Sport

Pioli: “Si mund të mos i konsideroni Inter dhe Juve si favoritë? Ne duhet të rritemi”

"Po mundohemi të shijojmë momentin edhe pse nuk e kemi pasur të lehtë me mungesat e Ibrës, Kjaerit apo ndonjë tjetri, pasi dihet rëndësia e tyre për grupin”
Featured image of article: Pioli: “Si mund të mos i konsideroni Inter dhe Juve si favoritë? Ne duhet të rritemi”

ITALI – Milani di vetëm të fitojë: 8 fitore në 10 javë kampionat, pa e provuar ende shijen e humbjes në Seria A. Fitorja 2-1 ndaj Sampdorias u krijoi mundësinë “djajve” të konsolidojnë udhëheqjen e tyre në renditje. Trajneri i kuqezinjve, Stefano Pioli, pas bilbilit të fundit, foli për mikrofonat “Sky Sport”, duke u shprehuar:

EKIPI? “Nuk do të lodhem së përsërituri që tani jemi në ekip i vërtetë. Cilësia jonë më e mirë është aftësia për të shfrytëzuar çdo situatë, madje edhe ato më negativet. Pa Kjaer, Benaser e Ibrën, që janë lojtarë me peshë, arritëm një tjetër sukses, ndaj uroj që të kemi këtë dëshirë në çdo ndeshje”.

FESTA E GOLIT? “Festova me djemtë në golin e Kastijehos, por bëra gabim sepse u duk sikur e kishim siguruar ndeshjen. Ai gol i pësuar na ndërlikoi gjërat, aq më tepër që të tilla ndeshje janë më të vështira, për shkak se po luajmë shumë shpesh. Gjithsesi jam i kënaqur dhe djemtë meritojnë vetëm përgëzime”.

GRUPI? “Mosha jonë mesatare sot ishte shumë e vogël, megjithatë ekipi më shtangu me pjekurinë që tregoi. Po mundohemi të shijojmë momentin edhe pse nuk e kemi pasur të lehtë me mungesat e Ibrës, Kjaerit apo ndonjë tjetri, pasi dihet rëndësia e tyre për grupin”.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

GODITJET STANDARTE? “Golat e pësuar nga goditjet standarde po bëhen pak si të shumtë, megjithatë kjo ndodh edhe sepse nuk kemi shumë lojtarë shtatlartë. Mund të kishim bërë diçka më tepër, megjithatë i interpretojmë ndeshjet me cilësitë që kemi dhe me rreziqet që marrim përsipër”.

RIVALËT? “Jemi në javën e dhjetë dhe rivalët i ndiej pranë. Milani po ecën shumë mirë, megjithatë Interi, Juvja dhe Napoli, janë më të pajisura se ne për objektiva të caktuar. Si Interi, ashtu edhe Juvja apo Napoli, nuk mund të mos cilësohen si favoritë, por ne duhet të shohim punën tonë”.

MERKATO? “Me drejtuesit flasim çdo ditë dhe jemi të bashkuar në çdo vendim. Unë punoj për të përmirësuar ekipin, sepse dua që këta djem të rriten sa më shumë. Nëse klubi do të ketë mundësi të ndërhyjë në janar do ta shohim, sepse merkato sivjet është e veçantë. Unë me djemtë duhet të mendoj vetëm për kalendarin”.

B.T (Dosja.al)

Shto Koment