Aktualitet

Qytetarët mund të bëjnë pazar nga ora 05:00 e mëngjesit deri në 13:00 të mesditës/ Shkodra ‘blindohet’ nga policia dhe ushtria

Orari i qytetarëve për të bërë pazar do të jetë nga ora 05:00 e mëngjesit deri në 13:00 të mesditës. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama dy ditë më parë. Ndërkohë, sot në Shkodër Dhjetëra forca policie dhe ushtrie janë të pranishme në tregjet e qytetit verior.
Featured image of article: Qytetarët mund të bëjnë pazar nga ora 05:00 e mëngjesit deri në 13:00 të mesditës/ Shkodra ‘blindohet’ nga policia dhe ushtria Edi Rama dhe masat
Përditësuar:

SHQIPERI- COVID-19 ka ‘paralizuar’ vendin, shqiptarët janë të izoluar në banesat e tyre, dhe janë të paktë ata që shkojnë në punë. Dy ditë më parë, kryeministri Edi Rama publikoi masat e reja për COVID-19 dhe deklaroi se  orari i qytetarëve për të bërë pazar do të jetë nga ora 05:00 e mëngjesit deri në 13:00 të mesditës, por jo më 60 minuta, por 90. Kreu i qeverisë nënvizoi se të gjithë qytetarët që duan të bëjnë pazare, mund t’i bëjnë ato me makinat e tyre, por vetëm, dhe me autorizimin përkatës.

Ndërsa për qytetarët që do të kapen në makinë me pensionistë apo familjarë të tjerë, do të burgosen, përveç se do iu hiqet patenta dhe do iu sekuestrohet makina. Sa i përket qytetarëve të cilët duhet të punojnë në këtë periudhë pandemie, orari i lejuar i punës është deri në orën 16:00 të pasdites dhe çdokush duhet të ketë një autorizim për të lëvizur.

Shkodra është një nga qytetet problematike, sa i përket respektimit të masave të marra nga qeveria për koronavirusin. Dhjetëra forca policie dhe ushtrie janë të pranishme në tregjet e Shkodrës, ku çdo qytetar po deklaron edhe lejen që ka marrë për të dalë nga shtëpia.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Një ditë më parë, kreu i qeverisë deklaroi se të gjitha masat drastike i kishte marrë me vetëdije, pasi ishin të nevojshme. Sakaq, numri i të infektuarve në Shqipëri ka shkuar në  383 persona dhe deri më tani janë shënuar 22 viktima. Ministria e Shëndetësisë njoftoi dje se janë konfirmuar 6 raste të reja me COVID-19. Po kështu, harta e rasteve të reja është zgjeruar  në Tiranë, Shkodër dhe Fier.

(J.V;F/G/Dosja.al)

  • 12:17

    COVID-19/ Policia me “dorë të hekurt”, iu heq patentën 20 shoferëve, gjobit edhe 230 këmbësorë

    Gjatë 24 orëve të fundit, Policia e Shtetit u ka hequr patentën dhe u ka bllokuar mjetet 20 shoferëve, pasi kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit. Ndërkohë, 230 qytetarët janë gjobitur me 10.000 lekë, pasi lëviznin në rrugë pa ndonjë arsye apo emergjencë. Po kështu, në të gjithë vendin janë konstatuar 9 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masë administrative.

    Njoftimi i Policisë:

    Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në të gjithë territorin, në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19. Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë evidentuar 20 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″. Në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit, si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga strukturat e Policisë dhe denoncimeve të ardhura nga qytetarët në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit, në 112/129 dhe Komisariatin Dixhital, janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 230 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë. Në të gjithë vendin janë konstatuar 9 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative, në bazë të nenit 3, pika 7 e Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020. Në Tiranë është proceduar penalisht shtetasi T. LL., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, pasi në kundërshtim me Aktin Normativ Nr. 3, i ka shërbyer kafe qytetarëve në dyqanin e tij “Furrë Buke Pastiçeri” dhe nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për mosushtrimin e këtij aktiviteti. Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19. 

  • 10:28

    COVID-19/ Ashpërsohen masat, kafaz hekuri tek tregu në Sarandë, qytetarët në radhë për të bërë pazar

    Një tjetër masë mbrojtëse është marrë në qytetin e Sarandës, me qëllimin që të mos përhapet COVID-19.  Në tregun e këtij qyteti, krahas shenjave orientuese bashkia ka vendosur një kafaz hekuri, ku qytetarët të hyjnë dhe të dalin tek ky treg duke respektuar rregullat. Po kështu, qytetarët duhet të qëndrojnë 1.5 metër larg njëri-tjetrit teksa bëjnë pazar.

    Për masat e marra, kryetari i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma u shpreh se ato janë për të mirën e qytetarëve.

    “Kemi marrë të gjitha masat për shkak edhe të grumbullimeve të njerëzve. Morëm masa shtesë duke vendosur rregullat dalluese respektuese për të respektuar distancën. Duke e parë situatën vendosëm që në të gjitha pikat ku ka pasur grumbullime kemi vendosur shenja orientuese, duke përfshirë të gjitha institucionet që ofrojnë shërbime ndaj qytetarëve. Këto masa në dukje shtrënguese janë për të mirën  e qytetarëve”, u shpreh ai.

  • 09:34

    Tregjet në Shkodër ‘blindohen’ nga policia dhe ushtria, qytetarët deklarojnë autorizimin, ja ç’po ndodh në qytetin verior

    Foto nga Shkodra

    Shkodra është një qarqet, ku COVID-19 është përhapur shumë  dhe konsiderohet si “vatër e kuqe” e virusit. Ndërkohë, qeveria ka ashpërsuar masat në këtë qytet, pasi ditët e fundit është rritur ndjeshëm numri i të infektuarve. Siç shihet edhe në fotot e mëposhtme, në tregjet e qytetit janë të pranishme, forcat e policisë dhe ushtrisë. Po kështu, pothuajse çdo qytetari që ka dalë për pazar, po i kërkohet autorizimi. Banorët e Shkodrës kanë filluar të respektojnë nëpër tregje edhe distacimin social. Madje,  janë të paktë në numër ata që kanë dalë sot nga shtëpitë për të bërë pazar.

Shto Koment