Aktualitet

Posta Shqiptare s’njofton ardhjen e porosive online/ Ankohen qytetarët: Ka raste që s’i marrim fare

Qytetarët e Tiranës prej disa kohësh po përballen me një problematikë në procesin e shërbimit postar. Qytetarët ankohen për mos njoftimin e mbërritjes së mallrave të porositura online.
Featured image of article: Posta Shqiptare s’njofton ardhjen e porosive online/ Ankohen qytetarët: Ka raste që s’i marrim fare Posta Shqiptare

Qytetarët e Tiranës prej disa kohësh po përballen me një problematikë në procesin e shërbimit postar. Qytetarët ankohen për mos njoftimin e mbërritjes së mallrave të porositura online. Në momentin që porosia mbërrin, qytetari duhet të njoftohet nëpërmjet një mesazhi në aparatin celular, por ky shërbim shpeshherë ka dështuar duke bërë që radhët e pritjes të shtohen dhe jo pak herë qytetarët të dalin duarbosh nga posta.

Pas ankesave të mbërritura në redaksinë e Report Tv, ndërmorëm një vëzhgim ku pamë nga afër situatën në Tiranë.

Punonjës pranë postave janë justifikuar duke e quajtur një gabim njerëzor mosnjoftimin me anë të mesazhit apo duke përmendur neglizhencën e vetë qytetarëve që nuk shënojnë numrin e telefonit. Për këtë arsye, ofrohet dhe shërbimi online i ndjekjes së pakove, për të parë se kur mbërrijnë.

Po kjo nuk është një zgjidhje efektive, pasi nuk duhen harruar as të moshuarit, të cilët nuk mund të përdorin aplikacione të tilla dhe detyrohen të shkojnë shpesh herë dhe të presin në radhë të gjata, ku temperaturat e larta në stinën e nxehtë të verës, nuk ndihmojnë aspak.

Një ndër problematikat shqetësuese është dhe humbja e pakove, ku pas një periudhe pritjeje, në fund qytetarët mbeten pa marrë porosinë e paguar. Shërbimi i porosive online ofrohet vetëm në tre pika, tek posta duke mbledhur qytetarë nga lagje të ndryshme, të detyruar të marrin porositë e tyre vetëm pranë këtyre tre pikave.

Më parë ka qenë dhe shërbimi i postierit në shtëpi, ku njoftoheshe me anë të një letre që porosia ka mbërritur, por tashmë ky shërbim nuk ofrohet më.

Gjithashtu prej disa kohësh tashmë për blerjet online që kalojnë vlerën prej 22 euro paguhet TVSH 20% dhe taksë doganore. Edhe pse qytetarët paguajnë më shumë, shërbimi që ata marrin lë për të dëshiruar.

Report Tv tentoi të kontaktojë më drejtorinë  e Përgjithshme të Postës, por asnjë nga personat përgjegjës nuk ndodhej, kjo pasi të gjithë ishin me leje.

Marrë nga Shqiptarja.com

(k.m/dosja.al)

Shto Koment