Sport

Plori: “Kemi nxjerrë mësime, 3 pikët ndaj Bylisit janë “detyrim” për Vllazninë”

“Nuk duhet të mendojmë se kundërshtari nuk e ka nisur mirë kampionatin. Duhet vlerësim maksimal. Tri pikë vlejnë si me Bylisin dhe me Tiranën”
Featured image of article: Plori: “Kemi nxjerrë mësime, 3 pikët ndaj Bylisit janë “detyrim” për Vllazninë”
Përditësuar:

SHKODER – Në prag të ndeshjes së javës së 6-të të Superiores, asaj që Vllaznia do të luajë nesër në orën 13:45 ndaj Bylisit në “Loro Boriçi”, në konferencën e zakonshme për shtyp, përpara gazetarëve ka dalë zëvendëstrajneri i shkodranëve, Elvis Plori.

Ai fillimisht është ndalur tek analiza e ndeshjes së kaluar me Kukësin dhe më pas ka folur për takimin e radhës dhe objektivin që do të ketë Vllaznia për të. Ja si është përgjigjur ai: “Ishte një ndeshje që duhej të analizohej ajo me Kukësin. Gabimet ishin foshnjarake. Duhen harruar dhe këtë gjë kemi bërë gjatë javës për djemtë”.

Çfarë është korrigjuar? “Kemi diskutuar më tepër stabilitetin në fushë dhe jo tranzicionin. Si ne, si dhe tifozët e kemi në gjak që të luajmë lojë sulmuese, por duhet të jemi me këmbë në tokë dhe më të kujdesshëm në pjesën prapa, duke mos lënë hapësira”.

Presion? “Është diskutuar se Vllaznia është për kampion, është herët dhe nuk duhet të shikojmë mbledhjen e pikëve. Mos shohim çfarë pozicioni jemi, por të marrim çdo ndeshje në fushë”.

Bylisi? “Nuk duhet të mendojmë se skuadra mike nuk e ka nisur mirë kampionatin. Nuk ka shumë ndryshime në skuadër dhe vjet ka bërë mirë. Duhet vlerësim maksimal. Tri pikë vlejnë si me Bylisin dhe me Tiranën”.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Pjesë e Bylisit talenti Preka, ju vjen keq? “Nuk më vjen keq vetëm për Marcelinon që po rritet atje, por edhe për të tjerët. Nuk do të thotë se ai po luan dhe nuk mund të jetë më pjesë e Vllaznisë. Ka edhe lojtarë të tjerë shkodranë, që janë me ekipet e tjera dhe një ditë do jenë pjesë e jona. Kjo gjë ndodh në çdo skuadër të Superligës. Duke marrë parasysh që jemi ekip i ri, nuk mund të kemi shumë hapësira për lojtarët e talentuar”.

Besim te fitorja? “Them se duhet të marrim tri pikë, duke nisur nga angazhimi i lojtarëve dhe mësimet nga ndeshja me Kukësin. Dëshira me mundësinë janë ndryshe, ta tregojmë në fushë”.

Mungesa? “Kemi të konfirmuar dy mungesat e Da Silvës dhe Krujës, që kanë qenë në formacion. Edhe lojtarët e tjerë duhet të tregojnë veten dhe të kapin mundësinë duke treguar veten”.

B.T (Dosja.al)

Shto Koment