Aktualitet

Plagosi me thikë 17-vjeçarin, vetëdorëzohet në polici autori i mitur

Ai është vetëdorëzuar në polici disa ditë pas ngjarjes.
Featured image of article: Plagosi me thikë 17-vjeçarin, vetëdorëzohet në polici autori i mitur Foto ilustruese

TIRANË– Një 16-vjeçar me inicialet T.R., është vetëdorëzuar në polici pasi ishte shpallur në kërkim për plagosjen e një adoleshenti me thikë, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin ushtarak.

Mësohet se autori i ngjarjes do të akuzohet për veprën penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë.

Pas një sherri për motive banale, i mituri me inicialet T.R., bëhet me dije se ka plagosur 17-vjeçarin me inicialet O.T..

Njoftim i policisë Tiranë

Zbardhet ngjarja e ndodhur  mbrëmjen e datës 6 gusht, në rrugën “Vaso Pasha”, ku pas një konflikti u plagos me thikë shtetasi O.T, 17 vjeç, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin ushtarak.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga grupi hetimor dhe pas këqyrjes së pamjeve filmike të siguruara nga kamerat  përreth ambientit ku ka ndodhur ngjarja, u bë i mundur  identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasit T.R, 16 vjeç, banues në Tiranë, si autor i dyshuar për veprën penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë .

Si rezultat i kontrolleve të shumta të kryera për gjetjen e tij dhe bashkëpunimit me familjarët, mesditën e sotme  16-vjeçari është vetëdorëzuar  në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 Tiranë, ku dhe u bë ndalimi i tij, sepse pas një konflikti për motive të dobëta ka tentuar te vrasë me thikë shtetasin O.T.

Materialet hetimore shtesë do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë.

(f.m/dosja.al)

Shto Koment