Politike

“Presion ndërkombëtar”, Bardhi flet për tërheqjen e Pjetrit: Tregoi se kauza e PD është e drejtë

Në një reagim në Facebook, Bardhi shkruan se kjo tërheqje, si e Ramës dhe Pjetrit është falë ligjit të dekriminalizimit.
Featured image of article: “Presion ndërkombëtar”, Bardhi flet për tërheqjen e Pjetrit: Tregoi se kauza e PD është e drejtë Gazment Bardhi, Sekretar i Përgjithshëm i PD

TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar sot pas tërheqjes së Valdrin Pjetrit. Në një reagim në Facebook, Bardhi shkruan se kjo tërheqje, si e Ramës dhe Pjetrit është falë ligjit të dekriminalizimit.

Ai shton se “largimi i Valdrin Pjetrit, i dënuar për trafik droge në Itali, nuk është një reflektim, as personal dhe as politik i tij apo i Edi Ramës. Nuk është as pendim dhe as kujtesë për krimin e kryer në të shkuarën”.

REAGIMI I PLOTË

Përballë presionit të opinionit publik dhe partnerëve ndërkombëtarë, pasi konfrimoi edhe njëherë, në mënyrë të përsëritur, se pushteti i tij mbijeton vetëm për shkak të lidhjeve me krimin, Edi Rama udhëroi drejtuesin e tij politik në Shkodër të tërhiqej. Dorëzimi i Edi Ramës në Shkodër është një provë tjetër se Partia Demokratike është sot i vetmi institucion që po i bën qendresë kapjes totale të shtetit dhe ekonomisë nga krimi.  

Çdo shqiptar e di se, njësoj si Arben Ndoka, Elvis Roshi, Mark Frroku, Armando Prenga e shumë të tjerë, edhe përfaqësuesi i Edi Ramës në Shkodër, përdori paratë e trafikut të drogës për të hyrë në politikë nëpërmjet Edi Ramës.  Largimi i Valdrin Pjetrit, i dënuar për trafik droge në Itali, nuk është një reflektim, as personal dhe as politik i tij apo i Edi Ramës. Nuk është as pendim dhe as kujtesë për krimin e kryer në të shkuarën.

Largimi i tij vjen me të njëjtën formë mashtrimi si ajo e kriminelëve të tjerë që ranë në rrjetën e dekriminalizimit, Elvis Roshi, Arben Ndoka, etj. Largimi i tyre është meritë vetëm e Ligjit të Dekriminalizimit dhe betejës së Partisë Demokratike për të shkëputur lidhjet e politikës me krimin e organizuar. Është meritë e qendresës së palëkundur të Partisë Demokratike, opozitës dhe opinionit publik, që disa kriminelë janë sot jashtë politikës.

Por, fatkeqësisht, fenomeni i kriminalizimit të shtetit vazhdon të qëndrojë, sa kohë arkitekti i lidhjes krim-politikë është Kryeministër. Asgjë nuk do të ndryshojë, as për Shkodrën dhe as për Shqipërinë, deri kur koka e krimit në politikë dhe ekonomi të jetë prerë, duke larguar Edi Ramën nga drejtimi i qeverisjes së vendit.

Rasti i Shkodrës provoi edhe njëherë se kauza e opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme, pa përfshirjen e krimit të organizuar dhe parave të pista të krimit e korrupsionit, është e duhura dhe rruga e vetme për një qeverisje të mirë në sherbim të qytetarëve dhe jo bandave. Pa shkëputjen totale të lidhjes së politikës me krimin dhe pa garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, për shqiptarët nuk do të ketë mirëqenie, ndërsa vendi do të mbetet i izoluar, jashtë Bashkimit Europian. Beteja jonë vazhdon derisa ëndrra për Shqipërinë si gjithë Europa të jetë realitet për çdo shqiptar.

Pak ditë më parë, Partia Demokratike publikoi dokumentet ku sipas tyre vërtetohet se kryebashkiaku i Shkodrës ka qenë dënuar me 18 muaj burg në Itali për drogë. Pjetri nga ana tjetër, dha dje dorëheqjen dhe tha se do të fokusohet në zbardhjen e të vërtetës, duke mohuar dënimin. Rama pezulloi të gjitha funksionet e tij në Parti, ndërkohë që ende ka ngërç lidhur me datën e re të zgjedhjeve në Shkodër.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment