Politike

‘PO’-ja e Bundestagut me 9 kushtet, Bushati flet hapur: Na duhet pakt kombëtar, jo marrëveshje politike e radhës

Bushati shprehet se kushtet kanë të bëjnë me një vijë sjelljeje mes Parlamentit gjerman dhe qeverisë kur bëhet fjalë gjithmonë për çështje, që lidhen me BE-në e për të cilat qeveria duhet të raportojë për çdo etapë.
Featured image of article: ‘PO’-ja e Bundestagut me 9 kushtet, Bushati flet hapur: Na duhet pakt kombëtar, jo marrëveshje politike e radhës Ditmir Bushati dhe Bundestagu gjerman

TIRANË– Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati ka komentuar vendimin e Bundestagut gjerman për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Bushati shprehet se kushtet kanë të bëjnë me një vijë sjelljeje mes Parlamentit gjerman dhe qeverisë kur bëhet fjalë gjithmonë për çështje, që lidhen me BE-në e për të cilat qeveria duhet të raportojë për çdo etapë.

Ish-ministri tregon se Shqipëria e kishte të përcaktuar qartë rrugën për hapjen e negociatave me organizimin e konferencës me vendet anëtare në dhjetor të këtij viti, por ishte kriza politike që nga djegia e mandateve, mospjesëmarrja në zgjedhjet vendore dhe mungesa e bashkëpunimit politik dhe mirëkuptimit institucional për zbatimin e Reformës në Drejtësi, që e vendosën vendin në këtë pozitë që ndodhet sot përballë Maqedonisë së Veriut.

Sipas tij, klasa politike duhet të jetë në gjendje të krijojë një perspektive të prekshme europiane, larg retorikës dhe të gjenerojmë kapacitet për ndryshim duke dalë nga labirinti i vetëmashtrimit, sepse përndryshe, askush nga institucionet europiane nuk do ta bëjë një gjë të tillë për Shqipërinë.

Mbrëmjen e djeshme Bundestagu i dha “OK” Shqipërisë në lidhje me çeljen e negociatave me Bashkimin Europian. Nëntë kushtet e vendosura më parë vijojnë të jenë aktive. Ndërkohë Maqedonisë së Veriut iu hapën negociatat pa kushte.

Bundestagu gjerman miratoi dokumentin, sipas të cilit Shqipërisë i vendosen disa kushte për t’u përmbushur para hapjes së negociatave të anëtarësimit me BE-në dhe fillimit të diskutimit të kapitujve. Në Shqipëri, ky dokument po lexohet si gjithmonë në mënyrë të ndryshme nga qeveria dhe opozita. Cili është mendimi juaj?

Fillimisht duhet sqaruar se Bundestagu gjerman nuk po i vendos kushte Shqipërisë, por në bazë të një procedure të brendshme, të përcaktuar në ligjin federal të bashkëpunimit ndërmjet qeverisë dhe Bundestagut për çështjet që lidhen me Bashkimin Europian, ai ka miratuar një qëndrim, i cili mund të konsiderohet si “vija e sjelljes” që duhet të respektojë qeveria gjermane gjatë diskutimeve me vendet e tjera anëtare të BE-së, për procesin e bisedimeve të anëtarësimit të vendit tonë në BE. Megjithëse vëmendja e opinionit publik është përqendruar te kushtet që duhen përmbushur për zyrtarizimin e procesit të bisedimeve për anëtarësim dhe më pas fillimin e punës konkrete përmes hapjes dhe mbylljes së kapitujve, dokumenti gjithashtu parashikon edhe metodologjinë dhe filozofinë që duhet të përshkojë këtë proces, përfshirë raportet e bashkëpunimit ndërmjet qeverisë federale dhe Bundestagut. Ç’është e vërteta, kjo praktikë është formalizuar për herë të parë në rastin e Serbisë, ku Bundestagu miratoi vijën e sjelljes së qeverisë federale përkundrejt vendeve të tjera anëtare të BE-së. Si rrjedhojë, puna me kapitujt, në rastin e Serbisë, filloi me detyrimet që burojnë nga kapitulli 35, ku normalizimi i plotë i marrëdhënieve me Kosovën zë një vend të posaçëm.

Ju flisni për kushte që duhen përmbushur për zyrtarizimin e bisedimeve për anëtarësim. Çfarë keni parasysh me këtë?

Në qershorin e 2018-ës, vendet anëtare të BE-së vendosën t’i përgjigjen pozitivisht rekomandimit të Komisionit Europian për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë. Po ashtu, vendet anëtare skicuan rrugën drejt zyrtarizimit të bisedimeve, përmes një procesi përgatitor dhe afatizimin e tij, duke përcaktuar qershorin e 2019-ës si periudhën e zyrtarizimit të bisedimeve dhe fundin e këtij viti për organizimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, që simbolizon nisjen e bisedimeve. Në maj të këtij viti, Komisioni Europian rikonfirmoi rekomandimin për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë, duke e shoqëruar atë me nevojën për një konsensus kombëtar për çështjet e lidhura me integrimin në BE dhe me tejkalimin e polarizimit politik dhe ndasive të theksuara. Për shkak të afateve të ngushta kohore, nga publikimi i raportit të Komisionit Europian dhe zgjedhjeve në Parlamentin Europian, vendet anëtare të BE-së nuk e morën në shqyrtim këtë çështje në mbledhjen e qershorit, duke e shtyrë për në tetor, por në të njëjtën kohë ata rikonfirmuan konkluzionet e qershorit të 2018-ës.

Megjithatë, Për Shqipërinë, dokumenti i miratuar në Bundestag nuk është aq premtues, sidomos po ta krahasojmë me dokumentin që Bundestagu miratoi për Maqedoninë e Veriut. Në qershor 2018, ju vetë keni deklaruar në Kuvend se “kriteret, apo elementet që Bundestagu ka vendosur për Maqedoninë për të shkuar deri te konferenca e parë ndërqeveritare janë më të detajuara, më strikte e më impenjative se ato të vendosura për Shqipërinë”. Çfarë ndodhi gjatë këtij viti përderisa për Shqipërinë përcaktohen kushte, ndërsa për Maqedoninë e Veriut jo?

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Më vjen keq që duhet t’i jap të drejtë vetes për disa çështje, të cilat unë i kam ngritur vijimësisht në Kuvend, por jo vetëm, që kanë shkaktuar edhe debat publik. Ndërkohë që ne e kishim të mirëpërcaktuar rrugën që duhet të ndiqnim drejt tryezës së bisedimeve për anëtarësim në BE, politika shqiptare u fut në rrethrrotullim, prej nga nuk po gjen ende rrugëdalje. 2019-ta u shoqërua me eksperimente të rrezikshme, siç ishte djegia e mandateve nga ana e opozitës, mospjesëmarrja në zgjedhjet vendore, mungesa e bashkëpunimit politik dhe mirëkuptimit institucional për zbatimin e Reformës në Drejtësi. Eksperimente këto, që “militarizuan” mendjen dhe debatin publik, duke zvogëluar edhe më tej kapacitetin tonë si klasë politike, për ta konsideruar procesin e anëtarësimit në BE si një prioritet realisht kombëtar e mbipartiak.

A mendoni se ky qëndrim i Bundestagut gjerman u “hap rrugën” për kritika edhe shteteve të tjera, që janë skeptike në raport me angazhimin real apo arritjet e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së?

Gjermania është jo vetëm vendi që mban peshën kryesore në BE, por edhe mbështetësi kryesor i procesit të zgjerimit. Nuk ka një vend tjetër europian të ngjashëm me Gjermaninë për sa i përket angazhimit të saj ndaj rajonit. Për pasojë, qëndrimi i Gjermanisë për të trajtuar Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut së bashku, por bazuar mbi meritën individuale, do të jetë orientues edhe për vendet e tjera, të cilat ndajnë, para së gjithash, këndvështrime të karakterit gjeopolitik për të ardhmen e rajonit tonë. Fakti që nga njëra anë, Franca insiston në nevojën e një diskutimi më strategjik për procesin e zgjerimit dhe të ardhmen e BE-së dhe nga ana tjetër, Gjermania ka përqafuar një qasje të përshkallëzuar e të kushtëzuar, do të thotë që në një mënyrë a tjetër, procesi i konsolidimit të projektit europian do të vazhdojë.

Në dokumentin e Bundestagut, në dallim nga vjet është shtuar dhe një paragraf, i cili u referohet debateve që kanë lidhje me ndryshimin e kufijve. Si duhet ta lexojmë këtë?

Gjermania, si një partner i ndershëm dhe kritik i drejtë, na kujton se sa të kujdesshëm duhet të jemi kur flasim për të tilla çështje, të cilat cenojnë arritjet tona historike. Ne mund të përparojmë drejt BE-së, siç populli shqiptar do, vetëm duke konsoliduar rolin e Shqipërisë si spirancë stabiliteti në rajon dhe duke përmbushur detyrimet që sigurojnë standarde europiane në jetën e përditshme.

Të gjendur në këto kushte, cilat janë hapat që duhen ndërmarrë për të mos e humbur edhe këtë tren drejt BE-së?

Thënë shqip e troç, duhet të demonstrojmë me vepra e jo fjalë se e duam vendin tonë më shumë seç na duan miqtë e huaj. Se na duhet të ndërtojmë një shoqëri europiane, edhe sikur të mos ekzistonin kriteret e Kopenhagenit apo kushtëzimet demokratike të procesit të anëtarësimit në BE. Nisur nga eksperiencat e vendeve të tjera, që kanë shkelur para nesh në këtë rrugë, ne kemi nevojë mbi të gjitha për unitet kombëtar dhe jo për marrëveshjen politike të radhës. Një unitet kombëtar, që bazohet në parimin se barrën për këtë proces e mban qeveria, porse përgjegjësia për Shqipërinë është e përbashkët. Ndaj, na duhet një pakt për Europën që përcakton strategjinë, objektivat, burimet njerëzore, duke përfshirë edhe shqiptarët e diasporës, si dhe instrumentet financiare për të paktën dekadën e ardhshme. Ne nuk kemi pse të presim Bundestagun sot, apo BE-në nesër që të na caktojë kushte e këto kushte më pas t’i përdorim për lojën e brendshme politike. Kjo politikë e vjetër që ngatërron nevojat e ditës me interesin kombëtar, ka djegur mundësinë e një brezi të tërë. Kur kthejmë kokën pas, të gjithë biem dakord se kemi humbur disa mundësi dhe nuk kemi nxjerrë mësime ende. Na duhet ta ngulisim njëherë e mirë në mendje, se nëse nuk jemi në gjendje të krijojmë një perspektive të prekshme europiane, larg retorikës dhe të gjenerojmë kapacitet për ndryshim, duke dalë nga labirinti i vetëmashtrimit, askush nga institucionet europiane nuk do ta bëjë një gjë të tillë për ne.

Marrë nga Panorama

(a.m/dosja.al)

Shto Koment