Politike

Pretenca për ‘Babalen’/ Kryemadhi del në krah të Salianjit: Sulm i orkestruar nga Rama, vendi po kthehet në diktaturë

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi shprehet se e gjitha është e orkestruar politikisht nga kryeministri Rama, gjë që sipas saj u tregon qytetarëve se demokracia në vend është në rrezik.
Featured image of article: Pretenca për ‘Babalen’/ Kryemadhi del në krah të Salianjit: Sulm i orkestruar nga Rama, vendi po kthehet në diktaturë Ervin Salianji dhe Monika K ryemadhi

TIRANË- Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka reaguar lidhur me pretencën e Prokurorisë për 1.6 vite burg për ish-deputetin e PD-së, Ervin Salianjin për dosjen“Babale”.

Në reagimin e saj, Kryemadhi shprehet se e gjitha është e orkestruar politikisht nga kryeministri Rama, gjë që sipas saj u tregon qytetarëve se demokracia në vend është në rrezik.

“Pretenca e sotme e Edi Ramës, si autori real i saj, i lexuar nga dyshja e prokurorëve të telekomanduar Kolë Hysenaj dhe Genci Qana, ndaj opozitarit Ervin Salianjit dhe gazetarit Jetmir Olldashi, po i tregon qartë të gjithë shqiptarëve që demokracia në vend është në një rrezik eminent,”-tha Kryemadhi.

Ndër të tjera, Kryemadhi ka përmendur edhe kërkesën për azil të Agron Tufës, prishjen e godinës në Qytet Studenti dhe miratimin e paketës së Ndryshimeve Ligjore. Sipas saj, Shqipëria po shkon sërish drejt diktaturës.

Postimi i plotë:

Ky dhjetor i 29-të i demokracisë në Shqipëri, në vend që të na gjente me një shtet të konsoliduar të së drejtës dhe me demokraci funksionale, i cili do të ishte i denjë për familjen evropiane, fatkeqësisht po shohim se po rrëshqet drejt një sistemi autokratik. Pretenca e sotme e Edi Ramës, si autori real i saj, i lexuar nga dyshja e prokurorëve të telekomanduar Kolë Hysenaj dhe Genci Qana, ndaj opozitarit Ervin Salianjit dhe gazetarit Jetmir Olldashi, po i tregon qartë të gjithë shqiptarëve që demokracia në vend është në një rrezik eminent. Ky sulm i orkestruar politikisht duke përdorur gjithashtu edhe sistemin e drejtësisë, prokurorë dhe gjyqtarë, të cilët nën frikën e vettingut janë gati që të bardhën ta bëjnë të zezë, u parapri edhe nga ngjarje të tjera po kaq të rrezikshme në kurriz të demokracisë sonë të brishtë. Kërkesa për Azil e drejtorit ekzekutiv të Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave te Komunizmit z. Agron Tufa pas kërcënimeve të marra për shkak të punës së tij, prishja e qëllimtë, pikërisht në datë 8 dhjetor e godinës nr.15 në Qytetin Studenti, që mbart simbolin e revoltës studentore për demokraci si edhe paraqitja për miratim në Kuvend e Paketës së Ndryshimeve Ligjore për nënshtrimin e plotë të medias janë akte, të cilat po e rikthejnë Shqipërinë në vitet e errta të diktaturës. Nga një qeveri e ardhur në pushtet nga votat e blera dhe të rrëmbyera në bashkëpunim me bandat e krimit të organizuar dhe paratë e oligarkëve të PPP nuk mund të presësh as demokraci, as shtet të së drejtës, as zhvillim ekonomik, as integrim evropian. Opozita ka mision të saj parësor dhe kombëtar mbrojtjen e demokracisë, mbrojtjen e fjalës se lirë dhe medias, mbrojtjen e votës së lirë. Asgjë nuk është më e shtrenjtë dhe më me vlerë se liria. Opozita së bashku me qytetarët shqiptarë nuk do rreshtin së luftuari për një demokraci reale dhe funksionale. Sot pas 29 vitesh, fatkeqësisht, po i rikthehemi me forcë po të njëjtave thirrje, të cilat ushtuan nga studentët: “Poshtë diktatura” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.

 

Prokuroria e Tiranës ka dhënë sot pretencën për të akuzuarit e dosjes “Babale. Për ish-deputetin e PD Ervin Salianji, Prokuroria ka kërkuar sot 1 vit e 6 muaj pezullim nga funksionet politike dhe 3 vite shërbim prove, lidhur me audio-përgjimin për çështjen ‘Babalaja’, ku u fajësua për trafik droge vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Xhafaj, Agron Xhafaj. Për Fredi Alizotin është kërkuar 3 vite burg dhe 3.6 vite burg për Albert Veliun, si  dhe 1 vit për gazetarin Jetmir Olldashi.Sipas Prokurorisë të pandehurit kanë kryer kallëzim të rremë.(k.m/dosja.al)

Shto Koment