Editorial

Qeveria që mungon në krizën e tamponëve mes Shqipërisë dhe Greqisë

Vuajtja e tyre, lufta me të nxehtin dhe mungesat, kërcënimi nga sëmundjet dhe braktisja në rrugë nga dy qeveri, nëse nuk shërbeu për revoltën e  tyre, mund të shërbejë për të vërtetën tonë.
Featured image of article: Qeveria që mungon në krizën e tamponëve mes Shqipërisë dhe Greqisë

TIRANË- Një fëmijë humbi jetën sot në Bularat. Disa kilometra larg Kakavisë, ku priste radhën me familjen. Ambulanca, që lëvizte me shpejtësi për të shpëtuar një nga ata që po e humbisnin luftën me diellin përvëlues dhe mungesën e kushteve minimale, nuk mundi ta shmangë fëmijën që i shpëtoi nga duart nënën së rraskapitur. Aty, në Dropull, kjo tragjedi kulmoi një krizë të rëndë humanitare, që rëndon mbi kokat e ulura të shqiptarëve me dokumente greke.

Nuk ka zgjidhje. Kështu tha Kryeministri pas 4 ditëve heshtjeje. Është koha kështu, plani i vetëm është ai i gjeneralit – ministër i Brendshëm, nuk do lejohen më të shkojnë në Kakavijë. Ata që kanë problemin e punës, që nuk duan të rrinë një javë në karantinë, që u kthyen në atdhe se nuk bëjnë dot pa të, tani janë në kurth. Zgjidhja është që vuajtjet e tyre të mos duken për mediat.

Në të vërtetë, shpjegimi I Kryeministrit, që nuk u dha asnjë shpresë shqiptarëve të Greqisë, nuk ka asnjë lidhje me përgjegjësinë. Është një tentativë e dështuar për shfajësim, një përpjekje për t’ja hedhur me një status në Facebook, krizës që shkakton paaftësia e një qeverie inekzistente, që mund të bënte shumë.

Mund të bënte minimalisht atë që nuk po e bën pala greke, të shtojë testimet në kufi dhe në Gjirokastër. Të çonte tamponët që pretendon se I ka në dispozicion në kufi dhe të ndiqte të njëjtën procedurë si pala greke, në bashkëpunim me ta. Bëhet fjalë për një procedurë fare të thjeshtë, qytetarëve u bëhet tampon, u merren të dhënat dhe numri I telefonit dhe largohen. Nëse përgjigja del pozitive, telefonohen që të izolohen.

Nuk e bën këtë, se nuk ka tamponë, se nuk e ka vrarë mendjen asnjë sekondë për fatin e tyre, apo se nuk ka as mundësinë minimale të merret vesh me palën greke, kjo është e gjitha përgjegjësi e qeverisë. Nuk është e pandemisë. “Koha e mallkuar që po jetojmë”, nuk është vetëm për shkak të pandemisë.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Në vend të pranojë përgjegjësinë, në vend të mendojë për zgjidhjen, ndjek taktikën e lodhur të krahasimit me Perëndimin. “Dje për shembull, pika e kalimit në portin e Doverit në Britani ishte në kolaps të plotë dhe në radhë rrinin britanikët për t’u kthyer në shtëpi nga Franca, që t’i shpëtonin rregullit të sapovendosur të karantinës së detyrueshme. Plot gjysmë milioni turistë britanikë në një rendje marramendëse drejt shtëpisë”. Ky shembull është akuzë që Kryeministri ia bën vetes. Sepse që në fillim të fjalisë, sqaron se kriza në Dover, mbaroi dje. Një ditë, kaq mjaftoi që gjysmë milioni qytetarë të kalonin kufirin, ndërsa më pak se 100 mijë në 2 pika doganore, po bëjnë ditën e katërt, në kushte skandaloze, nën qesëndinë e paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë.

Nëse qeveria greke po dështon ta justifikojë me tamponët krizën që shkaktoi në kufi, për të fshehur një tjetër krizë, qeveria shqiptare dështoi ta fshehë me pandeminë, apo me Britaninë, paaftësinë për të negociuar dhe mungesën e plotë të marrëdhënieve me fqinjët, për llogari të miqësive të dyshimta.

Kur qeveria dorëzohet përpara paaftësisë së vet dhe injorimit që i bën Greqia, opozita ruhet se mos i prish qejfin aleatit Micotakis, shet hallin e qytetarëve të vet për një shkelje syri nga Athina dhe shullohet me ëndrra pushteti në oborrin e partisë, apo në vila buzë detit. Një koncesion tipik shqiptar, një marrëveshje e heshtur “më ndihmo se të ndihmova”, në kurriz të publikut.

Ata qytetarë shqiptarë, që janë shtetas grekë ose pothuajse shtetas grekë, mund të mos jenë votues vitin tjetër, mund të mos paguajnë taksa në Shqipëri, por shërbyen për të treguar se sa lehtë mund të shitet fati i tyre për interesat e një klase të degraduar politike. Vuajtja e tyre, lufta me të nxehtin dhe mungesat, kërcënimi nga sëmundjet dhe braktisja në rrugë nga dy qeveri, nëse nuk shërbeu për revoltën e  tyre, mund të shërbejë për të vërtetën tonë.

Shto Koment