Blog

Pse studentët duhet të jenë kundër spiunimit të pedagogëve

Kjo ide jo vetëm që nuk zgjidh korrupsionin në universitete, por krijon një situatë problematike tashmë jo më prej pedagogëve apo prej burokracisë së Fakulteteve por nga vetë studentët.
Featured image of article: Pse studentët duhet të jenë kundër spiunimit të pedagogëve Foto ilustruese

Një nga pikat kryesore të kërkesave të studentëve në Dhjetor ishte Vetingu Akademik. Vetingu Akademik qe nje mekanizëm ligjor, i krijuar mbi dëshirën e studentëve protestues për të kontrolluar formimin akademik të pedagogëve të tyre. Ky mekanizëm krijonte bazën e nevojshme ligjore dhe institucionale për rritjen e cilësisë në mësimdhënie. Përpos debateve mbi rëndësinë e kësaj pike dhe efektit që pati në zhvillimin e protestës, nuk mund të mohohet se Vetingu Akademik ishte një kërkese që ngrihej mbi argumenta ligjorë e që mbi të gjitha plotësohej përmes ndryshimeve ligjore apo implementimit të një ligji të ri të miratuar nga institucionet shqiptare. Ajo cfare pushteti synoi të bëntë atëbotë, kur studentët mbushën sheshet dhe bllokuan fakultetet, ishtë ritrajektorizimi i mllefit studentor nga ekzekutivi drejt titullarëve të Universitetit dhe pedagogëve të tij. Sot kur frika e rikthimit të protestave studentore është eminente, propaganda synon ta mbajë stuhinë e pritshme brenda gotës së Universitetit, ku ustallarët e përcarjes mund ta menaxhojnë sipas dëshirës dhe eventualisht ta shuajnë atë.
Ideja e sotme spiunimit të pedagogëve që kërkojnë para apo seks, në këmbim të bursave studentore është larg kërkesës naïve e plot idealizëm të studentëve per Veting Akademik. Përkundrazi, kjo ide e paraqitur sot nga kreu i ekzekutvit shërben si vazhdë e strategjisë së “përmbajtjes” së urrejtjes së krijuar prej kalbësisë universitare.

Kjo ide jo vetëm që nuk zgjidh korrupsionin në universitete, por krijon një situatë problematike tashmë jo më prej pedagogëve apo prej burokracisë së Fakulteteve por nga vetë studentët. Në muajt e parë të jetësimit të kësaj gjetjeje gjeniale, do të kemi me dhjetra në mos me qindra raste fiktive studentësh të inatosur që denoncojnë pedagogët e tyre në portalet online të qeverisë vetëm prej faktit se dalin dobët në provime apo kolegiume. Do të kemi goditje politike pedagogësh që refuzojnë të punojnë nën kudhrën politike e ideologjike të pushtetit. Do të kemi me patjetër dhe rastet kur studentët mbushin me zell listat e pedagogëve me njollë vetëm e vetëm për të fituar një vend të rëndësishëm në lajmet kryesorë të ditës apo hapësira në programin e punësimit të ekselentëve në administratë.

Mjafton të hëdhësh sytë pas në kohën e diktaturës për të parë rrjedhojat katastrofike që metoda të tilla denoncimi kanë në shoqërinë shqiptare. Informatorët që raportonin në zgëqet e Sigurimit të Shtetit paguheshin 80 leke për shërbimet e tyre me justifikimin se mbronin Atdheun nga krimet e armikut të brendshëm. Pak kush e kuptonte në atë kohë se krimet që dënoheshin ishin ato të ndërgjegjes dhe nuk kishin kurrfarë rrezikshmërie shoqërore, përkundrazi ato tregonin se shoqëria jetonte ende disa xhepa lirie jashtë kontrollit propagandistik të rregjimit. Njerëzit që spiunonin trajtoheshin nga media e kohës si heronj të heshtur që ruanin paqen e brendshme dhe lumturine popullore të Atdheut Socialist. Veprat penale që njollosnin përjetësisht jetën e të dënuarit ishin krimet e tmerrshme që rrezikonin pasurinë socialiste. Fajtorët ishin armiqtë e brendshëm, më të rrezikshëm e më finokë se ata të jashtmit.

Do të kalonin vite që të kuptohej se proceset politike synonin të betononin pushtetin e Partisë Shtet dhe nuk kishin aspak qëllimin të ruanin sigurinë e popullit dhe të Shtetit.
Kjo pjesëz e vecantë e së shkuarës tonë të zymtë duhet të na bëjë të kuptojmë se denoncimet janë akte juridike të bazuara mbi prova e të adresuara në institucione përkatëse, e jo gjysëm të vërteta të ndërtuara mbi thashetheme dhe paragjykimet e tjerruara në formën e legjendave. Shpërblimi që ekzekutivi kërkon të vendosë për ata që denoncojnë padrejtësinë e tyre nuk është drejtësi shoqërore por mjet që inicion procesin e rrezikshëm të Luftës së Klasave, e cila nuk bën gjë tjetër vecse fragmentarizon shoqërinë në emër të jetëgjatësisë së pashqetësuar të pushtetit.

Studentët duhet të inkurajojnë rastet e abuzimit brenda në Universitet, por gjithnjë bazuar në ligjin e shkruar të Universitetit dhe të Republikës së Shqipërisë. Nuk duhet kurrsesi të mendohet radikalizimi i luftës kundër korrupsionit, duke ja lënë në dorë këtë të fundit pushtetit ekzekutiv. Të mos harrojmë se jetojmë në një demokraturë ku etnogjeneza politike e sistemit tonë anon më shumë nga diktatura se demokracia. Ndaj dhe denoncimet nuk mund të shndërrohen në spektakle mediatike që i shërben ambicies së pushtetit për të futur hundën në jetën akademike të vendit. Rastet e abuzimit duhet të adresohen në organet disiplinore brena Fakultetit apo në Prokurori ( për rastet kur shkelja përbën vepër penale). Në këtë mënyrë shqetësimet e studentëve marrin zgjidhjen e duhur dhe Universiteti mbetet i paprekur nga ambiciet politiket te njërës apo tjetrës palë. Fakti se organet dispilinore brenda Fakultetit apo Prokuroria nuk ka qënë të afta t`i adresojnë sic duhet cështjet në Gjykatë, nuk mund të jetë pretekst që shoqëria shqiptare t`i rikthehet reminishencave maoiste të denoncimeve publike. Le të shërbejë ky alarm i ditëve të fundit, si mesazh për titullarët e Institucionit të Arsimit të Lartë që t`i japin një rëndësi më të madhe dënimit konvencional të pedagogëve që shkelin Rregulloren dhe Ligjin, në mënyre që mos t`i lënë hapësirë pushtetit të veprojë në fushë të lirë brenda Universitetit, këso here me një masë të madhe studentësh të irrituar me pedagogët e tyre. Këta titullarë nuk duhet të harrojnë se dhe ata janë pedagogë dhe në një të ardhme kur pushteti të ndërrohet, mund të rrezikohen nga dacibaot moderne të një Shqipërie 30 vjet në tranzicion. Cilado qeveri të vinte në krye, do ta trashëgonte me qejf një instrument të tille brenda jetes universitare dhe padyshim se ky i fundit nuk do të bënte pjesë në inventarin e modeleve të shkatërruara nga Viti 0 i apokalipsit.

Do jetë e turpshme për atë studentë që do të hedhë hapin e parë në këtë fushatë të hidhur të shypjes dhe nëpërkembjes së dinjitetit njerëzor. Akti i tij nuk do ta përmirësojë jetën universitare, por do ta ktheje Universitetin në një front të ri Lufte Klase. Spiunllëku i yshtur nga dëshira për t`i parë të gjithë njëlloj, nuk do ta zgjidhë hallin e atyre mijëra studentëve që vuajnë nga arsimi jo cilësor dhe pedagogët e korruptuar. Arsimi shqiptar do të mbetet në po të njëjtin stad zhvillimi, me ndryshimin se dy aktorët kryesorë, studentët dhe pedagogët, nuk do të jenë më në harmoni, por në një lojë të përhershme kukafshehti që vecse atrofizon dhe atë nyje të rëndësishme të shoqërisë prej nga vihen në lëvizje energjitë për ndryshime shoqërore dhe politike në vend. Kjo klimë mosbesimi në Universitet, administrate, Parti, biznes, na vë të gjithë ne kundër njëri-tjetrit dhe i shërben vetëm diçkaje: Pushtetit.

Shto Koment