AktualitetFactcheck

Punimet në aeroportin e Kukësit, Balluku sqaron “gafën” dhe ngatërrohet më keq (VD)

Nga takimi “Bashkia që duam”, Balluku teksa fliste e ekzaltuar për nisjen e punimeve në aeroport u shpreh se punimet do të mbyllen brenda 12 muajve. Por pak orë më vonë teksa shkoi dhe inspektoi punimet afati i punimeve u rrit dhe me 12 muaj të tjerë.  

TIRANË- Në aeroportin e Kukësit sipas qeverisë kanë nisur punimet, ndërsa opozita kundërshton duke thënë se puna nisi vetëm për show. Por në valën e replikave dhe kundër replikave, ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku ka bërë dy deklarata që bien ndesh me njëra-tjetrën.

Të dyja deklaratat janë bërë nga Kukësi, ku një pjesë e qeverisë u zhvendos aty për një sërë aktivitetesh që janë mbajtur ditët e fundit.  Nga takimi “Bashkia që duam”, Balluku teksa fliste e ekzaltuar për nisjen e punimeve në aeroport u shpreh se punimet do të mbyllen brenda 12 muajve.

Siç thamë, aty kanë nisur punimet dhe vetëm në 12 muaj do ketë përfunduar gjithçka. Shtimi i pistës për t’u bërë një pistë e denjë për fluturime ndërkombëtare”, u shpreh ajo. Por pak orë më vonë teksa shkoi dhe inspektoi punimet afati i punimeve u rrit dhe me 12 muaj të tjerë.  

Pjesë nga dialogu me Ramën gjatë inspektimeve

Rama: Sa do zgjasin punimet?

Balluku: 24 muaj, është vendosur që të gjitha ndërtesat ekzistuese do të shemben për të ndërtuar një terminal të ri modern dhe me efikasitet të plotë. Puna nuk zgjat më shumë se 24 muaj.

Rama: Jo do ta bëjmë më përpara, duhet të përfundoni para 24 muajve.

Për këto deklarata që janë në kundërshtim me njëra-tjetrën ministrja e Infrastrukturës ia hedh fajin atyre që i lexojnë. Në një reagim në mediat sociale, Balluku shkruan se dhe mbi këtë punë të mirë është hedhur baltë dhe përpiqet të shpjegojë gabimin në afatet e punimeve.

“Baltë mbi çdo punë të mirë,çdo projekt që gjeneron punënësim e mirëqënie për cdo shqipëtar. Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit është realitet. Punimet civile do të zgjasin 12 muaj dhe dorëzimi për operim 24 muaj. Kush e ka të paqartë këtë? Askush, thjeshtë pak baltë edhe për sot”, postimi i Ballukut.

Aeroporti i Kukësit është një premtim i Kryeministrit Edi Rama, i cili në takimin e fundit u dha fjalën kuksianëve se shumë shpejt nga ai qytet do të nisen avionët e parë.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment