Editorial

Pesha e një premtimi. Çfarë mbeti nga Reforma në Drejtësi

Reforma në Drejtësi ishte batanija që, jo vetëm ka mbuluar prej më shumë se 4 vjetësh gjithë bëmat e Edi Ramës, por edhe e ka mbajtur ngrohtë atë në kohën e ftohjes së madhe të marrëdhënieve me Perëndimin.
Featured image of article: Pesha e një premtimi. Çfarë mbeti nga Reforma në Drejtësi

Tre vjet më parë, një nga ditët më intensive të politikës, prodhoi një ndryshim historik të Kushtetutës, një ndryshim që ende sot, është duke u mallkuar nga pothuasje gjysma e atyre që e votuan.

Reforma në Drejtësi ka gjithmonë e më pak miq në Shqipëri dhe gjtihmonë e më shumë jashtë saj, çdo ditë e më pak miq në politikë dhe gjithmonë e më shumë jashtë saj.

Mënyra se si u zhvillua, 6 ligjet e miratuara vetëm 1 muaj pas konsensusit të 22 korrikut, bllokimi i KED, interpretimi i përfundimit të mandatit të Llallës dhe zëvendësimi nga Arta Marku me 69 vota, shndërrimi pastaj i Prokurores së Përkohshme në të përgjithshme, duke marrë kompetencat dhe duke shtyre afatet, emërimet dhe shkarkimet e diskutueshme në prokurori, përdorimi politik i prokurorisë nga maxhoranca, dyshimet mbi vettingun, bllokimi i Gjykatës Kushtetuese dhe më pas Gjykatës së Lartë kanë qenë temat që kanë dominuar.

Ndërsa debati vazhdon të jetë i nxehtë, në godinën e re të Institucioneve të Drejtësisë të gjithë buzëqeshnin me hipokrizi. Mbas fjalëve të urimit fshihet dëshira për ta sabotuar, një palë haptaz, tjetra fshehtas, ashtu si nisi, më shumë se 4 vjet më parë.

Ishte gabimi i parë i atij që sot është fronti opozitar. PS në opozitë dhe LSI në pushtet nuk e mirëpritën që në fillim reformën në Drejtësi, me frikën se do të drejtohej nga Rama dhe do të prodhonte një institucion rilindas.

Ishte momenti më oportun për Ramën, që vërtet ishte duke rrezikuar të humbiste aleatin që e mbante në pushtet, por po fitonte një aleancë ekskluzive të SHBA dhe BE.

Sa më shumë ecte drafti i reformës, aq më shumë theksoheshin aleancat e reja, ndërsa LSI afrohej më shumë me PD, Rama afrohej më shumë më aleatët e fuqishëm perëndimorë.
Duke parë tek Rama të vetmin mbështetës të Reformës, ata u shndërruan në mbështetës të tij, edhe kur kanabizoi vendin, edhe kur shpërndau pa garë gjithë paratë e shqiptarëve nëpër miqtë e tij, edhe kur bëri zgjedhje si ato të Dibrës në 2017 apo të përgjithshmet në 2017, ku blerja e votës u bë si tregu fshatar, me oferta të pabesueshme, të Dibrës dhe 25 qershorit 2017, edhe kur dolën përgjimet që e vërtetonin këtë, edhe kur u kap duke vjedhur më falsifikimin e firmës së Sekretarit të Shtetit të Delaware, edhe kur e përdori gazin lotsjellës në shtëpitë e të pambrojturve ku flinin foshnje disamuajshe.

Kështu filloi kontradikta e madhe mes raporteve zyrtare perëndimore, ku pasqyroheshin të gjitha këto dhe qëndrimeve të tyre që, pavarësisht raporteve, ishin në mbështetje të qeverisë.

Reforma në Drejtësi ishte batanija që, jo vetëm ka mbuluar prej më shumë se 4 vjetësh gjithë bëmat e Edi Ramës, por edhe e ka mbajtur ngrohtë atë në kohën e ftohjes së madhe të marrëdhënieve me Perëndimin.

Ky është deri tani i vetmi rezultat që ka sjellë reforma, përveç largimeve massive të prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar, ose edhe të padëshiruar.

Ajo që vlen nga e gjithë kjo betejë, është e ardhmja e afërt. Në shtator pritet të krijohet më në fund SPAK, që do të thotë hetimi i zyrtarëve të lartë nga një prokurori e posaçme, insitucionalisht e pavarur.

Ajo është e gjithë çfarë pritet nga një Reformë që pati shumë pasoja politike deri sot. Një shpresë e pabazuar në asnjë precedent, një shpresë e ngritur mbi një premtim Perëndimor se më në fund ata që kanë vjedhur dhe vjedhin paratë e shqiptarëve nuk do të kenë më guximin të bëjnë edhe paradën e produkteve luksoze, se pasurinë e ngritur mbi varfërimin deri në mjerim apo emigrim masiv, nuk do ta gëzojnë.

Se drejtësia do të krijojë premisat për më shumë mirëqënie dhe Shqipëria mund të ngjajë me Perëndimin.

Të zhgënjyer nga të gjitha partitë, duke ndjekur me dyshim çdo zhvillim të Reformës në Drejtësi, kjo është shpresa e fundit fare, përpara se të ikin të gjithë dhe të fiken dritat përfundimisht.

Nuk është vetëm pesha e atyre 15 emrave të debatuar që janë bërë publik, është pesha e një premtimi të Perëndimit. I fundit pas legjendës së “peshqve të mëdhenj”.

2 Komente në “Pesha e një premtimi. Çfarë mbeti nga Reforma në Drejtësi

  1. kete monstren skam durim ta lexoj se e di qe eshte b.lepires i neveritshem i pd-s.

  2. Po perfitimi i yne,i ne njerezve qe nuk kemi bere krime,as shkelje..nuk kemi as para,as pushtet..cili eshte o Enton?
    Harrojini ore njeri nje moment interesat e Zero pozites dhe O pozites….o Gazetar!
    Fol ore per njerzit e thjeshte dhe Reformen ne Drejtesi!
    Permend batanijen e Rames!?
    Beju njesh me njeriun e thjeshte ta shembim Ramen,pastaj baranijen e Rames me pleshtat e saj prej Europe e flakim ne plehra..
    Sherbeji Publikes Abilekaj! Jo Partive..Private te Rames-Berishes- Likes !

Shto Koment