Aktualitet

Qeveria shqiptare jep me koncesion bregdetin e Dhërmiut, leja 20-vjeçare që përfitoi kompania “Eurocol”

Qeveria shqiptare ka vendosur në datën 19 qershor t’i japë kompanisë “Eurocol” sh.p.k të drejtën e përdorimit të brigjeve dhe të sipërfaqes përkatëse para resortit “White Rocks” në Gjilekë të Dhërmiut. Kompania që përfiton këtë të drejtë të posaçme është në pronësi të biznesmenit Pandeli Carapuli
Featured image of article: Qeveria shqiptare jep me koncesion bregdetin e Dhërmiut, leja 20-vjeçare që përfitoi kompania “Eurocol” Bregdeti i Dhërmiut

Qeveria shqiptare ka vendosur në datën 19 qershor t’i japë kompanisë “Eurocol” sh.p.k të drejtën e përdorimit të brigjeve dhe të sipërfaqes përkatëse para resortit “White Rocks” në Gjilekë të Dhërmiut, Bashkia Himarë. Propozimin e ka bërë ministrja e re e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj dhe VKM-ja parashikon të drejtë përdorimi për 20 vjet. Të ardhurat dhe tarifat si dhe kontarta përkatëse do të kalojnë për llogari të bashkisë Himarë. Baza ligjore për të bërë këtë kalim është neni 100 I Kushtetutës dhe neni 29 i ligjit nr. 55/2015 “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”.

Kompania që përfiton këtë të drejtë të posaçme është në pronësi të biznesmenit Pandeli Carapuli dhe ajo e ka marrë lejen për zhvillimin e projektit të vet në vitin 2014, pra një vit përpara sesa në fuqi të hynte ligji për investimet strategjike.

Në dokumentin e rregullores për lejen zhvillimore, miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit në vitin 2014 ndër të tjera thuhet:

Pra siç shihet zhvillimi në këtë zonë bën pjesë në një politikë të qeverisë që parashikon disa resorte që për shkak të investimit me status strategjik do të përfitojnë të drejta të posaçme. Vetëm projekti i z. Carapuli përfshin si parcelë një sipërfaqe prej 1.91 hektarë, kurse sipërfaqja e ndërtimi është 3873 m2. Në të njëjtin dokument në mënyrë gati groteske bëhet edhe ky pohim:

Zhvillimi informal dhe ndërtimet individuale janë rreptësisht të ndaluara

Çka lë të kuptosh se në pjesë të tjera mund të ketë ndërtime pa leje, ndërkohë që në Gjilekë edhe po të kesh pronën tënde të ndalohet zhvillimi i saj.

Ky është një episod i vetëm në teatrin pa spektatorë të investimeve strategjike të respektuara me ligj të posaçëm, por që nuk sollën asnjë investitor të huaj serioz. Bregdeti shqiptar sot që flasim mbetet peng i plaçkitjeve me ligj dhe pa ligj, i problemeve të shumta të pazgjidhura të pronësisë dhe të kufizimeve si ky më sipër i të drejtës për të zhvilluar pronën. Zoti Carapuli, përndryshe një biznesmen që ka çdo të drejtë të ndjekë interesat e veta është akuzuar shpesh nga opozita se qëndron afër kryeminstrit, është një klient e tij apo që përfiton në mënyrë të pambështetur. Opozita nuk përmend në të vërtetë Samir Manen që ka bërë një fshat turistik në Palasë, edhe aty me probleme të evidentuara pronësie.

Në këtë kuptim problemeve dhe dyshimeve të mëdha që dalin me kësi lloj investimesh i shtohet problemi tjetër i rolit të dyshimtë të PD-së dhe LSI-së që thonë se janë opozitë. Zoti Basha deklaron se do anulojë shumë koncesione e të tjera si këto. Pse nuk thotë një fjalë për investime të tilla, kuptohet jo me prirjen për të goditur investimin, por për të hedhur dritë mbi disa projekte që marrin shumë kollaj të drejta të posaçme në një vend ku jeton një shoqëri që nuk e ka parë ndonjëherë të drejtën e vet mbi pronën të zbatohet siç duhet.

Marrë nga ResPublika

Shto Koment