Aktualitet

“Përse po qëndron në lagjen tonë”/ Gjuetari i bretkosave rrihet nga katër persona, rrëfimi: Më vendosën armën në kokë, e më qëlluan, isha ulur pranë liqenit

Pikërisht për shkak të rrethanave të çuditshme se si u sulmua denoncuesi, policia ka ushtruar disa kontrolle dhe krehje territori nën dyshimet se mos në afërsi të perimetrit ku ndodhi rrahja, mund të ishte kultivuar bimë narkotike dhe se sulmuesit mund të kishin pasur frikë nga ndonjë spiun.
Featured image of article: “Përse po qëndron në lagjen tonë”/ Gjuetari i bretkosave rrihet nga katër persona, rrëfimi: Më vendosën armën në kokë, e më qëlluan, isha ulur pranë liqenit Foto ilustruese

“Më vendosën armën në kokë. Më rrahën që të katërt nuk njihja asnjërin. Ata më pyetën; Çfarë kërkon në lagje, çfarë do këtu?” Kështu e nis rrëfimin pranë postës policore të Farkës S.M, i cili u rrah keqazi nga katër shtetas, identiteti i të cilëve nuk është zbuluar ende dhe aq më tepër motivi i ngjarjes. Pikërisht për shkak të rrethanave të çuditshme se si u sulmua denoncuesi, policia ka ushtruar disa kontrolle dhe krehje territori nën dyshimet se mos në afërsi të perimetrit ku ndodhi rrahja, mund të ishte kultivuar bimë narkotike dhe se sulmuesit mund të kishin pasur frikë nga ndonjë spiun. Por kontrollet e mëpasshme dhe verifikimet e civilëve sipas burimeve të gazetës Si u mbyllën pa asnjë rezultat. Një burim i gazetës Si tregoi se ngjarja është regjistruar në Lundër, ndërsa ende nuk ka një autor, ndonëse janë pyetur disa shtetas.

“Kisha dalë në mesnatë për të gjuajtur bretkosa në përroin Lundër, Farkë Tiranë. Ndodhesha pranë pularisë në makinën time, kur m’u afrua një automjet tjetër – denoncon viktima e dhunuar. Sipas qëndrimit të tij pranë policisë, pranë tij ishte afruar një automjet të cilit ka mundur t’i shquajë targat, por nuk ka njohur asnjërin nga pasagjerët apo drejtuesin e mjetit.

Çfarë po bën, përse po qëndron në lagje? Vetëm kaq më pyetën shton ai, duke mos i lënë asnjë mundësi për shpjegim. Sikurse përshkruan policia, bazuar në dëshminë e burrit të rrahur, rrëmbimthi është goditur menjëherë me grushte në fytyrë dhe në kokë dhe më pas i është mbështetur tyta e armës në kokë.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

“Më pas personi që mbante pistoletën ia kaloi shokut dhe filloi të më godiste edhe ai, – rrëfen kallëzimtari. I rrëzuar përtokë dhe me fraktura në fytyrë burri ka memorizuar automjetet me të cilat u larguan dhunuesit, njëri tip passat dhe tjetri mercedez benz , këtij të fundit madje ai i ka fiksuar përmendësh edhe targat. Pas ngjarjes policia shton se ai u drejtua në një lokal të zonës ku u pastrua nga gjaku dhe pasi u qetësua u nis për në shtëpi. Të nesërmen i dhunuari denoncoi në policinë e Farkës ndërkohë që nga këqyrjet burimet policore të gazetës Si deklarojnë si dëmtime nga dhuna, gungat e shumta në kokë, dëmtimet në kockën e hundës, në syrin e majtë dhe në të gjithë anën e djathtë të fytyrës. Bëhet me dije se pas denoncimit dhe referimit të targës së automjetit të identifikuar nga i dhunuari, policia ka kontrolluar në sistemin Tims ku dhe ka zbuluar se mjeti Mercedez benz i përkiste shtetasit P .Sh. i shoqëruar në polici dhe i pyetur për incidentin e çuditshëm, banori ka mohuar gjithçka pasi sipas tij, mbrëmjen në fjalë ai ishte kthyer në banesë herët dhe pasi darkoi ishte ulur në sallon për të parë televizor. “Makinën e kërkoi djali për të dalë tek tezja e tij që e ka shtëpinë tek lagjja e Tufëve, ndërsa unë u shtriva për të fjetur”, – shton P. Sh. Por edhe i riu që përdori automjetin mohon të ketë ushtruar dhunë. Sipas tij ai e parkoi makinën luksoze në oborr dhe gjatë mbrëmjes darkoi së bashku me të afërmit. “Kur po shkoja tek të afërmit në vendin e quajtur Ura pashë që dy mjete kishin bllokuar rrugën dhe ula shpejtësinë, duke manovruar me kujdes”, – shton më tej i riu, që mohon kategorikisht të ketë marrë pjesë në rrahjen e çuditshme. Njëkohësisht i riu këmbëngul se gjatë manovrimit në vendin e quajtur Ura nuk ka parë asgjë që i ka tërhequr vëmendjen.

Marrë nga Gazeta “Si”

Shto Koment