që rrezatoi Musineja dhe idetë e saj, i ranë ndesh errësirës që ishte gllabërim e sipër atëmot të gjithkujt që ishte ndryshe, që ngjante ndryshe e që fliste ndryshe. Vajza e bukur dhe që dha frymën e fundit kur ishte një grua e sfilitur në një pavion spitali pa histori, në Rrëshen, me 13 gusht 1983, la për historinë një ikonë me tre hipostaza: atë të vajzës së emancipuar dhe zonjë të fateve të veta, në dritën e rinisë; atë të gruas së përkushtuar ndaj përparimit të shoqërisë, me një vështrim largpamës drejt lirisë shoqërore, e njëkohësisht qasje kokëulur drejt më të dobëteve në shoqëri; atë të zonjës së lartë, kryengritëse e të papërkulur për të vërtetën e për drejtësinë edhe nën peshën e torturës dhe të kërcënimit prej asgjësimit fizik.

Pionere e social-demokracisë prej zjarrit që ndez dashuria për njerëzit pa dallim, plot hir në pamje e gjithaq talent në të shkruar, Musineja u bë delja e zezë e regjimit që tek bukuria femërore shihte një arsye për të dyshuar, e tek shpirti krijues një rrezik për t’u eliminuar. Ajo grua e sakrifikuar në altarin e dashurisë për vendin, njerëzit e për lirinë e të menduarit sidomos, u tret si qiriri për të lënë pas një kujtim frymëzues për çdo vajzë e grua të këtij vendi, e një dëshmi sa të dhimbshme aq edhe madhështore të dinjitetit njerëzor në kohën e kolerës ideologjike. #TëPAHARRUESHËM.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Kush ishte Musine Kokalari?

Musine Kokalari ka qenë një veprimtare politike e kulturore dhe shkrimtare shqiptare e shekullit të XX. Së bashku me Selfixhe Ciun dhe Jolanda Kodrën ka qenë ndër shkrimtaret e para në Shqipëri.

Më 1937 mbaroi Institutin “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas vijoi studimet në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941 me një temë diplome për Naim Frashërin. Së bashku me Mit’hat Aranitin dhe miq të tjerë, themeloi më 1943 Partinë Social-Demokrate. Më 12 nëntor 1944 iu pushkatuan pa gjyq, vëllezërit Muntaz e Vejsim Kokalari.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment