Bota

Pompeo viziton vendbanimet hebraike, denoncon bojkotin ndërkombëtar ndaj Izraelit

Vizita pasoi njoftimin e një iniciative të re, për të ndaluar një lëvizje të udhëhequr nga palestinezët për të bojkotuar njohjet ndërkombëtare të Izraelit. Një zyrtar i Departamentit të Shtetit u tha gazetarëve, të cilët nuk u lejuan ta shoqërojnë zotin Pompeo, se diplomati i lartë amerikan vizitoi një kantinë të verës në Psagot që ndodhet në dalje të Jeruzalemit.
Featured image of article: Pompeo viziton vendbanimet hebraike, denoncon bojkotin ndërkombëtar ndaj Izraelit Mike Pompeo

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo vizitoi një vendbanim hebraik që ndodhen në atë pjesë të Bregut Perëndimor që kontrollohet nga Izraeli, vizita e parë e një zyrtari të lartë amerikan në këtë territor.

Vizita pasoi njoftimin e një iniciative të re, për të ndaluar një lëvizje të udhëhequr nga palestinezët për të bojkotuar njohjet ndërkombëtare të Izraelit. Një zyrtar i Departamentit të Shtetit u tha gazetarëve, të cilët nuk u lejuan ta shoqërojnë zotin Pompeo, se diplomati i lartë amerikan vizitoi një kantinë të verës në Psagot që ndodhet në dalje të Jeruzalemit.

Zoti Pompeo vizitoi të enjten Lartësitë Golan, një zonë që Izraeli e mori nën kontroll nga Siria gjatë luftës së vitit 1967.

“Njohja e saj si pjesë e Izraelit, ishte gjithashtu një vendim i Presidentit Trump, diçka me rëndësi historike dhe thjesht një njohje e realitetit”, tha zoti Pompeo.

Izraeli ka ndërtuar shumë vendbanime në Bregun Perëndimor, territor që palestinezët kërkojnë të jetë pjesë e shtetit të tyre të ardhshëm. Shumica e bashkësisë ndërkombëtare i sheh vendbanimet si një shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe një pengesë në arritjen e një marrëveshje paqeje me palestinezët. Aneksimi nga ana e Izraelit i Lartësive Golan gjithashtu nuk është njohur ndërkombëtarisht. Zoti Trump nënshkroi vitin e kaluar një urdhër duke njohur sovranitetin e Izraelit mbi këtë territor. Më herët, zoti Pompeo tha se Shtetet e Bashkuara do ta cilësojnë lëvizjen që bën thirrje për bojkotimin e njohjeve ndërkombëtare të Izraelit, si anti-semitike.

Duke folur në Jeruzalem së bashku me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu, zoti Pompeo tha se Departamenti i Shtetit do të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të identifikuar dhe ndaluar financimin me fonde qeveritare të organizatave që e mbështesin këtë përpjekje.

Mbështetësit e lëvizjes për Bojkot, Zhvendosje e Saksione e cila udhëhiqet nga palestinezët, thonë se kjo është një formë proteste kundër pushtimit izraelit dhe është hartuar sipas modelit të bojkotit të viteve 1980 nëpërmjet të cilit i bëhej presion Afrikës së Jugut për t’i dhënë fund aparteidit. Organizatorët mohojnë se lëvizja për Bojkot, Zhvendosje e Saksione është anti-semitike. Autoritetet izraelite thotë se ajo ka si qëllim eleminimin e Izraelit.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Zoti Netanyahu dhe zoti Pompeo përgëzuan njëri-tjetrin për hapat e ndërmarrë gjatë administratës së Presidentit Donald Trump, të cilat ishin në drejtim të kundërt me politikën e mëparshme amerikane, mes tyre njohja e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit, lëvizja e Ambasadës Amerikane atje si dhe duke mos i parë më, vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor si të paligjshme. Zoti Netanjahu, i cili tha të enjten se marrëdhëniet SHBA-Izrael kanë arritur “nivele të larta të pashembullta” gjatë administratës Trump, nënvizoi gjithashtu marrëveshjet e fundit të Izraelit për normalizimin e marrëdhënieve me Bahreinin, Sudanin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Të mërkurën, përpara bisedimeve të përbashkëta me zotin Netanjahu dhe Ministrin e Jashtëm të Bahreinit Abdullatif bin Rashid Alzayani, zoti Pompeo tha se marrëveshjet “u tregojnë aktorëve dashakeq si Republika Islamike e Iranit, se ndikimi i tyre në rajon po zbehet dhe se ata janë gjithnjë e më të izoluar e se do të jenë përgjithmonë derisa të ndryshojnë drejtim” siç u shpreh ai.

Bahreini dhe Izraeli kanë bërë të ditur se do të hapin ambasada, do të kryejnë procese për dhënie vizash elektronike si dhe do të nisin fluturime javore mes dy vendeve.

Zoti Alzayani, i cili udhëhoqi vizitën e parë zyrtare të Bahreinit në Izrael, tha se normalizimi sjell “një paqe të ngrohtë që do t’u japë përfitime të qarta të dy popujve”.

Zoti Netanyahu tha se vizita e parë e zotit Alzayani në Izrael “shënon një tjetër moment të rëndësishëm në rrugën drejt paqes mes dy vendeve dhe atë në rajon. Paqja mes Izraelit dhe Bahreinit është ndërtuar mbi baza të forta vlerësimi reciprok dhe interesi të përbashkët”, tha ai.

Vizita e zotit Pompeo në Izrael është ndalesa e e tij më e fundit e një turneu ndërkombëtar në Evropë dhe Lindjen e Mesme. Gjatë këtij turneu sekretari Pompeo bëri ndalesa në Emiratet e Bashkuara Arabe, Katar, Arabinë Saudite, Francë e Turqi.

Marrë nga VOA

Etiketa:

Shto Koment