Editorial

PROFIL/ ‘Tërmet, tërmet’, një sekretar si Damiani për zgjedhjet

‘Tërmet, tërmet’, do mbetet një shprehje që do të qarkullojë gjatë nëpër median dhe opinionin publik shqiptar. Simbol i masakrës zgjedhore u bë ai, njeriu i anëtarësuar në PS në vitin 2005, që për ironi ka mbajtur poste të rëndësishme në botën e ligjeve dhe reformës zgjedhore.
Featured image of article: PROFIL/ ‘Tërmet, tërmet’, një sekretar si Damiani për zgjedhjet Damian Gjiknuri, sekretar i PS per Reformen Zgjedhore

Martin Hajdeger, një nga filozofët më të njohur të historisë moderne, thotë se gjuha është shtëpia e qenies. Nuk ishte e rastësishme që pas publikimit të përgjimeve të fundit nga gazeta më e madhe gjermane, Bild, shumëkush në rrjetet sociale nxitoi të prodhonte meme ose batuta me disa prej frazave që lëshonin ish-ministrat e Edi Ramës teksa komunikonin me atë lëmsh ku nuk e kuptonte se cili ishte politikani, cili ishte oficeri i policisë dhe cili ishte gangsteri e biznesmeni. Meqë në qendër të këtyre përgjimeve ishte Damian Gjiknuri, shprehja e tij ‘tërmet, tërmet’ mbeti ndër më të përdorurat në rrjetet sociale.

Në të vërtetë ish-ministri i fuqishëm i qeverisë së Edi Ramës e dinte mirë se mund të ishte duke u përgjuar. E megjithatë entuziazmi i lexohej në ato pak fjalë që i lëshonte gjysma- gjysma, mes të qeshurës dhe gulçimeve. Pavarësisht se po linte gjurmë nëpër telefonata me njerëz të dyshimtë të ligjit dhe të botës së krimit, ai vazhdonte komunikimin, duke na lënë të kuptojmë se ndonjëherë dehja nga pushteti të merr mendjen. Edhe kur u thoshte bashkëbiseduesve që të mos vazhdonin më në telefon, ai nuk ishte më i vetëdijshëm për atë që do e priste. Nuk thonë kot se nuk ka drogë më të fortë se pushteti.

***

Ka disa gjëra që e bëjnë tronditëse historinë e përgjimeve të Dibrës. Mes tyre, më kryesorja është prania e Damian Gjiknurit, njeriut që socialistët i kanë ngarkuar barrën që të merret me Reformën Zgjedhore. A mund të ketë njerëz që besojnë se opozita duhet të hyjë në negociata me mazhorancën dhe me Gjiknurin për të rregulluar lojën demokratike? Në fund të fundit, a ishte momenti kur Damian Gjiknuri doli në përgjimet zgjedhore, momenti kur shumica e shqiptarëve i dhanë të drejtë Partisë Demokratike në kauzën e saj për të mos hyrë në zgjedhje me këtë mazhorancë? A nuk e kishin denoncuar demokratët e Lulzim Bashës masakrën zgjedhore të Dibrës, e cila siç thekson gazeta gjermane BILD, shërbeu si modeli që u aplikua masivisht dhe në mënyrë sistematike në zgjedhjet e vitit 2017 nga qeveria socialiste e Edi Ramës?

***

Kryeministri Edi Rama iu ishte turrur gazetarëve në një studio televizive para disa ditësh, kur i kishin thënë se në përgjime del edhe emri i Damian Gjiknurit. Tashmë që çdo gjë po relativizohet dhe e keqja po kthehet në normalitet në komunikimin publik të mazhorancës, njerëzit nuk mund të mos vënë re disa gjëra. Gjiknuri ishte njeriu që dikur shihej si një shpresë për Rilindjen, e cila e nisi rrugën e saj me shpresën se do të divorcohej nga Partia Socialiste, por përfundoi në atë pikë, sa analistë si Fatos Lubonja thonë se nuk e imagjinojnë kurrë një socialist si Rexhep Mejdani të komunikojë si Damian Gjiknuri dhe Saimir Tahiri.

Përse të rinjtë e Edi Ramës u katandisën në këtë pikë? Kjo është e vështirë të thuhet me pak fjalë. E trishtë është që Damian Gjiknuri, ky i shkolluar për juridik dhe me disa certifikimeve të rëndësishme në SHBA e Britani, nuk e ka problem që të komunikojë në telefon me njerëz me histori të dyshimtë kriminale. Madje nuk e ka problem të konsumojë krime zgjedhore, të cilat gazeta BILD ia citon në anglisht edhe me numër nenesh. Gazetarët e politikës e mbajnë mend para disa vitesh, kur Gjiknuri ishte një nga figurat interesante të socialistëve, një njohës i mirë i ligjit dhe Kushtetutës. Katandisja në këtë pikë nuk është e tmerrshme për faktin e publikimit të këtyre përgjimeve, por sepse njerëzit janë të lirë të mendojnë atë që ishte përfolur prej kohësh në botën e spekulimeve, se historia e aferave të Gjiknurit është si një majë ajsbergu.

Ka disa figura që mbulohen më shumë me malin e dyshimeve nga bota virtuale edhe pse media tradicionale nuk ka publikuar shumë të dhëna komprometuese. Gjiknuri ia doli të ishte një prej tyre madje shumë më përpara se të vinte dita kur përgjimet e gazetës BILD të tronditnin shqiptarët, madje edhe ata më të thekurit që kishin besuar se Rilindja e Edi Ramës ishte diçka më shumë se një shpikje elektorale.

***

Ka prej atyre që pas publikimit të përgjimeve, thonë se i dinin këto gjëra. Ndoshta. Por fakt është se shumica nuk e dinin aspak se çfarë ishte gatuar në kurriz të themelit të demokracisë së shqiptarëve, votës së lirë. Ka prej atyre që thonë se e dinë se krimi flirton me pushtetin. Ndoshta. Por fakt është se shumica nuk e dinin mirë se ashtu siç thekson gazeta BILD, krimi në Shqipëri është mbi pushtetin politik.

‘Tërmet, tërmet’, do mbetet një shprehje që do të qarkullojë gjatë nëpër median dhe opinionin publik shqiptar. Simbol i masakrës zgjedhore u bë ai, njeriu i anëtarësuar në PS në vitin 2005, që për ironi ka mbajtur poste të rëndësishme në botën e ligjeve dhe reformës zgjedhore.

Një parim thotë se rrjedhshmëria konjitive i jep një rëndësi krejt tjetër lajmeve. Deri më tani kishte prej atyre që mendonin se vjedhja e zgjedhjeve ishte një problem. Por duke e dëgjuar me zë këtë histori të tmerrshme, sidomos të titruar në anglisht prej gazetës më të madhe gjermane, gjërat ndryshojnë. Ato vijnë e bëhen si një ‘tërmet’ i vërtetë, por tashmë në krahun e kundërt. Gëzimi i asaj fitoreje të thellë manipulimesh po kthehet me një efekt të rëndë bumerang. Duke na treguar edhe njëherë se edhe të rinjtë e shpresës së Rilindjes po bien një nga një. Gjiknuri ishte i fundit prej tyre. Marrë nga Mapo.al

Shto Koment