Rajoni

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi, në prag të ‘bllokimit’

Serbia po vazhdon të këmbëngulë për të rihapur për negocim çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërkohë që pala e Kosovës tashmë ka deklaruar se kjo është temë e mbyllur dhe se nuk do të diskutohet për të.
Featured image of article: Procesi i dialogut Kosovë-Serbi, në prag të ‘bllokimit’ Foto ilustruese

Procesi i dialogut në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është duke u bllokuar nga kjo e fundit, vlerësojnë analistët e çështjeve politike, Imer Mushkolaj dhe Blerim Vela.

Sipas tyre, Serbia po vazhdon të këmbëngulë për të rihapur për negocim çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërkohë që pala e Kosovës tashmë ka deklaruar se kjo është temë e mbyllur dhe se nuk do të diskutohet për të.

Bashkimi Evropian, i cili ndërmjetëson dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka shprehur qëndrimin duke thënë se në zbatimin e Marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të merret parasysh edhe mendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Megjithatë, njohësit e zhvillimeve politike, kanë pikëvështrime të ndryshme lidhur me situatën e krijuar, e cila tash për tash e vë në pikëpyetje vazhdimin e mëtejmë të procesit të dialogut.Analisti i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, thotë për Radion Evropa e Lirë, se dialogu nuk është interes i vetëm njërës palë dhe të dy palët, Kosova dhe Serbia, me vullnet kanë provuar që të hyjnë në këtë proces.

Por, sipas tij, aktualisht, ekzistojnë tendenca të qarta për bllokimin e dialogut nga ana e Serbisë, dhe se tendencat e tilla janë duke u sforcuar çdo ditë e më shumë kërkesën e Serbisë që çështja e Asociacionit të negociohet sërish.

“Unë besoj që Kosova nuk duhet të lëshojë pe vetëm pse Serbia po kërkon që të themelohet Asociacioni, si kusht për vazhdimin e dialogut. Kosova ka lëshuar pe në rastin e heqjes së taksës (ndaj mallrave të Serbisë) kur Serbia e bllokonte procesin dhe thoshte se pa heqjen e taksës nuk do të vazhdojë”.

“Pse duhet që Kosova vazhdimisht të lëshojë pe ndaj kërkesave të Serbisë dhe në dëm të vetes? Kështu që Kosova duhet t’ia bëjë të qartë Bashkimit Evropian se e themelon Asociacionin, bazuar në Kushtetutën e Kosovës, por assesi sipas kërkesës së Serbisë, një Asociacion me kompetenca ekzekutive”, theksoi Mushkolaj.

Por, analisti i çështjeve politike, Blerim Vela, vlerëson se qëndrimi i palës së Kosovës që të mos bisedojë në kuadër të dialogut në Bruksel për Asociacionin është reflektim i reagimeve të aktorëve kryesorë politik brenda vendit, ndaj kësaj çështjeje.

Qeveria e Kosovës, sipas tij, ka qenë në pozitë palakmueshme për shkak të mungesës së mbështetjes së qartë në kuvend, por edhe reagimit negativ pas marrëveshjes së Uashintonit.

“Mosarritja e marrëveshjes përfundimtare (në Uashington) e ka shtyrë atë (Qeverinë e Kosovës) që ta ndërroj strategjinë dhe me një taktikë të re duke thënë që së pari të arrihet marrëveshja përfundimtare dhe pastaj të diskutojmë çështjet e mbetura të hapura me Serbinë. në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës, po tenton që çështjen e ridiskutimit të Asociacionit, që është një nga kërkesat e Serbisë, ta shtyjë për më vonë”.

“Natyrisht se duke pasur parasysh qëndrimin e palës serbe kjo mund të shtyjë drejt bllokimit të procesit negociator, në qoftë se pala ndërmjetëse, në këtë rast BE-ja, nuk ndërmerr veprime konkrete se si do të duket procesi në të ardhmen”, theksoi Vela.

Qëndrimin e Kosovës lidhur me Asociacionin e ka ripërsëritur të premten, më 2 tetor, kryeministri Avdullah Hoti edhe në Tiranë, pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Asociacioni i komunave me shumicë serbe është temë e mbyllur me marrëveshjen e vitit 2013 dhe me marrëveshjen tjetër të parimeve, të vitit 2015, ku janë vendosur edhe normat kushtetuese që statuti i Asociacionit duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. me këtë është pajtuar edhe pala serbe”, ka thënë Hoti.

Por, Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka thënë më 1 tetor, se Hoti po tallet me BE-në dhe Beogradin dhe se “është e pamundur të paramendohet ndonjë përparim thelbësor në dialog (mes Kosovës dhe Serbisë) derisa të formohet Asociacioni i komunave serbe me të gjitha kompetencat e dakorduara”.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Më 30 shtator, qëndrimin e Bashkimit Evropian e ka sqaruar zëdhënësi tij, Peter Stano. Ai ka theksuar se “i takon Kosovës që të propozojë si të ecet përpara, me zbatimin e marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015, duke marrë parasysh mendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Megjithatë, njohësit e zhvillimeve politike, vlerësojnë se Bashkimi Evropian do të përpiqet që procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të mos bllokohet.

Analisti Mushkolaj thekson se përvojat e deritashme kanë treguar se kur janë shënuar ngecje në procesion e dialogut presioni ka qenë i orientuar ndaj Kosovës dhe ngjashëm mund të pritet sërish.

“Gjithnjë presioni shkon te më i dobëti. Në këtë rast, Prishtina, delegacioni i Kosovës, është më i dobëti, duke pasur parasysh edhe të kaluarën e dialogut kur zakonisht Kosova ka qenë ajo që ka lëshuar pe. Kështu që, unë pres që të ketë presion, mirëpo besoj që është koha dhe momenti i fundit që Kosova ta bëjë të qartë se në këtë pikë nuk lëshon pe dhe ta arsyetojë dhe argumentojë për Brukselin se pse i duhet gjithnjë Kosova të lëshojë pe, ndërkohë që Serbia është ajo që vazhdimisht përfiton”, theksoi Mushkolaj.

Analisti Vela shpreh mendimin që në rast se vije deri te bllokimi i tërësishëm i dialogut, atëherë duhet të adresohen shkaqet. Sipas tij, njëra nga shkaqet është pretendimi i palës së Kosovës që së pari të ketë një kornizë të marrëveshjes përfundimtare dhe kjo duhet të merret parasysh nga Brukseli dhe Uashingtoni dhe më pas, të bisedohet për temat tjera të hapura, siç është edhe Asociacioni.

“Por, kjo varet nga presioni dhe nga prioritetet që do të kenë diplomacia e BE-së apo shtetet kryesore brenda BE-së dhe SHBA-ja, në javët në vijim. Duket se, sidomos nga pala amerikane, nuk ka më një presion mbi palët që të shtyjnë përpara arritjen sa më parë të marrëveshjes përfundimtare. Vet fakti që mund të ekzistojë një presion nga ndërmjetësit kryesorë, atëherë lë hapësirë që të mendohet se mbase do të kemi përsëri një fazë ku do të ketë bllokim të procesit negociator”, u shpreh Bela.

Në vitin 2013, Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, patën arritur Marrëveshjen e parë të Brukselit, ku në bazë të kësaj marrëveshjeje parashihej edhe krijimi i një Asociacioni/Bashkësie të komunave me shumicë serbe.

Në vitin 2015, palët arritën marrëveshjen mbi parimet për krijimin e këtij Asociacioni.

Kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Në aktgjykimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se Marrëveshja për Asociacionin, në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe statuti që zbaton parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet të plotësojë standardet kushtetuese.

Por, deri më tash, Serbia ka refuzuar që Asociacioni të formohet duke u bazuar në vlerësimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Së fundmi, ajo ka kërkuar që kjo temë të rinegociohet në tavolinën e dialogut në Bruksel.

Marrë nga REL 

Shto Koment