Rajoni

Qeveria e re e Kosovës dhe pasuria e anëtarëve të saj

Qeveria e re e Kosovës. Cilët janë, sa pasuri kanë dhe arsimimi i kryeministrit, zëvendëskryeministrat dhe ministrat sa pasuri kanë dhe çfarë shkollimi kanë përfunduar. Në tekstin e mëposhtëm, “Monitor” sjell detaje për kabinetin e Qeverisë Hoti.
Featured image of article: Qeveria e re e Kosovës dhe pasuria e anëtarëve të saj Avdullah Hoti

KOSOVË– Gati 70 ditë pas shkarkimit nga pozita e zëvendëskryeministrit, Avdullah Hoti ka arritur të zërë karrigen e Albin Kurtit si kryeministër i Kosovës. Të mërkurën, ai mori besimin e 61 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që të krijojë Qeverinë e re.

Hoti u zgjodh kryeministër pas shkarkimit të Qeverisë Kurti më 25 mars, kur edhe u votua mocioni i mosbesimit, i nisur nga partneri i koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës. Qeveria Hoti do të ketë 4 zëvendëskryeministra dhe 16 ministri. Kjo është një biografi dhe përshkrim i shkurtër për Avdullah Hotin, zëvendëskryeministrat dhe ministrat e qeverisë së re të Kosovës.

Hoti ka shërbyer si zëvendëskryeministër për disa javë në Qeverinë Kurti, ndërsa u shkarkua pas prishjes së koalicionit LVV-LDK. Ai ka udhëhequr në Ministrinë e Financave në mes të vitit 2014 dhe më 2017 në koalicionin qeverisës PDK/LDK. Hoti është profesor i rregullt në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, që nga viti 1998 dhe jep lëndët Makroekonomi i dhe Makroekonomi II. Nga 1999 deri në vitin 2004, ishte hulumtues në Institutin Riinvest në Prishtinë, ndërkohë ishte edhe kryeredaktor i Revistës Kontabiliteti Bashkëkohor, botuar nga Shoqata e Kontabilistëve të Certifikuar dhe Auditorëve të Kosovës.

Nga gushti 2006 deri në vitin 2007, ishte këshilltar i lartë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Kurse, nga janari 2008 deri në 2009 ishte këshilltar për ekonomi i Kryetarit të Prishtinës, dhe më pas, nënkryetar i Komunës së Prishtinës.

Profilet e zëvendëskryeministrave

Si zëvendës të Hotit janë emëruar Besnik Tahiri, Driton Selmanaj, Albulena Balaj-Halimi dhe Goran Rakiq. Besnik Tahiri do të jetë zëvendëskryeministri i parë nga AAK-ja në Qeverinë Hoti.

Tahiri ka qenë këshilltar i ish-kryeministrit Haradinaj dhe është sekretar i Përgjithshëm i AAK-së. Gjatë qeverisjes së Haradinajt ishte koordinator Nacional për Reforma Shtetërore. Ka qenë kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës në disa zgjedhje.

Zëvendëskryeministër do të jetë edhe Driton Selmanaj. Ai i është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës në vitin 2017. Selmanaj është zgjedhur dy herë deputet i Kuvendit të Kosovës. Ai ka punuar në projekte të ndryshme të shoqërisë civile, për të kaluar pastaj në LDK. Me profesion është jurist.

Edhe Albulena Balaj-Halimi do të jetë zëvendëskryeministre. Ajo ka mbajtur pozitën e drejtoreshës së një shkolle dhe asistente në një kolegj. Balaj-Halimi mban master të shkencave juridike kushtetuese, administrative ndërkohë ka qenë deputete në Kuvendin e Kosovës në periudhën e gjashtë legjislative nga 03.08.2017 në 22.08.2019. Në Kuvendin e Kosovës, ajo ka qenë pjesë e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi.

Në pozitën e zëvendëskryeministrit është emëruar edhe Goran Rakiq. Ai ka mbajtur detyra të rëndësishme edhe më parë, e më e fundit është kryetar i Mitrovicës së Veriut. Rakiq ka kryer funksionin e kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut që nga viti 2014. Ai e fitoi mandatin e dytë katërvjeçar në vitin 2017 në zgjedhjet lokale. Që nga viti 2017, ai ka qenë dhe kryetar i Listës Serbe.

Cilët janë ministrat e LDK-së në Qeverinë Hoti

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme është rikthyer nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu.

Ai ka qenë në krye të kësaj ministrie edhe gjatë Qeverisë së Kurtit, por u shkarkuar nga ish-kryeministri, për shkak të një deklarate që e kishte dhënë në mesnatë lidhur me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, nga pandemia COVID-19. Veliu është një ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, më vonë edhe udhëheqës i kësaj dege për shumë vjet. Që nga viti 1998, Veliu është pushtet, duke qenë në pozita udhëheqëse qoftë në nivelin lokal, qoftë atë qendror.

Ai ka mbajtur për tre vjet postin e ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, dy vite postin e deputetit, dhe ka udhëhequr me Komunën e Podujevës deri në shkurt të këtij viti, kur ishte emëruar në krye të MPB-së.

Ministër i ri i Infrastrukturës dhe Ambientit do të jetë Arban Abrashi. Abrashi ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin “Hasan Prishtina”, dhe Masterin e Integrimeve Europiane, në Universitetin e Sussex-it në Britani të Madhe.

Që nga viti 2008 ka pasur poste në institucionet shtetërore. Ai ka qenë ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale gjatë qeverisjes së Isa Mustafës, dhe ka mbajtur një kohë edhe postin e zëvendësministrit të Integrimeve Europiane. Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, ai kishte qenë kandidat për Kryetar të Prishtinës, por ishte renditur i dyti.

Ministër i Mbrojtjes do të vazhdojë të jetë Anton Quni. Ai ka studiuar në Akademi Ushtarake dhe ka gradën Oficer i Karrierës. Gjatë luftës së fundit në Kosovë, ai braktisi Zvicrën për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. U rreshtua në UÇK nën komandën e kolonel Ahmet Krasniqi. Me njësinë e tij, zhvilloi operacione të suksesshme ushtarake në thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, në Koshare.

Pas lufte, Quni ka shërbyer në TMK dhe FSK, dhe më pas ka qenë pjesë e Kabinetit të Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, si përgjegjës për Sigurinë Kombëtare. Nga viti 2010, Anton Quni, ka qenë deputet në Parlamentin e Kosovës. Ai u emërua si ministër i Mbrojtës në Qeverinë Kurti, dhe do të vazhdojë ta mbajë këtë post edhe në Qeverinë Hoti.

As në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nuk do të këtë ndryshime në udhëheqje. Në krye të këtij dikasteri do të vazhdojë të jetë Vlora Dumoshi. Ajo ka kryer studimet universitare në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës dhe ka përvojë mbi 20-vjeçare në fushën e arsimit, rinisë e kulturës. Nga viti 2009 deri më 2013, Dumoshi ka qenë Drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prishtinës. Ajo ka qenë edhe Shefe e Stafit të ish-kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, gjatë periudhës 2014-2017.

Pjesë e Kabinetit Qeveritar do të jetë edhe deputeti i disa legjislaturave të Kuvendit nga LDK-ja, Armend Zemaj. Ai do të udhëheqë me Ministrinë e Shëndetësisë. Zemaj ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës. Në zgjedhjet e fundit parlamentare të 6 tetorit 2019, Armend Zemaj mori 10 mijë e 567 vota, i pozicionuar si i 15-ti në listën e më të votuarve të LDK-së, sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së.

As Besian Mustafa nuk do të ndërrojë post. Ai do të vazhdojë të udhëheqë me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Studimet bachelor i ka përfunduar në Universitetin La Roche në ShBA, në drejtimet financa dhe kontabilitet, ndërsa studimet Master në Universitetin e Qytetit në Nju Jork, ShBA. Ka qenë Drejtor i Përgjithshëm në Agjencinë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë dhe anëtar i disa bordeve, ndërsa nga viti 2018 mban edhe pozitën e zëdhënësit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 6 tetor të vitit 2019 kandidoi për deputet, duke rezultuar ndër 6 më të votuarit në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ndërkohë, ministrja e deritanishme e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Hykmete Bajrami, tani e tutje do të udhëheqë në Ministrinë e Financave. Nga viti 2014 deri më 2017, ajo ka shërbyer si ministre e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Që nga viti 2010, ajo është zgjedhur si deputete e LDK-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës në katër legjislatura. Gjatë angazhimit si deputete, Bajrami ka qenë anëtare e disa Komisioneve Parlamentare, si: Komisioni për Buxhet dhe Financa dhe Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal. Në vitin 2010, Bajrami ka qenë këshilltare e Bankës Botërore, për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Studimet themelore i ka përfunduar në vitin 2000, në Fakultetin Ekonomik, Universiteti i Prishtinës, drejtimi Menaxhment dhe Informatikë, kurse studimet e magjistraturës i ka përfunduar në Staffordshire University, në Angli, në vitin 2003.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Profili i ministrave të AAK-së dhe Nismës

Në Qeverinë Hoti, politikën e jashtme do ta udhëheqë Meliza Haradinaj – Stublla. Ajo është pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ka qenë këshilltare politike e ish-kryeministrit Haradinaj. Në biografinë e saj të shkurtër në rrjete sociale, Meliza Haradinaj tregon se është këshilltare e Haradinajt, por nuk ka lidhje gjaku me të.

Në vitin 2014 ka qenë kandidate e AAK-së për deputete, ku ka marrë 2153 vota. Haradinaj – Stublla, i ka kryer studimet master në Universitetin Oxford. Vitin e kaluar, ajo është dënuar nga Gjykata për mosdeklarim të saktë pasurisë, gjatë deklarimit të saj si zyrtare e shtetit.

Ministrinë e Drejtësisë në këtë qeveri do ta udhëheqë Selim Selimi. Ai është ndër njerëzit më të afërt të Haradinajt. Ish-kryeministri e emëroi Selimin shef të stafit të tij, pas largimit të Avni Arifit, që ishte bashkëpunëtori më i ngushtë i kreut të AAK-së ndër vite.

Selimi më parë ka qenë pjesë e kabinetit të presidentes Atifete Jahjaga, si këshilltar ligjor i saj. Studimet për drejtësi i ka kryer në Universitetin e Torinos dhe në Duke University në SHBA. Ministrinë e Arsimit, AAK-ja ka zgjedhur që ta udhëheqë Ramë Likaj, që nuk ka mbajtur më parë ndonjë post politik në vend.

Likaj është profesor i rregullt në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe pritet të marrë nën drejtim një prej dikastereve që konsiderohet që ka pasur rezultatet më të dobëta në Kosovë. Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik do ta udhëheqë Blerim Kuqi. Kuçi është pjesë e AAK-së që nga viti 2009, e deri atëherë ka qenë anëtar i LDK-së.

Ai ka qenë deputet në Kuvendin e Kosovës, kryetar i Suharekës dhe ministër i Punëve të Brendshme. Pjesë e Qeverisë Hoti do të jenë edhe Skënder Reçica e Vesel Krasniqi nga Nisma për Kosovën.

Reçica do të jetë ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, post të cilin e mbante edhe gjatë Qeverisë Haradinaj. Ai a përfunduar studimet universitare në Fakultetin e Filologjisë në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane, si dhe studimet pasuniversitare në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci.

Ka qenë ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale nga viti 2017, këshilltar për Protokoll dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, në periudhën 2008 – 2014. Nga viti 2015 është anëtar i kryesisë dhe Sekretar për Marrëdhënie me Jashtë i Partisë NISMA për Kosovën.

Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë tani e tutje do të udhëheqë Vesel Krasniqi. Ai ka përfunduar studimet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës në vitin 2000, ndërsa ka mbaruar magjistraturën në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, drejtimi financat publike, në vitin 2012.

Ka qenë zyrtar i Turizmit në Drejtorinë për Ekonomi, Buxhet dhe Financa në Komunën e Malishevës, shef i Inspektoratit në Drejtorinë për Ekonomi, Buxhet dhe Financa, shef i Thesarit dhe më pas drejtor për Ekonomi, Buxhet dhe Financa në Komunën e Malishevës. Krasniqi, në qeverinë e cila udhëhiqej nga Ramush Haradinaj, mbante postin e zëvendësministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR).

Pjesë e Kabinetit Qeveritar do të jenë edhe Delibor Jevtiq, i cili do të udhëheqë në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim dhe Enis Kervan, i cili do të jetë Ministër i Zhvillimit Rajonal.

Qeveria e re e Kosovës u votua pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nëpërmjet të cilit, i ka dhënë të drejtë presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në mandatimin e Hotit për formimin e qeverisë së re.

Lëvizja Vetëvendosje, partia që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit, nuk është pajtuar as kur Thaçi ka marrë vendim për mandatarin, dhe e ka dërguar të njëjtin në Kushtetuese dhe as pas aktgjykimit të kësaj të fundit, rreth kushtetutshmërisë së vendimit të presidentit të Kosovës.

Qeveria e ish-kryeministrit Albin Kurti u rrëzua përmes një mocioni mosbesimi më 25 mars, të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në mesin e arsyeve për mocion, kjo parti përmendi dëmtimin e lidhjeve të Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara dhe shkarkimin e Agim Veliut nga pozita e ministrit të Brendshëm.

Pasuria e anëtarëve të kabinetit të Qeverisë Hoti

Sipas përllogaritjeve të dala nga raportet e deklarimit të pasurisë në Agjencisë Kundër Korrupsion, del se kryeministri Hoti ka deklaruar pasuri të paluajtshme në pronësi të përbashkët në vlerë prej 233 mijë euro, kurse para të gatshme ka mbi 2,600 euro, të cilat i ka deklaruar në emër të bashkëshortes dhe fëmijëve. Për sa u përket borxheve, Hoti thotë se ka mbi 40,700 euro detyrime ndaj personave juridikë dhe fizikë,

Vartësi i tij i parë, Besnik Tahiri në AKK ka deklaruar se ka pasuri të paluajtshme në vlerë prej 265 mijë euro, kredi në vlerë 100 mijë euro, një veturë në vlerë 16 mijë euro dhe para të gatshme në vlerë 20 mijë euro.

Driton Selmanaj, i cili është zëvendëskryeministri i dytë në këtë agjenci, ka deklaruar se ka rreth 200 mijë euro pasuri të paluajtshme, dy vetura në vlerë të përgjithshme 15 mijë e 500 euro, kursime në vlerë 2,400 euro dhe detyrime financiare në vlerë mbi 35 mijë euro.

Zëvendësministrja e tretë në Qeverinë Hoti, Albulena Balaj – Halimi në AKK ka deklaruar një pasuri të paluajtshme të përbashkët në vlerë prej 1 milionë e 364 mijë eurosh. Sipas raportit, ajo ka dy vetura në vlerë të përgjithshme 13 mijë euro, një kredi personale në vlerë mbi 4,800 euro dhe 1,800 euro kursime. Kurse, vartësi i katërt i Hotit, Goran Rakiq, i cili para se të zgjidhet zëvendëskryeministër ka ushtruar detyrën e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, në Agjencinë Kundër Korrupsion, ka deklaruar një pasuri mbi 440 mijë euro. Ai në raport nuk ka deklaruar se ka detyrime financiare, por vetëm para të kursyera në një bankë në Beograd në vlerë 50 mijë euro dhe një veturë në vlerë 10 mijë euro.

Disa nga ministrat aktualë të Qeverisë Hoti, nuk kanë ushtruar funksione publike, për të cilët mungojnë raportet e deklarimit në AKK.

Marrë nga Monitor

Shto Koment