
Berat- Dhjetëra punonjëse të një fasonerie në Kuçovë kanë dalë sërish në protestë ditën e sotme. Ato po protestojnë para Drejtorisë së Tatimeve në Berat, pasi kërkojnë pagën e luftës. Një përfaqësi prej 30 punonjësish i është drejtuar këtij institucioni për të kërkuar arsyen përse ata nuk kanë marrë asnjë pagë lufte, edhe pse i kanë kryer të gjitha proceduarat e kërkuara sipas ligjit.
Mësohet se ata u nisën në këmbë nga Kuçova drejt Beratit për shkak të mungesës së mjeteve urbane dhe autobuzave. Punonjëset janë ndaluar nga policia në afërsi të Urës së Vajgurore, por kanë mundur të shkojnë drejt Beratit, për të kërkuar pagën e luftës.
Ndërmarrja fasone e prodhimit të çantave në qytetin e Kuçovës ka 150 punëtorë, të gjithë të siguruar dhe askush nuk ka marrë pagë lufte. Ky biznes është mbyllur që prej 9 prillit dhe punonjëset nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga shteti.
Punonjëset protestuan edhe një ditë më parë para këtij instiucioni. Ndërkohë në protestë u ngritën dje edhe punonjëset e një fasonerie në Krujë, të cilat kërkuan pagën e luftës. Dy ditë më parë u ngritën në protestë 250 punonjësit e kompanisë “Albpetrol” në Fier, pasi kompania vendosi që t’u ulë pagat dhe disa prej tyre shkarkoi nga detyra. Punonjësit kërcënënuan se do të futeshin në grevë urie duke pretenduar se kanë punuar nga 8 orë çdo ditë dhe nuk mund të paguhen 26 mijë lekë. Pas këtyre deklaratave kompania u tërhoq nga vendimi dhe anuloi shkurtimin e pagave dhe punonjësve.
J.V/Dosja.al