Rajoni

Publicisti në mbrojtje të të dërguarit special për dialogun Kosovë-Serbi/ Veton Surroi: Mos e fajësoni Lajçakun!

Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale Surroi thotë se faji nuk është i Lajçakut por gjithçka ka filluar në kohën  kur kryeministrat e Kosovës kanë nënshkruar marrëveshjet në Bruksel në 2013 dhe 2015, marrëveshje të cilat duhet të zbatohen.
Featured image of article: Publicisti në mbrojtje të të dërguarit special për dialogun Kosovë-Serbi/ Veton Surroi: Mos e fajësoni Lajçakun! Veton Surroi

KOSOVË- Publicisti, Veton Surroi, ka thënë që i dërguari i special për dialogun Kosovë Serbi Miroslav Lajçak, nuk duhet të fajësohet për deklaratat e tij për ndryshimin e Kushtetutës. Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale Surroi thotë se faji nuk është i Lajçakut por gjithçka ka filluar në kohën  kur kryeministrat e Kosovës kanë nënshkruar marrëveshjet në Bruksel në 2013 dhe 2015, marrëveshje të cilat duhet të zbatohen. Ai thekson se gjendja mund dhe duhet të tejkalohet, por kërkon maturi, diplomaci dhe unitet.

Postimi i Plotë:

MOS E FAJËSONI LAJÇAKUN

Nuk i bën mirë vendit që brengosja kolektive me negociatat me Serbinë të transformohet në energji negative drejtuar lehtësuesit evropian M.Lajçak. Ai po konstaton gjendjen faktike të trashëguar nga marrëveshjet e nënshkruara mes kryeministrave të Kosovës dhe kryeministrit e presidentit të Serbisë në Bruksel. Gjendja faktike është kjo:

Kryeministri i Kosovës (Thaçi) ka nënshkruar në prill të vitit 2013 marrëveshjen për themelimin e Bashkësisë së komunave serbe. Dokumenti i nënshkruar parasheh një rrafsh të tretë të pushtetit.

Kryeministri i Kosovës dhe ekipi i tij negociator poashtu kanë nënshkruar planin për zbatimin e marrëveshjes. Elementi i parë i zbatimit është “adaptimi i kornizave juridike” në mënyrë që obligimet e marra të zbatohen. Kjo do të thotë se Kosova ka pranuar se duhet ta ndryshojë kornizën e vet juridike në mënyrë që të futet Bashkësia e komunave serbe në të.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Kuvendi i Kosovës me votën e dy të tretave të deputetëve të tij e ka ratifikuar këtë marrëveshje; pra ka ratifikuar obligimin e marrë nga Thaçi për themelimin e Bashkësisë së komunave serbe si rrafsh i tretë i pushtetit , mes atij qendror dhe atij vendor.

Kryeministri i Kosovës (Mustafa) , në bazë të obligimeve të pranuara nga kryeministri paraprak dhe nga Kuvendi i Kosovës ka nënshkruar më 2015 një marrëveshje që është në vijimësi të asaj të vitit 2013, e që përshkruan parimet e ndërtimit të autonomisë territoriale të serbëve në Kosovë.

Formulimin se do ndryshuar Kushtetuta nuk e ka bërë Lajçaku. E kanë bërë nënshkruesi i Marrëveshjes së vitit 2013 dhe Kuvendi i Kosovës, me dy të tretat e votave të veta.

Ky është tashmë problem evident (dhe i radhës) për Kosovën , dhe nuk zgjidhet duke hedhur dru mbi Lajçakun apo ndërmjetësit e mëhershëm. Nuk zgjidhet as duke hedhur dru mbi njëri tjetrin në Kosovë. Gjendja mund dhe duhet të tejkalohet, por kërkon maturi, diplomaci dhe unitet.

(A.k.dosja.al)

Shto Koment