Dikur

Plogështia e shqiptarit

Duket se intelektualet e vërtetë shqiptarë, vazhdimisht i ka shqetësuar apathia (plogështia) e shqiptarit, mentaliteti i tij oriental, oportunizmi e servilizmi ndaj më të pushtetshmit, dhe aty shihnin pengesën kryesore për përparim kombëtar. Një aktualitet që na ndjek si fatalitet!
Featured image of article: Plogështia e shqiptarit Sealudin Toto

Ky artikull është shkruar 80 vite më parë, në 1 maj 1937, nga Selaudin Toto*, në revistën e njohur “Përpjekja shqiptare” e ideologut të “neoshqiptarizmës”, Branko Merxhani. Duket se intelektualet e vërtetë shqiptarë, vazhdimisht i ka shqetësuar apathia (plogështia) e shqiptarit, mentaliteti i tij oriental, oportunizmi e servilizmi ndaj më të pushtetshmit, dhe aty shihnin pengesën kryesore për përparim kombëtar. Një aktualitet që na ndjek si fatalitet!

Apathia (Plogështia) e Shqiptarit

Shkaqet e kësaj apathie të rrezikshme janë sa të ndryshme aq edhe të dukshme. Ne kemi lindur në kohë t’errëta të historisë tonë kombëtare. Në foshnjërinë tonë s’kemi patur edukatën që na duhet. Jemi edukuar në shkolla të ndryshme dhe në vende të ndryshme. Kemi formuar kultura dhe mentalitete të ndryshme. S’ka ekzistuar ndonjë ideologji e shëndoshë që të unifikonte tendencat divergjente, të sintetizonte diçka për një përpjekje të fortë shqiptare. Nga ana tjetër, s’kemi marrë ndonjë edukatë fetare që të ndiejmë të paktën fuqin e t’ashtuquajturave idera të shenjta. U rritëm fatkeq, pa entuziasëm dhe pa ideale drejtonjëse. Tani s’qëndrojmë as në tokë e as në qiell. Jemi si fletë të shkëputura që i rrëmbën çdo erë e vjeshtës. Ne, si popull, se njohim të jetuarit intensivisht, as që njohim forcën e ideve shoqërore. Mendoni se ç’jetë sublime dhe intensive provuan çetat e nacionalistëve shqiptarë kur këndonin në ekstazë, “Ja vdekje, ja liri”.

A po përgatitet i riu shqiptar me ndjenjat e larta të detyrës dhe të sakrificës për vendin e tij? A do të ketë rast ai të provojë fortunën e emocioneve, kur një popull përpiqet gjallërisht në mbrritjen e një ideali? Është koha të kuptohet se këto janë pyetje tronditëse për ekzistencën e kombit tonë.
Pyete çdo djalë shqiptar që të kuptosh se sa i varfër është në idera të ndritura për vendin e tij. Sa heterogjene janë këto dhe sa i ftohtë është besimi i tij për to. Prandaj gjejmë edhe një mijë e një tipa të ndryshëm. Sidomos në të rinjtë, ku kanalizimi i energjive në çfarëdo mënyre, bëhet një imperativë kategorike. Njëri ka një sistem mendimi krejt të ndryshëm nga tjetri. Dëshira e disa t’ashtuquajturve intelektualë është të kenë një rrogë ose bursë të përhershme dhe të kalojnë një jetë qejfi jashtë nëpër qytetet e bukura, që t’evitojnë mizerjen që trupëzohet nga Shqipëria. Për këta, djersa e katundarit, “mjerimi i vendit”, janë pallavra që s’duhen përmëndur. Natyrisht rrinë në Shqipëri se përjashtë ha miza hekur.

Të tjerë këndojnë fshehurazi “Das Kapital”, dhe të shkatërrojnë me t’ashtuquajturën, dialektikë materialiste, duke predikuar jetën e bukur dhe plot tensione idealistike në Shqipëri. Këtu kemi të bëjmë me elemente që duan të ndiejnë forcën e idesë, e çfarëdo forme qoftë kjo. Shumica, sidomos klasa e nëpunësve, sundohet nga filozofia e oportunismës ose e pikëpamjeve të lashta aristokratike mbi jetën. Të jesh nikoqir, të vështrosh rrogën, miqësitë etj, janë boshtet drejtonjëse të mëndjes se tyre. “Ha të hamë, pa tym të dalë”, është motoja e tyre. Këto fjalë t’urta të shefave të Perandorisë s’osmanllinjve, pse të mos përjetësohen buzë këtij Adriatiku të kaltërt?

Është punë e rrezikshme që t’i vihet kapak kazanit dhe të gjendet një farë, modus vivendi, për kaosin që lëvron brenda. Popujt janë rebeluar kur s’u është treguar rruga që kërkonin. Burrat e shtetit, largshikonjës dhe që trupëzojnë idetë e popujve që udhëheqin, konsiderojnë elementet themeltarë që bëjnë strukturën dhe fuqinë e një populli; nxjerrin në shesh forcat elementare, i koordinojnë, për të prodhuar fuqira gjiganteske përparimi.

Më në fund është në natyrën e popujve që të besojnë. Në të shkuarën çdo popull ka besuar ose në divinitet, në fis, në racë, ose në religjion. Gjunjëzoheshin përpara simboleve të shenjta, janë therorëzuar për to, që të provonin emocionet përkatëse. Tani është një fakt se fetë u zëvëndësuan me ideologjitë politike. Nga pikëpamja e psikologjisë shoqërore popujt ndërruan drejtim në kanalizimin e energjive të tyre. Ide, që fuqizojnë popujt, u bënë fetë e reja, përpara të cilave njerëzimi ka filluar të martirizohet. Dhe ne, që s’kemi edukatë fetare, duhet të krijojmë altarët tanë tokësorë.

Është koha të kuptojmë dhe ne, se janë idealet që shenjtërojnë jetën. Përpjekja drejt mbërritjes së tyre dhe emocionet tronditëse që lindin, do të na e bëjnë jetën tonë si popull të ndershme dhe të bukur.

Ose të bëjmë një revolucion mendor për të përvetësuar këtë pikëpamje dinamike mbi jetën, ose jemi të humbur. Se është, më në fund, ideja që punon lëndën. Forca e një ideologjie shqiptare do të na japë ‘elan vital-in’ (forcën jetësore) të nevojshme, të paktën brezit të ri, që të thyejmë akujt shqiptarë.

Çështja është që të kemi një Shqipëri të bukur dhe të ndershme, sa më parë, në këtë Evropë të dyshimtë. Një Shqipëri të ngrehur nga përpjekja intensivë e bijve të saj dhe asgjë tjetër. Natyrisht idetë nuk bien nga qiejt e Platonit. Idetë e shëndosha lindin dhe rriten vetëm nga rrethanat tona politike, ekonomike e morale. Ne të rinjtë, që vështrojmë përditë këtë dinamizmë të popujve, gjejmë rast të entuziazmohemi kur na gjen pa pandehur,

*Selaudin Toto (1916-1947), njëri nga 4 vëllezërit Toto. Nxënës i shkollës teknike të Harry Fullcit, aktivizohet në lëvizjen e rezistencës antifashiste. Ishtë ndër deputetët e opozitës të parë shqiptare të vitit 1946. Së bashku me 15 deputetë të tjerë u pushkatua nga gjykata komuniste në tetor 1947, që shënoi edhe fundin e opozitarizmit në Shqipëri./Marrë nga flasshqip.ca, Klodi Stralla

Shto Koment