Bota

Qeveria gjermane kërkon vigjilencë maksimale përballë COVID-19: Duke pasur parasysh vjeshtën dhe dimrin…

Zëdhënësi i qeverisë, Seibert foli për një numër gjithnjë e më të madh infektimesh. Ministri Spahn dëshiron të ngrejë klinika të specializuara.
Featured image of article: Qeveria gjermane kërkon vigjilencë maksimale përballë COVID-19: Duke pasur parasysh vjeshtën dhe dimrin…

Përballë rritjes së numrit të infektimeve me Corona, qeveria federale gjermane ka bërë thirrje për vigjilencën më të madhe të mundshme. Zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert tha se aktualisht kemi një numër gjithnjë e më të madh infektimesh dhe se përgjegjës për këtë nuk janë më kryesisht njerëzit që kthehen nga pushimet.

Duke pasur parasysh vjeshtën dhe dimrin, duhet menduar me kujdes çdo hap. Seibert nuk tha se çfarë do të thotë kjo për tregjet e Krishtlindjeve. Për sezonin e dimrit, Ministri Federal i Shëndetësisë, Jens Spahn dëshiron të ngrejë të ashtuquajtura klinika të specializuara dhe klinika të etheve në të gjithë vendin, të destinuara për njerëzit që, për shembull, kanë kollë, dhimbje të fytit ose simptoma të tjera tipike të Coronas. Përveç kësaj, duhet të ketë më shumë teste në seri për banorët dhe punonjësit në strehimet për të moshuarit.

Këtu është fjala për pika fokale jashtë klinikave të zakonshme ose në formën e klinikave të specializuara, shpjegoi Spahn në Deutschlandfunk. Pika të ngjashme fokale ka pasur në pranverë, kur numrat e infektimit me Corona në Gjermani arritën kulmin. Për shembull, një sallë ekspozite e papërdorur në Freiburg ose një qendër në Greifswald. Me caktimin e dritareve të sakta kohore për pacientët dhe me veshje mbrojtëse, edhe atëherë synime ishte që të parandalonin që vetë sistemi shëndetësor të bëhej burim i infektimit – për shembull përmes infektimit në dhomën e pritjes.

Ministri i Shëndetësisë tha tani se ai e përfytyron shumë mirë vazhdimin e kësaj praktike edhe përtej kohërave të Coronas, por kjo është veçanërisht e rëndësishme në këtë sezon vjeshtë e dimër.

“Niveli më i lartë i vigjilencës vlen akoma”

Sipas Spahnit, duhet të ketë masa të veçanta për të minimizuar rreziqet për grupet veçanërisht në rrezik. “Rëndësi ka që ne të vazhdojmë të mbrojmë grupet veçanërisht të rrezikuara dhe të përmirësojmë për këtë konceptet në jetën e përditshme,” tha politikani i CDU.

Kështu për shembull, testet seriale parandaluese në zona delikate, siç janë azilet e pleqve duhet të bëhen pjesë integrale e strategjisë së provave për vjeshtën dhe dimrin. “Atje duhet të parandalojmë hyrjen e virusit. Niveli më i lartë i vigjilencës vlen akoma.”

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Ministri i Shëndetësisë njoftoi më tej se dëshiron të zhvillojë më tej strategjinë për testet e Coronas në koordinim me landet federale deri në mes të tetorit. Riorganizimi i strategjisë së testimit tashmë ka nisur. Janë planifikuar teste të shpejta të antigjenit, si dhe orientime të reja për kohën e karantinës për të kthyerit nga zonat e rrezikuara.

Një e treta e të gjitha testeve në katër javët e fundit

Në katër javët e kaluara, kapaciteti i testimeve në Gjermani është rritur jashtëzakonisht shumë. Sipas Spahn-it, rreth një e treta e të gjitha testeve që nga fillimi i pandemisë janë bërë gjatë kësaj periudhe. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, janë kryer 1.12 milionë teste brenda një jave.

Në fundjavë, numri i të infektuarve u rrit në me 2.300 raste brenda ditës. Ministri i Shëndetësisë e komentoi këtë me shqetësim, por në të njëjtën kohë vuri në dukje se sistemi shëndetësor mund ta përballojë mirë situatën aktuale.

Disa qytete dhe rrethe kohët e fundit e kanë kapërcyer kufirin kritik për infektime të reja me më shumë se 50 raste për 100.000 banorë brenda shtatë ditësh. Ndër to bëjnë pjesë Mynihu, Würzburgu dhe rrethi i Cloppenburgut.

Marrë nga DW

Shto Koment