Blog

Pushtimi i butë turk

E megjithatë fakti është që prej 15 korrikut 2019, pa dijeninë e ERTV në parkun e Liqenit të Tiranës, u inaugurua “Rruga e Dëshmorëve të 15 Korrikut” dhe “Parku i Demokracisë së 15 Korrikut”. Në pritje të historianëve të diskutojnë çështjen dhe qytetarëve të angazhuar ta ankimojnë atë…
Featured image of article: Pushtimi i butë turk Jeta Dedja

Pse habiteni që ca vasalë që shërbejnë në Shqipëri lejuan vendosjen e memorialit të 251 viktimave të rënë më 15 korrik 2016 për të mbrojtur pushtetin e Erdoganit nga grushti i shtetit në Turqi ? Prej vitesh vendi ynë i ka lënë vend Turqisë të rritet e të shtrijë degë në çdo sektor të jetës së vendit. Aq më tepër që sulltani Erdogan ka një vend të veçantë në zemrën dhe axhendën e Kryeministrit Rama.

Turqia filloi butë-butë pushtimin e Shqipërisë sapo muret tona me botën e jashtme u shembën pas rënies së regjimit diktatorial. Të gjithë i mbani mend kolegjet turke të cilat joshën prindërit me oferta për arsim të fortë e cilësor. Njëlloj joshën edhe shtetarët t’u ofronin trajnim ushtarakëve në akademitë turke të rendit e mbrojtjes. E po ashtu plot intelektualë duke u sponsorizuar botime, udhëtime e specializime, në këmbim të heshtjes ose propagandës indirekte në rast nevoje. Ndikimi turk u shfaq më tej në shëndetësi. Shpërthyen spitalet, klinikat dentare e estetike. Për të vazhduar me kompanitë private turke të cilat fitonin tendera në Ministrinë e Transportit të çdo qeverie. E freskët fare është Air-Albania, një kompani turke në fakt që ka rënë dakord t’i quajë avionët me emra poetësh ose rilindasish shqiptarë. Akoma, Ministria e Infrastrukturës e Energjisë jo më larg se vitin e shkuar ia dha minierën e Vlahnës në Kukës, Shoqërisë turke “Vllahen Mining”. Sërish turqit janë ata që kanë kontrollin e komunikimit, përmes Çalik Holding dhe Turk Telecom që zotërojnë 76% të aksioneve të ALBtelecom, duke theksuar që Çalik Holding është aksioneri i vetëm i Bankës Kombëtare Tregëtare.

Ka ndonjë sektor tjetër që mungon? Sigurisht. Është jeta e përditshme. Turqinë e kemi të pranishme në ushqime e tryezat tona, në rroba e çanta, parfume e këpucë.

Është kultura. Përmes televizioneve që transmetojnë telenovela, shqiptarët po ushqehen dita-ditës me zakonet e traditat turke. Të ngulitura prej shekujsh në memorien kolektive, nuk është aspak e vështirë ringjallja ose rifreskimi i tyre. Ndërkohë, donatorë turkë si Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, TIKA po kujdesen të restaurojnë xhamitë monumente kulture në Berat, Tiranë e Gjirokastër.

Duke konsideruar të gjitha këto, ambasadori i Turqisë në vendin tonë Murat Ahmet Yörük njofton se në Shqipëri operojnë rreth 435 kompani turke. Me një llogari të thjeshtë, konkludojmë se Turqia është investitori dominant në Shqipëri, ashtu siç është po aq i rëndësishëm në Kosovë përmes ndërtimit të xhamive e shkollave. Me një shifër të tillë investimesh e pranie turke, Erdogani ka garantuar çdo kërkesë a urdhër qoftë drejtuar qeverisë shqiptare.

Të merremi vesh. Nuk është keq që një vend të ketë bashkëpunime me një vend tjetër, e të përfitojë investime që ndihmojnë ekonominë. Megjithëse kam shumë rezerva për cilësinë turke në Shqipëri, siç nuk kam për cilësinë turke në turizëm në Turqi. Por në momentin që dalin ca urdhra që cënojnë integritetin e një kombi atëherë kemi të bëjmë me një pushtim të vërtetë, jo me shpatë e jataganë, por invazion kulturor. Vendosja e memorialit afektoi integritetin e Shqipërisë, pavarësinë e popullit. Një kryetar Bashkie si rrallë ndonjëherë i kujdesur për diskrecion mediatik pranoi e bëri fakt diçka që shumica e banorëve dyshoj se do ta miratonte. Pse pranoi Kryetari i Bashkisë? Për të përfituar 251 rrapet në këmbim apo sepse ai dhe eprorët e tij janë shumë të vegjël para një sulltani me vasalë të përkushtuar në Ballkan ?

E megjithatë fakti është që prej 15 korrikut 2019, pa dijeninë e ERTV në parkun e Liqenit të Tiranës, u inaugurua “Rruga e Dëshmorëve të 15 Korrikut” dhe “Parku i Demokracisë së 15 Korrikut”. Në pritje të historianëve të diskutojnë çështjen dhe qytetarëve të angazhuar ta ankimojnë atë…

 Marrë nga Flasshqip

Shto Koment