Diaspora

Përurohet libri: Shqiptarët për arbëneshët e Zarës

Libri është botuar në dy gjuhë: kroate dhe shqipe. Në gjuhën shqipe e ka përkthyer prof. Dr. Simë Gjon Dobreci, ndërsa është botuar nga Kisha Katolike Braticë.
Featured image of article: Përurohet libri: Shqiptarët për arbëneshët e Zarës Foto nga eventi

Në Galerinë e Arteve të Qendrës së Kulturës në Ulqin, më 17.05.2016, u bë përurimi i librit të prof. Dr. Aleksandar Stipçeviqit “Shqiptarët për arbëneshët e Zarës”.

Libri është botuar në dy gjuhë: kroate dhe shqipe. Në gjuhën shqipe e ka përkthyer prof. Dr. Simë Gjon Dobreci, ndërsa është botuar nga Kisha Katolike  Braticë.

Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Bashkimit të Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi, Prim. Dr. Gani Karamanaga, ka thënë se Aleksandar Stipçeviqi nuk e harroi kurrë prejardhjen e tij shqiptare.
Ai ka theksuar se libri i fundit i Stipçeviqit është pikërisht për arbëreshët e Zarës, të cilët e pritën dhe e përjetuan librin gjithëpërfshirës mbi kulturën dhe historinë e tyre.

Karamanaga ka thënë ndër të tjera se “është e vërtetë se për arbëreshët e Zarës, por edhe për ne shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë, shteti ynë amë nuk ka interesim në nivel të lartë”.

Sipas drejtorit të Qendrës së Kulturës në Ulqin, dr. Nail Draga, nuk ka dilemë se personaliteti më madhor i arbëreshëve të Zarës ishte akademiku Aleksandar Stipçeviq, i cili në sajë të veprimtarisë së vet shkencore me të drejtë quhet kolos i ilirologjisë.

Draga ka thënë se në këtë studim bibliografik, autori na paraqet një regjistër të gjerë autorësh shqiptarë të cilët kanë trajtuar tema të ndryshme në lidhje me arbneshët e Zarës.

“Të dhënat më të mëdha në këtë gamë janë nga botimet në Prishtinë, Shkup, Tiranë dhe Ulqin. Me këtë rast duhet veçuar revistën ‘Buzuku’, e cila në disa numra ka botuar materiale që kanë të bëjnë me arbneshët e Zarës”, është shprehur ai.
Studiuesi Draga ka thënë se botimin e këtij libri bibliografik e vlerëson “një nismë me vlerë sa kulturore e shkencore dhe si i tillë do të jetë i domosdoshëm për të gjithë ata që do të trajtojnë tema të ndryshme për arbneshët e Zarës”.
Përkthyesi Nikollë Berishaj ka bërë një vështrim të përgjithshëm mbi arbëreshët e Zarës, që nga periudha e emigrimit të tyre nga Shestani para 290 vjetësh, personalitetet e këtij komuniteti, studimet mbi arbëreshët e Zarës etj.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Ai ka thënë se “praktikisht, nuk ka albanolog që nuk është marrë me çështjen e dialektologjisë dhe të folmeve të gjuhës shqipe, e të mos e ketë prekur së paku veç një herë çështjen e të folmes së arbëreshëve. Falë kësaj të folmeje, që ka ruajtur format arkaike, gati buzukiane, ne sot me një siguri të mirë mund të themi se Gjon Buzuku, autori i librit të parë të njohur deri më tani të shkruar në gjuhën shqipe ishte bir i trevave të njëjta, apo së paku kishte vepruar në këto treva”.
Berishaj ka thënë se ndër shqiptarët në Mal të Zi, interesimi për arbneshët e Zarës është jo i vogël.
“Edhe në broshurën në fjalë përmenden posaçërisht dy persona, dy bashkëvendas të tyre, por që paraardhësit e tyre mbeten në vatrat shekullore shqiptare. Janë ata dr. Vinçenc Malaj, albanolog, meshtar shumëvjeçar në Tuz dhe prof. Dr. Simë Dobreci, dermatolog dhe veprimtar i palodhur, që me revistën ‘Buzuku’ dhe me angazhimet tjera bëri që të kthehet në masë mjaft të dukshme identiteti i lëkundur kombëtar i tyre.”

Përkthyesi i librit në gjuhën shqipe, prof. Dr. Simë Dobreci, ka folur mbi punën e akademikut Aleksandar Stipçeviq. Ai ka thënë se “në librat e tij, Stipçeviqi ka grumbulluar fakte të mjaftueshme për origjinën direkte të shqiptarëve nga ilirët” dhe se ne shqiptarët duhet të krenohemi me ilirët, të parët tanë.

Dobreci ka thënë se është i bindur që Aleksandar Stipçeviqi “e ka merituar që ne shqiptarët t’i ngrehim përmendore në Prishtinë e Tiranë, pse jo edhe në Ulqin, treva ku sot jetojnë shestanas me gjak të afërt me të parët e Stipçeviqit”.

Në emër të botuesit, Don Gabriel Grabanica, famullitar i Kishës Katolike në Braticë, ka thënë se është e domosdoshme për ta njohur Aleksandar Stipçeviqin. Ai u ka bërë thirrje drejtuesve të shkollave në gjuhën shqipe dhe mësimdhënësve që në vend që t’i çojnë maturantët dhe gjysmëmaturantët në shëtitje në vende të ndryshme të Evropës, të mendojnë pak “sepse kemi nevojë të kthehemi edhe në Zarë, edhe në Kalabri, edhe në të gjitha ato vende ku përshtatet vizita dhe shëtitja”.

Aleksandar Stipçeviq ishte arkeolog, bibliograf, bibliotekist, eseist, albanolog. Ai u lind në Arbnesh të Zarës, më 10 tetor 1930, në një familje arbëreshe, rrënjët e së cilës janë nga Shestani i Krajës, ndërsa vdiq në shtator të vitit të kaluar në Zagreb. Stipçeviq konsiderohet njëri ndër ilirologët më të mëdhenj në botë. Ky kolos i magjepsur për ilirologjinë, kur është fjala për ilirët dhe pasardhësit e tyre  shqiptarët vazhdimisht ka përsëritur se pa njohur ilirët, nuk mund të dihet e kaluara e Ballkanit e sidomos historia e Ballkanit.

Përurimi i librit është organizuar nga Qendra e Kulturës në Ulqin dhe Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi.

Marrë nga Buzuku.info

Shto Koment