Aktualitet

Vetëvendosje në Shqipëri i bashkohet protestës së naftëtarëve në Ballsh: Do i ndimojmë të realizojnë kërkesat e tyre

Përfaqësuesit e LVV u shprehën punëtorëve solidaritetin dhe gatishmërinë për të ndihmuar në realizimin e kërkesave të tyre.
Featured image of article: Vetëvendosje në Shqipëri i bashkohet protestës së naftëtarëve në Ballsh: Do i ndimojmë të realizojnë kërkesat e tyre Protesta e naftëtarëve në Ballsh

BALLSH– Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri i është bashkuar sot protestës së naftëtarëve në Ballsh. Në një reagim në Facebook nga LVV në Shqipëri, bëhet me dije se aktisivtë të saj kanë marrë pjesë në protestë ku ishin dhe përfaqësues nga Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. Përfaqësuesit e LVV u shprehën punëtorëve solidaritetin dhe gatishmërinë për të ndihmuar në realizimin e kërkesave të tyre.

“Ballshi iu bashkua punëtorëve në protestë. Me qindra qytetarë të Ballshit iu bashkuan sot protestës së punëtorëve të Uzinës së përpunimit të thellë të naftës. Marshimi protestues nisi nga Uzina dhe shkoi në qendër të qytetit. Protestës iu bashkuan edhe përfaqësues të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Buqizës dhe organizata të shoqërisë civile, përfshirë edhe përfaqësues e aktivistë të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! (LVV) në Shqipëri. Punëtorët kërkojnë rrogat e papaguara prej 24 muajve, kushte më të mira në punë, remontin e uzinës dhe rinisjen e punës në rafineri. Kërkesat e tyre janë të drejta dhe të realizueshme, por ato kërkojnë organizim e mobilizim pasi krimi i mafies së naftës është i gjerë e i thellë, prej privatizimit të parë e deri te shitjet dhe rishtijet grabitqare, që janë lejuar dhe realizuar përmes kapjes së shtetit nga interesa private.

Pas protestës, përfaqësues të LVV Shqipëri vizituan edhe punëtorët që po qëndrojnë prej 8 ditëve në grevë urie në objektin pranë hyrjes kryesore të uzinës. Një prej punëtorëve grevistë ishte shtruar më herët në spital për shkak të gjendjes shëndetësore. Përfaqësuesit e LVV u shprehën punëtorëve solidaritetin dhe gatishmërinë për të ndihmuar në realizimin e kërkesave të tyre. Respektimi i të drejtave të punëtorëve është kusht për të patur një shtet të së drejtës, dhe drejtësia realizohet përmes organizimit të përbashkët në mbrotje të interesit publik”, është ky njoftimi i nga Vetëvendosje.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Grevistët kërkojnë të marrin 27 pagat e prapambetura, pasi kanë punuar për 2 vite pa paguar, vetëm të detyruar nga ligji që i dënon në rast se e braktisin. Kjo grevë urie ka sjellë edhe reagime nga ana e opozitës dhe e Avokatit të Popullit. Dy përfaqësues të Avokatit të Popullit, vizituan dje grevistët e Poçemit dhe ata të Ballshit, ku dëgjuan ankesat e grevistëve, të cilët kërkojnë marrjen e pagave të prapambetura. Tek ata ka shkuar edhe ish-deputeti i PD-së Luan Baçi dhe ka deklaruar se pushtetarët i kanë lënë në mëshirë të fatit dhe se askush nuk pyet për ta. Ndërsa, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi u bëri thirjre strukturave të LSI-së në Fier që t’u qëndrojnë pranë punëtorëve.

Ndërkohë dje administratori dhe partneri i Shoqërive “Tosk Energji” SHA dhe “Byllis Energji” SHA, Blerim Hoxha, ka njoftuar se, duke marrë parasysh gjendjen e naftëtarëve,  shoqëria do të paguajë së shpejti 3 paga. Rafineria e Ballshit e administruar nga kompania “Tosk Energji” është mbyllur që në muajin shtator.  Naftëtarët dolën disa herë në protestë në Fier, ku kërkuan që të merrnin pagat e tyre, por u dëgjuan  nga autoritetet. Janë më shumë se 800 punëtorë që kanë mbetur pa punë. Bankers në një reagim pas mbylljes së rafinerisë, e ka hedhur fajin tek ‘Tosk Energji’, ku u shpreh se kjo kompani ka shkelur disa herë kontratat çka e ka vënë atë në pozitë të vështirë për sasinë e naftës gjendje e cila ka kaluar më pas për eksport.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment