Sport

Politika i liron stadiumet futbollit, por jo si në mitingjet e saj me publik!

Sot luhen të gjitha ndeshjet e javës së 29-të të Superligës, kushtëzuar edhe nga votimet e së dielës, por e lirë nga politika në këtë ditë heshtjeje zgjedhore
Featured image of article: Politika i liron stadiumet futbollit, por jo si në mitingjet e saj me publik!

TIRANE – Sporti përfiton në këtë fundjavë nga heshtja zgjedhore për të patur të gjithë terrenin për vete, duke qenë se një muaj i zhurmshëm është dominuar nga deklarata akuza e ngjarje të rënda që lidhen me politikën.
Më në fund Partia Socialiste dhe kryeministri i ka liruar stadiumet që të rikthehen skuadrat të luajnë, pasi i zaptoi për kaq ditë, duke i mbushur me militant e zbrazur apo ndaluar tifozët e këtij sporti për t’i shijuar ndeshjet ashtu si ata simpatizant partish ndiqnin, ngjeshur e ngjeshur, fjalimet e “idhujve” të tyre.
Por për tu rikthyer tek futbollit, kjo javë e 29-të e Kategorisë Superiore luhet e gjtiha këtë të shtunë pasi të dielën votohet.
Në “Loro Boriçi” Vllaznia do të presë Skënderbeun me synimin për të marrë fitoren e radhës dhe qoftë edhe përkohësisht, kreun e renditjes, pas i është vetëm dy pikë larg Teutës kryesuese, që sot do të përballet me Tiranën.
Shkodranët vijnë me moral të lartë pas fitores tenistike në Fier ndaj Apolonisë dhe trajneri Thomas Brdaric ka në dispozicion të gjithë futbollistët e do të mund të hedhë në fushë 11-shen që i ofron më shumë garanci.
Nga ana tjetër korçarët po luajnë shanset e fundit matematikore për të siguruar mbijetesën dhe në Shkodër shkojnë me synimin për të mos dalë pa pikë, ndaj pritet një 90-minutesh mjaft interesant dhe i luftuar.
Fitorja ndaj Bylisit ka rikthyer qetësinë edhe te Laçi, që është sërish në garë për titull dhe do të provojë të marrë një tjetër 3-pikësh, këtë herë në transfertën e vështirë ndaj Kastriotit në Kamëz, pasi edhe krutanët kanë nevojë për pikë, që të sigurojnë sa më shpejt mbijetesën.
Po në orën 13:00 në Ballsh do të ketë një miniderbi mes Bylisit vendas dhe Apolonisë, por natyrisht karikimi maksimal do të jetë për mallakastriotët, që synojnë mbijetesën, pasi fieralët vetëm matematika i mban ende në garë për qëndrimin në elitë.
Në orën 16:00 vëmendja do të jetë në “Niko Dovana” të Durrësit, ku do të përballet Teuta kryesuese me Tiranën, në një nga sfidat më interesante të javës. Durrsakët janë ngjitur në krye pas tre fitoresh radhazi dhe do të provojnë të ruajnë këtë ecuri deri në fund të sezonit, ndonëse sot ndaj kryeqytetasve do të duhet të bëjnë pa shërbimet e sulmuesit Lorenzo Vila.
Nga ana tjetër, me dy barazime radhazi Tirana ka komplikuar garën për Europën, ndaj sot është e dënuar të fitojë, për të synuar arritjen e një vendi në katërshen e parë të renditjes.
Një tjetër sfidë interesante është edhe ajo mes Partizanit e Kukësit në “Air Albania”, ku verilindoret do të provojnë të ndalin edhe të kuqtë, pasi i hoqën dy pikë Tiranës një javë më parë. Nga ana tjetër vendasit e drejtuar nga Ilir Daja janë të dënuar të fitojnë për të qëndruar në garë për titullin kampion, i vetmi objektiv i mbetur këtë sezon.

B.T (Dosja.al)

Shto Koment