Aktualitet

Pusi ku lahen paratë e pista! Vrasja zbuloi ç’bëhej me pajisjet Bitcoin: A ishin të ligjshme kriptomonedhat e bandës së “5 Majit”?

Sipas studimeve të bëra nga Reuters dhe WallStreet Journal, digjitalizimi i parave është “pusi ku lahen paratë e pista”. Transaksionet e kryera në Bitcoin janë anonime, aty nuk ka identitete, nuk ka orë, datë dhe as vlerë publike.
Featured image of article: Pusi ku lahen paratë e pista! Vrasja zbuloi ç’bëhej me pajisjet Bitcoin: A ishin të ligjshme kriptomonedhat e bandës së “5 Majit”? Pajisjet e Bitcoin

Mbrëmjen e 10 majit në zonën e “5 Majit” në kryeqytet, ku mbeti i vrarë 27-vjeçari Mehmet Qema, përvec pistoletës, tre gëzhojave dhe makinës së braktisur që formuan skenën e krimit për policinë, një tjetër objekt doli “gabimisht” në skenë: një makineri që prodhon kriptovaluta (policia përmend monedhën digjitale Bitcoin). Në vendngjarje shkuan agjentë të Krimit Ekonomik dhe ekspertë nga OSHEE, pasi prodhimi i kriptomonedhave shpenzon energji në masë të pajustifikueshme). Por deri tani autoritetet nuk pohojnë dhe as mohojnë se këtu bëhej fjalë për aktivitet të paligjshëm lidhur me pajisjet.

Ndonëse deri tani, mbi të rinjtë rëndojnë akuzat e “vrasjes me dashje”, “armëmbajtjes pa leje”, “moskallëzim krimi” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, mbajtja e këtyre mjeteve dhe prodhimi i kriptomonedhave përbën shkelje ligjore në Republikën e Shqipërisë, nëse nuk ke licencë përkatëse.

Sipas ligjit nr 66/2020 miratuar shtatorin e 2020-s, “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” përcaktohet se prodhimi i kriptomonedhave lejohet nga operatorë të certifikuar dhe autorizuar të bursave apo të menaxherëve të kriptovalutave. Gjithashtu ligji ndalon mbledhjet e kapitalit nga bizneset përmes kriptovalutave të reja pa autorizim.

Burime të Gazetës “Si” tregojnë se në fakt, grupi i djemve të përfshirë në ngjarjen në zonën e “5 Majit” kishin kohë në rrjetin e monedhave virtuale dhe ruanin në to një vlerë prej mbi 1 milionë eurosh. Këtë veprimtari ata e kishin nisur më herët në Britaninë e Madhe ku lëviznin prej disa kohësh dhe më pas e kishin zhvendosur në ambjentet e kafenesë së marrë me qira nga i akuzuari për vrasje, Marius Dema.

Të njëjtat burime tregojnë se i ndjeri Qema operonte në këtë aktivitet edhe në shtetin anglez nga ku kishte krijuar financa personale më shumë se të qëndrueshme. Burimet pohojnë se djemtë njiheshin edhe për lidhjet e ngushta shoqërore me shumë personazhe publike në vend.

Zbulimi i aparaturave ndërkohë ka vënë në pikëpyetje edhe sistemin e sigurisë apo atë të kontrollit të agjencive ligjzbatuese në Shqipëri, të cilat dështuan në pikasjen e një aktiviteti të paligjëshme, lehtësisht të dallueshëm. Kjo, pasi blloqet e transaksioneve të kriptomonedhave shpenzojnë shumë energji elektrike, rreth 121.36 TeraWatt në një vit, që është më e lartë se energjia e shpenzuar nga i gjithë shteti i Argjentinës. Policitë e vendeve evropiane kur kanë zbuluar mjedise ilegale të prodhimit të kriptomonedhave, kanë parë ambjente të përshtatura në mënyrë termike që të mos shpërndajë nxehtësi. Por siç shihet edhe nga fotot e shpërndara nga policia, aty ishte një dhomë e zakonshme shtëpie. Ekspertët e OSHEE-së në vendngjarje nuk bënë asnjë deklaratë apo raportim nëse aty kishte abuzim apo nëse çdo gjë ishte në përputhje me ligjin.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Agjentët e Krimit Ekonomik gjithashtu nuk kanë bërë asnjë deklaratë për ngjarjen ku një grup të rinjsh kanë qenë të armatosur dhe në zotësi të pajisjeve qindra mijëra dollarëshe për të krijuar monedha të decentralizuara.

Tregu i kriptovalutave është ende një risi në botë dhe aq më shumë në Shqipëri, ku mungojnë strukturat e mirëfillta kontrolluese.

Sipas studimeve të bëra nga Reuters dhe WallStreet Journal, digjitalizimi i parave është “pusi ku lahen paratë e pista”. Transaksionet e kryera në Bitcoin janë anonime, aty nuk ka identitete, nuk ka orë, datë dhe as vlerë publike. Miliona euro mund të futen aty, në mungesë autoriteti rregullues askush nuk të kërkon llogari për burimin e këtyre parave dhe për sasinë e monedhave në posedim. Pra, lehtësisht e manipulueshme. Nga një monitorim i WallStreet Journal, në vetëm 46 këmbime u futën 88.6 miliardë dollarë të pista, por tashmë të sigurta dhe të lara. Në raport, vendet nga të cilat futen shumica e transaksioneve janë Kina dhe Europa Lindore. Zakonisht shkarkimet e para bëhen nëpërmjet disa kompanive financiare në Zvicër që garantojnë konfidencialitetin e klientëve.

Një ndër kambistët më të njohur në Tiranë, që kërkon t’i ruhet anonimiteti, thotë për Gazetën “Si” se në fakt shqiptarët nuk kanë nevojë të kontraktojnë me vendet e huaja kur kjo gjë mund të kryhet pa problem në Shqipëri, sigurisht në fshehtësi. Sipas tij, në Shqipëri emetohen prej disa kohësh monedhat digjitale, ndërsa ka një interesim në rritje për këtë fushë.

Marrë nga GazetaSI

Shto Koment