Editorial

Populistët tanë

Ne kemi tendencë ta injorojmë këtë dimension të populizmit sepse ai na shfaqet vetëm atëherë kur populistët të kenë fituar pushtetin, pasi të zhdukin rivalët e tyre dhe të bëjnë të pavlefshme pavarësinë e pushteteve.
Featured image of article: Populistët tanë

Është bërë modë që të gjitha qeveritë që ne zgjedhim të na kthehen në regjime populiste, me të vetmin ndryshim që herë janë djathtas e herë majtas, por në realitet janë në të njëjtin drejtim.

Në shumë vende, për vite të tëra, populizmi është njohur si një sëmundje e të majtës: një regjim i papërgjegjshëm që shpenzon më shumë sesa duhet në emër të drejtësisë shoqërore, i cili fillon projekte gjoja në interes të shoqërisë, por pa menduar se si do të paguhen dhe në këtë mënyrë e fusin vendin në kriza ekonomike shumë serioze.

Ky konceptim i populizmit nuk është i plotë sepse historia e vendeve të tjera por shumë më mirë dhe historia e vendit tonë, po tregojnë se demagogjia nuk është ekskluzive për të majtën. Qeveritë tona të të gjitha krahëve, përdorin projekte të mëdha për të blerë votat dhe përfundojnë të zhytura në korrupsion dhe e fusin vendin në katastrofa ekonomike. Pak nga pak, njerëzit e kanë kuptuar se populistët janë njësoj, pavarësiht se në çfarë krahu janë në të djathtë apo në të majtë.

Përveç papërgjegjshmërisë fiskale dhe denoncimeve false përpara drejtësisë, të cilat janë pjesë të rëndësishme të populizmit, ekziston një pjesë më themelore, e cila është ajo që i jep asaj thelbin, është e përbashkëta themelore që ka populizmi i djathtë apo i majtë: zëvendësimi i institucioneve demokratike nga komanda autokratike e liderit, rreth të cilit ndërtohet një kult i personalitetit. Populistët e çdo ngjyre janë armiq deri në vdekje të institucioneve demokratike thjesht dhe vetëm sepse ata kërkojnë diktaturë absolute.

Ne kemi tendencë ta injorojmë këtë dimension të populizmit sepse ai na shfaqet vetëm atëherë kur populistët të kenë fituar pushtetin, pasi të zhdukin rivalët e tyre dhe të bëjnë të pavlefshme pavarësinë e pushteteve.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Fillimisht na është dukur e pamundur që, në kohën e sotme, populistët të mund të ktheheshin në tiranë. Atëherë nuk e kemi kuptuar se populisti akuzon të gjitha institucionet si të korruptuara në mënyrë që të argumentojë se për të ndryshuar shoqërinë ato duhet të shkatërrohen e të rindërtohen e gjatë rindërtimit pushtetin dhe të drejtën për të vendosur duhet ta ketë vetëm lideri. Kur dikush kërkon një mënyrë të tillë pushteti absolut për të qenë në gjendje të zgjidhë problemet e vendit, ai është duke kërkuar që ne me dëshirë ta bëjmë diktator.

Populisti i radhës dëshiron krejt fuqine për pushtetin e tij, por jo si një instrument për të përmirësuar jetesën e shoqërisë. Përfitimi që gjoja do të kenë qytetarët është preteksti përmes të cilit populistët bëhen tiranë. Me pushtetin total, me institucionet e shkatërruara, populistët janë absolutisht të korruptuar dhe ata pretendojnë të drejtën për të qëndruar në pushtet me çdo lloj çmimi.

Histori të tilla ka pasur në shumë vende latine apo afrikane, por njësoj është dhe do të vazhdojë të jetë edhe në Shqipëri nëse ne si zgjedhës vazhdojmë t’u japim pushtetin populistëve.

Figura e liderit që ne po projektojmë vetë me votat tona është ajo e liderit që është mbi institucionet, mbi ligjin, figura tipike e një tirani.
Do Zoti shpëtojmë nga ky mallkim që po na ndjek për tridhjetë vjet.

Shto Koment