Rajoni

Publicisti Veton Surroi: Ende nuk është kuptuar situata dramatike me COVID-19 në Kosovë, Italia e Gjermania kanë shumë më pak raste të reja… shteti s’u mor me testet por me Serbinë

Surroi thotë se më 13 korrik vendi kishte 187 raste të reja, ndërsa Gjermania apo Italia, vende me popullatë shumë më të madhe se Kosova, kanë patur raste më pak.
Featured image of article: Publicisti Veton Surroi: Ende nuk është kuptuar situata dramatike me COVID-19 në Kosovë, Italia e Gjermania kanë shumë më pak raste të reja… shteti s’u mor me testet por me Serbinë Veton Surroi

PRISHTINË- Publicisti Veton Surroi ka ngritur sot shqetësimin se Kosova po përballet me një situatë tejet të vështirë përballë virusit COVID-19. Në një postim në rrjetet sociale, Surroi thotë se më 13 korrik vendi kishte 187 raste të reja, ndërsa Gjermania apo Italia, vende me popullatë shumë më të madhe se Kosova, kanë patur raste më pak. Ndërsa Kosova, thotë ai ka një tjetër bilanc negativ edhe përsa i përket numrit të testeve, pasi vëmendjen që do të duhet ta kishte tek shëndetësia e pati tek debati me Serbinë.

POSTIMI I PLOTË I VETON SURROIT:

Ende nuk është kuptuar se sa është dramatike situata me COVID-19 në Kosovë.
Më 13 korrik në Kosovë ka pasur  187 raste të reja të infeksionit. Në të njëjtën ditë, Italia dhe Gjermania kanë pasur  në numra absolut MË PAK raste të infeksionit. Italia, me popullatë 33 herë më të madhe ka pasur 169 raste të reja,  Gjermania me popullatë 46 herë më të madhe ka pasur 159 raste të reja. 

Ka edhe më keq: Italia bën 99 teste për një mijë banorë e Gjermania 76. Kosova për momentin nuk mbërrin të bëjë as një të katërtën e një testi për një mijë banorë.
Kosova, gjatë gjysmës së parë të vitit e zuri veten duke promovuar si tema parësore natyrën e tregtisë me Serbinë –me apo pa taksa, me apo pa reciprocitet-dhe matësin e dashurisë ndaj Amerikës apo kësaj administrate amerikane.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Në ASNJË pikë debati mbi drejtimin që ka marrë vendi nuk është shtruar si parësore çështja e shtrirjes dhe rritjes së numrit të testeve dhe ka të ngjarë që vendi në pjesën e dytë të vitit sërish të zihet me tema parësore tjera-negociatat, Gjykata speciale e kështu me radhë. Por, shembja shëndetësore, sociale, ekonomike dhe e sigurisë së vendit është lehtë e parashikueshme nëse nuk bëhet ndryshim dramatik në trajtimin e COVID-19.

Situata me COVID-19 në Kosovë është e rëndë. Deri më tani në gjithë territorin e Kosovës janë infektuar me Covid-19 4.931 persona, nga të cilët 102 kanë ndërruar jetë, që prej fillimit të shpërthimit të pandemisë. Ndërkohë që 304 pacientë me Covid-19, janë të shtrirë në QKUK dhe spitale.

(F.g/dosja.al)

Shto Koment