Politike

PS voton delegatët më 16 Nëntor/ Bushati e Balla: Do zgjedhim në 4 forma. Veliaj ‘leksione’ socialistëve, mungon Rama

  • Prurjet e reja të PS në Tiranë, Gjonaj nga Puka në kryeqytet, Veliaj merr Xhafajn
  • Në takim pritej të merrte pjesë edhe kryeministr Edi Rama, i cili mungoi pasi ashtu siç e shpjegoi edhe vetë ishte duke punuar në hartimin e ligjit special kundër KÇK-së. 
    Featured image of article: PS voton delegatët më 16 Nëntor/ Bushati e Balla: Do zgjedhim në 4 forma. Veliaj ‘leksione’ socialistëve, mungon Rama Elisa Spiropali, Erjon Veliaj, Ervin Bushati dhe Taulant Balla

    TIRANË– Partia Socialiste ka organizuar takimin ‘Ti Zgjedh’ me strukturat e saj në të gjithë vendin për t’u përgatitur për zgjedhje të delegatëve të kësaj partie të cilat do të mbahen në datë 16 Nëntor.

    Në takim pritej të merrte pjesë edhe kryeministri Edi Rama, i cili mungoi pasi ashtu siç e shpjegoi edhe vetë ishte duke punuar në hartimin e ligjit special kundër KÇK-së.

    Fjalën hapëse e ka mbajtur ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali e cila ka deklaruar se PS është krenare për punën e bërë në të 6 vitet që kanë qeverisur vendin.

    Ndërsa në fjalën përmbyllëse të takimit, të cilën e ka mbajtur kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj i ka dhënë “leksione” të rinjve se si të jenë socialistë të vërtetë. Veliaj shtoi se ishte i bindur se PS do të fitojë edhe zgjedhjet e 2021.

    (k.m/dosja.al)

    • 13:03

      Rama: Nisa punën për KÇK, brenda nëntorit fillon furtuna, tani nisem për Ohër

      Edi Rama

      Kryeministri Edi Rama ka sqaruar mungesën e tij në takimin “Ti Zgjedh” me kandidatët për delegatë të Kongresit që do të zgjidhen me 16 nëntor. Fjala e Ramës u paralajmërua nga zyra e shtypit e Partisë Socialiste, por nuk u mbajt pasi kryeministri shpjegoi se gjatë kohës kur duhet të ishte në takim po zhvillonte një diskutim me grupin e punës për Ligjin Special kundër së ashtuquajturës KÇK.  Në reagimin e tij, Rama tregoi se kishte nisur punën për hartimin e ligjit duke premtuar se brenda nëntorit do të fillonte ajo që kreu i qeverisë e ka cilësuar si “furtuna” kundër grupeve kriminale.

      Kur dal përditë pse del përditë pse del përditë, kur s’dal ca ditë çfarë ka që s’del përditë, historia e vjetër hip se të vrava zbrit se të vrava. Sot e kam nisur ditën me grupin e punës për Ligjin Special kundër krimit të organizuar+masat kundër KÇK që po finalizohen në letër. Brenda nëntorit fillon furtuna mbi foletë e krimit dhe korbat e KÇK. Tani për Ohër ku nisin sot takimet për marrëveshjet e bashkëpunimit rajonal dhe nesër bëhet mbledhja e radhës ku janë ftuar të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor + partnerët europianë të nismave rajonale,”-shkruan Rama në reagimin e tij. 

      Tanimë, Rama ka bërë me dije se është nisur drejt Ohërit të Maqedonisë së Veriut pasi mbrëmjen e sotme do të zhvillohet takimi për marrëveshjen e bashkëpunimit rajonal, ose ndryshe “Shengeni i Ballkanit”.

    • 13:03

      Erion Veliaj “leksion” të rinjve socialistë: Delegatët të bëjnë punën që opozita s’e bën

      Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj në prezantimin me kandidatët për delegatë të Kongresit që do të zgjidhen me 16 nëntor, i ka dhënë disa “leksione” se si të jesh socialist i mirë.

      Në fjalën e tij kreu i Bashkisë u shpreh se PS kujdeset çdo ditë që të fitojë besimin e qytetarëve në çdo zonë të kryeqytetit.

       

       

      “Asnjë socialist i mirë nuk e merr për të mirëqenë fitoren, nuk luan me besimin e njerëzve, por lufton çdo ditë, sikur është beteja jonë më e rëndësishme, për ta fituar atë ditë. Ne nuk na duhet të fitojmë njëherë në 4 vite, ne duhet të fitojmë besimin, mendjen, zemrat e njerëzve përditë. Ne kemi bërë më shumë se të tjerët, por një socialist i vërtetë shqetësohet edhe për kopshtin me drekë dhe lufton sikur ajo të jetë beteja jonë finale”, nënvizoi Veliaj.

      Ai shprehu bindjen se delegatët e rinj të PS do të garantojnë vijimin e reformave dhe modernizimin e PS, që përgatitet për mandatin e tretë qeverisës.

      “Shpresa ime e madhe është që të gjithë këta delegatë të kthehen në një force emancipuese dhe modernizuese të PS, teksa përgatitemi për mandatin e tretë të Edi Ramës dhe të PS në krye të punëve të vendit”, tha Veliaj.

      Teksa u ndal edhe në bojkotin që opozita i bëri jetës parlamentare dhe përgjegjësive të saj para vendit, Veliaj theksoi se tashmë mazhoranca ka një detyrë shumë herë më të madhe për të mos rënë në grackën e vetkënaqësisë.

      “Unë e di nga puna ime, kryeministri ma ka treguar disa here nga puna e tij, dhe jam i sigurtë edhe ministrat dhe deputetët, është më e vështirë të qeverisësh pa kundërshtarët. Kur opozita ishte prezente, sado destruktive, sado me stërkëmbësha, sado me intriga, me shpifje, gjithsesi ishte një forcë presioni. Nga eksperienca ime ma bënte edhe mua punën më të lehtë, se vinte re ku kishim gabimet në bashki ose gjërat që mund të përmirësoheshin, qe ndoshta na kishin dalë nga radari. Kur s’e ke këtë, duhet të bësh vetë edhe kritikun e skuadrës tënde. Sepse nëse e lëmë këtë vakum dhe nuk reflektojmë mbi çfarë mund të bëjmë më mirë, atëherë do të biem në një grackë vetkënaqësie. Ndaj detyra e delegatëve është të na bëjnë edhe oponencë”, shtoi ai.

      Veliaj siguroi se teksa Tirana i drejtohet shekullit të saj të dytë si kryeqytet, do të ketë të gjithë infrastrukturën që ka edhe një kryeqytet evropian.

      “Delegatët e Tiranës do të jenë delegatët e fundit të shekullit të parë të Tiranës si kryeqytet. Në vitin 2020 Tirana mbush 100 vjeç dhe mbyll shekullin e parë si kryeqytet i shqiptarëve dhe fillon kapitullin e dytë , shekullin e dytë si kryeqytet i të gjithë shqiptarëve kudo ku janë. Sa kohë kemi humbur me llafe kot, sa kohë kemi humbur duken shkatërruar kënde lodrash, duke bllokuar unazën e Tiranës, duke dalë kundër çdo sheshi, kundër çdo teatri, kundër çdo pazari. Do të duhet të injektojmë që në shekullin e dytë të kapim çdo kohë të humbur që kemi humbur në shekullin e parë. Në shekullin e dytë dua të garantoj çdo qytetar të Tiranës që të jetë akoma më moderne, do ti ketë ato rrugë, ato autostrada, ato unaza, do ti ketë ato teatro, ato parqe, do ti ketë të gjitha gjërat që ka çdo vend tjetër në bashkimin evropian”, theksoi Veliaj.

    • 13:03

      Balla: Deri në janar do zgjedhim dhe anëtarin e tretë, brenda Krishtlindjeve mbyllim 'Zgjedhoren'

      Kreu i grupit parlamentar Taulant Balla mbajti një fjalë në takimin e PS në Parkun Olimpik “Ti zgjedh”, ku edhe foli për mënyrat se si do të zgjidhen delegatat e Kongresit.

      “Ky është një moment shumë i rëndësishëm për PS sepse ne kemi treguar që jemi e vetmja fuqi ndryshimi. Ne sapo kemi filluar implementin e një risie në politikë, që janë të paktë ata që e bëjnë, kjo për t’i mundësuar organizatave tona për tu drejtuar nga një grua dhe një burrë. Jemi të 5 në botë për nr e grave në qeveri, kjo është një gjë shumë e mirë. Një nga objektivat tona është barazia gjinore që të mos mbetet vetëm në letra. Në këto zgjedhje do kemi 4 forma të mundshme votimi: do të jenë 362 qendra votimi klasik me fletë, e dyta votim elektronik testim se si do nxjerrë rezultatin, e treta votim online dhe katër votime me post për ata që jetojnë jashtë. Suksesi i gjithë këtij procesi ka një rëndësi për vazhdimin e mandatit tonë dhe për fitoren në qershor në 2021. Tani PS ka nevojë për riorganizim, dhe të bëjmë ndryshime aty ku është e nevojshme. Nuk quhet e kryer puna jonë vetëm me 16 nëntor, duhet të vazhdojmë më tej. Duhet ta thellojmë statutin e barazisë gjinore, duhet të shkojmë me 50 përqind burra e gra”, tha ai.

      Balla tha më tej se pavarësisht se Shqipëria nuk mori dot vendim pozitiv për negociatat, por megjithatë po vijon punën për plotësimin e kushteve të Bundestagut.

      “Të hënën mbyllim vakancat në gjykatën Kushtetuese, pra do zgjidhen 2 të tillë, deri në janar do zgjidhet i 3, brenda Krishtlindjeve mbyllim edhe paketën e reformës zgjedhore. Duhet të ndryshojmë rregullat sa i përket financimit të Partive. Si prsh një parti ka falsifikuar dokumentat për financimin e partisë, prandaj rregullat duhen ndryshuar”, tha Balla.

    Shto Koment