Blog

Përse mbulohen skandalet me sigurinë e produkteve të qumështit?

Nga fabrika e përpunimit të qumështit “REND&BLEND&CO” në Divjakë, është verifikuar se për tre muaj, Shkurt-Prill, janë blerë 3.1 ton qumësht pluhur ukrainas dhe 31.2 ton vaj palme. 
Featured image of article: Përse mbulohen skandalet me sigurinë e produkteve të qumështit? Produktet me vaj palme

TIRANË- AKU ka bërë së fundmi një nga zbulimet më skandaloze të mashtrimit me sigurinë ushqimore. Nga fabrika e përpunimit të qumështit “REND&BLEND&CO” në Divjakë, është verifikuar se për tre muaj, Shkurt-Prill, janë blerë 3.1 ton qumësht pluhur ukrainas dhe 31.2 ton vaj palme. 

Sipas AKU-së “me produktin e prodhuar sipas kartave teknologjike, ky subjekt justifikon vetëm përdorimin e sasisë prej 233 kg qumësht pluhur, ka gjendje lëndë të parë në magazinë 600 kg ndërsa pjesa tjetër prej 2,342 kg nuk arrin të justifikohet”. Po ashtu, ”subjekti justifikon përdorimin vetëm të sasisë prej 6,660 kg vaj palme, ka gjendje në magazinë 3,500 kg dhe nuk justifikon përdorimin e pjesës tjetër prej 21,090 kg vaj palme”.

Për këtë arsye, ky subjekt u gjobit me 500.000 lekë. Mashtrimi më i madh që bëhet sot në industrinë e përpunimit të qumështit është pikërisht ky. Biznese jo të ndershme nuk përdorin 100% qumësht natyral, por e përzjejnë atë me qumësht pluhur. Qumështit natyral ia marrin të tërë yndyrën shtazore dhe e zëvendësojnë atë me vaj palme(yndyrë bimore), për të realizuar procesin teknologjik të prodhimit të djathit dhe kosit.
Nuk dua të përhap aspak panik ndër konsumatorët. As qumështi pluhur e as vaji i palës nuk janë të rrezikshëm, por padyshim nuk janë të ushqyeshëm si qumështi natyral. Këtu jemi para një mashtrimi, pasi në asnjë produkt që ne blejme nuk shënohet në etiketë që “djathi ka në përbërje vaj palme e qumësht pluhur”. Pra ne blejmë djathë me vaj palme, për djathë lope apo djathë dhie. 

Por çfarë ndodhi me këtë subjektin që zbuloi AKU? 

Së pari, lajmi ia dha vetëm agjencisë shtetërore të lajmeve ATSH, pa asnje peshe ne informimin publik. Njoftimi nuk u bë publik dhe nuk është ende në faqen e AKU-së. Ndryshe nga sa ndodh me veprime të tjera, kur AKU zbulon qoftë dhe një pako me çokolla të skaduara.

Në kushtet kur sot po ndryshohet Kodi Penal për të dënuar me burg ata që mashtrojnë me sigurinë ushqimore, AKU e dënon këtë biznes me vetëm 500 mijë lekë gjobë. Dhe nuk e referon çështjen në prokurori, për ndjekje penale, për mashtrimin. E referon vetëm në organet tatimore, pasi më shumë duket e shqetësuar për evazionin fiskal sesa për mashtrimin me cilësinë e produktit ushqimor. Madje edhe në justifikimin e gjobës, kompania gjobitet vetëm 100 mijë Lekë për mos deklarimin e përbërësve të produktit në etiketë. As pezullim aktiviteti, as bllokim të lëndëve të para të gjetura në fabrikë. Sot, kur çështja e sigurisë ushqimore po zjen, kur besimi i konsumatorit vendas është zero dhe besimi i tregut të huaj është minus, asaj fabrike duhej ti ishte vënë kyçi, dhe AKU duhej të ftonte mediat në atë fabrikë, për të demonstruar vullnetin e fortë për të ndërhyrë dhe ndryshuar këtë realitet.

Dhe e fundit, përse AKU nuk ndjek gjurmët se ku shkojnë tonelatat e vajit të palmës dhe qumështit pluhur që importohen dhe që sot furnizojnë pjesën më të madhe të industrisë së bulmetit që ushqen shqiptarët? 

Vetëm vjet, në 10 muaj, kanë hyrë në Shqipëri mbi 700 ton qumësht pluhur. Ku ka shkuar? Besoj jo për të lyer shkollat.

Unë ju ftoj ta shpërndani këtë artikull, jo thjeshtë si denoncim ndaj një subjekti privat që na mashtron, por më shumë si denoncim ndaj institucioneve që vetëm sa i “gudulisin” mashtruesit kur i zbulojnë.

Shto Koment