Ekonomi

Qarkullimi ekonomik në muajin tetor ishte në të njëjtin nivel si të para një viti

Ndërsa ekonomia private duket se ka qenë në gjendje të rikuperojë shpejt, qeveria ka vijuar të shpenzojë si në kushte normale duke krijuar një deficit të lartë buxhetor.
Featured image of article: Qarkullimi ekonomik në muajin tetor ishte në të njëjtin nivel si të para një viti Foto Ilustruese

TIRANË- Të dhënat indirekte mbi konsumin të matura nga të ardhurat e qeverisë nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar apo nga të dhënat mbi importin e karburanteve sugjerojnë se gjatë muajit tetor, vendi pati një qarkullim ekonomik pothuajse të njëjtë me atë të tetorit 2019, kohë kur Shqipëria nuk ishte goditur nga kriza e dyfishtë e tërmetit të 26 nëntorit dhe e pandemisë së koronavirusit të ri.

Të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave tregojnë se të ardhurat totale buxhetore ishin në tetor 39 miliardë lekë ose vetëm 2% më pak se sa në tetor 2019. Të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, i cili mat në mënyrë indirekte konsumin dhe qarkullimin ekonomik, ishin 13 miliardë lekë me një rritje të vockël prej 0.3% në krahasim me tetorin e vitit 2019.

Gjithashtu, importi i karburanteve, i cili është një mall i domosdoshëm për qarkullimin ekonomik në tërësi, shënoi një rritje modeste si dhjetëmujor, duke sinjalizuar dëme më të vogla në ekonomi nga sa pritej. Ekonomia shqiptare u godit nga kriza e pandemisë me një rënie deri në 10% në muajt prill-qershor, muajt kryesorë të krizës. Ekonomia duket se ka qenë në gjendje të rimëkëmbet me shpejtësi.

Rikthimi i të ardhurave të buxhetit në nivelin e parakrizës ka ndodhur ndërkohë që disa sektorë kyçë të ekonomisë, të tillë si turizmi, i dëmtuar nga mbyllja e kufijve dhe nxjerrja e mineraleve që është goditur nga rënia e çmimeve të lëndëve të para në tregun ndërkombëtar, vijojnë të vuajnë pasojat e krizës.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Por ndërsa të ardhurat e buxhetit janë rimëkëmbur, qeveria dukshëm nuk ka ndërmarrë ndonjë përpjekje serioze për të kufizuar shpenzimet. Kjo vërehet në veçanti te zëri i shpenzimeve operative dhe të mirëmbajtjes, të cilat, pavarësisht se administrata publike ka qenë pushim për muaj me radhë, këto shpenzime kanë rrjedhur njësoj si para pandemisë.

MARRË NGA REPORTER.AL

(I.A/dosja.al)

Shto Koment