Politike

Rama pesimist për negociatat pas takimit me Merkelin: Kemi shumë pengesa, BE është bërë gjithmonë e më e ngurtë

  • Takimet e Ramës në Berlin, PD i kujton Mark Babanin: Çfarë i kujton data 4 Prill 1994
  • Rama shkruan se Merkel kishte shumë vlerësime inkurajuese dhe pozitive dhe prodispozitë për ta çuar përpara procesin e integrimit.

    GJERMANI- Kryeministri Edi Rama ka dhënë një prononcim pas takimit me Kancelaren Angela Merkel. Rama shkruan se Merkel kishte shumë vlerësime inkurajuese dhe pozitive dhe prodispozitë për ta çuar përpara procesin e integrimit.

    Shefi i qeverisë shkruan se po punon intensivisht, për aq sa mund të bëj, por është shprehur pesimist. “Jemi të  vetëdijshëm se vendimi gjithsesi ka të bëjë më pak me ne dhe me çfarë bëjmë ne dhe më shumë me vendet dhe me çfarë ato kërkojnë në radhë të parë nga BE, që, siç e ka thënë Presidenti francez, nuk funksionon me 28, si mund të funksionojë me më shumë”, shprehet Rama.

    Rama shton se procesi i hapjes së negociatave është bërë shumë më i vështirë, pasi BE është bërë gjithmonë dhe më e ngurtë dhe sipas tij ka hyrë në vështirësi të reja me vetveten.

    REAGIMI I PLOTË

    E kemi filluar ditën qysh herët sot, me këto takime dhe do të vazhdoj të takoj edhe grupe të vogla, apo individë të rëndësishëm në Bundestagun gjerman. Por, sigurisht, takimi me Kancelaren ishte ai që kishte rëndësi të veçantë dhe pa dashur të shkoj përtej asaj që mund të them për momentin, edhe në respekt të Kancelares dhe le të themi të konfidencialitetit formal të takimit, – Kancelarja pati vlerësime shumë inkurajuese pozitive dhe ajo që është më e rëndësishme, një predispozitë shumë pozitive për ta çuar përpara këtë proces dhe për të arritur në një përfundim pozitiv, që do të thotë një mbështetje e Gjermanisë për atë çka të gjithë dëshirojmë

    Megjithatë, ky është një proces. Gjermania ka një procedurë të veçantë, sepse kalon nëpërmjet Bundestagut, nëpërmjet diskutimeve në grupe. Grupet janë grupe demokratike, kanë ide të ndryshme, kanë qasje të ndryshme, kështu që me shumë durim, ne do të vazhdojmë kontaktet dhe kjo është faza kur do të bëjmë çmos që,  pavarësisht gjithë pengesave që ja kemi krijuar vetes në gjysmën e parë të këtij viti sidomos, t’ia dalim që të hyjmë në një fazë të re, krejt tjetër, të rrugës sonë europiane.

    Ne po punojmë intensivisht për aq sa mund të bëjmë. Jemi të  vetëdijshëm se vendimi gjithsesi ka të bëjë më pak me ne dhe me çfarë bëjmë ne dhe më shumë me vendet dhe me çfarë ato kërkojnë në radhë të parë nga BE, që, siç e ka thënë Presidenti francez, nuk funksionon me 28, si mund të funksionojë me më shumë, etj. dhe sigurisht në raport me opinionet e tyre publike që është një problem i mirëkuptueshëm më vete. Patjetër që një pozicion pozitiv i Gjermanisë do të thotë shumë. Gjermania është një zë, le të themi, jo si të gjithë të tjerët në familjen e Europës së bashkuar dhe ne do të bëjmë çmos që ky zë të jetë në favor të Shqipërisë.

    Një gjë është e sigurt, që, pavarësisht se nuk kemi qenë gjithmonë dakord, kemi të bëjmë me njerëz dhe me institucione që gjithmonë kanë dashur më të mirën për Shqipërinë dhe për shqiptarët pa diskutim. Kështu që jemi në një moment që atmosfera është pozitive, por duhet që të përpiqemi deri në fund dhe të përpiqemi, le të themi, që të mos marrim më sysh veten, duke u gëzuar, apo folur para kohe.

    Sigurisht që nuk bëhet fjalë për një dhuratë, bëhet fjalë për të marrë atë që na takon. Sigurisht nuk bëhet fjalë për ta mbyllur procesin, por bëhet fjalë për të hyrë në një fazë të re, me kushte në çdo hap, sepse i gjithë procesi është i kushtëzuar, duhet të përmbushësh gjithmonë disa kushte për të shkuar një hap më tutje, pastaj disa kushte të tjera, pastaj disa të tjera dhe llogaritë tregojnë se të gjithë vendet që kanë kaluar në këtë proces, i cili është bërë gjithmonë e më i vështirë, për shkak se Europa, BE është bërë gjithmonë e më e ngurtë dhe ka hyrë në vështirësi të reja me vetveten, iu është dashur të përmbushin qindra e qindra kushte.

    Takimet për Ramën në Gjermani kanë nisur me Komitetin e Çështjeve Europiane të Bundestagut dhe tanimë vijojnë me kancelaren gjermane.  Sot kryeministri do të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë në Gjermani, me qëllimin të bindë se Shqipëria është gati për të marrë statusin e vendit kandidat në BE. Në muajin tetor do të vendoset nëse do të hapen apo jo negociatat e BE-së me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Deri më tani ambasadorët e huaj dhe KE publikisht ka lobuar më shumë për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut se me vendin tonë. Bundestagu gjerman, dhe Holanda, janë shprehur kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë. Kësaj liste sipas medieve të huaja i është shtuar edhe Franca e Greqia.

    (A.B. Dosja.al)

    Shto Koment