Aktualitet

Përplasja tek Petro Nini, Qorri dhe Shameti: Ose të përmbysim sistemin, ose do të na zërë brenda të gjithëve

Në këtë farë sistemi, pronar quhet ai që i siguron ndërtuesit tjetërsimin më të shpejtë dhe të lirë të truallit për pallat. Në këtë farë sistemi, gjykatat i shpallin vendimet pas tenderit të palëve.
Featured image of article: Përplasja tek Petro Nini, Qorri dhe Shameti: Ose të përmbysim sistemin, ose do të na zërë brenda të gjithëve Sokol Shameti he Arlind Qorri
Përditësuar:

TIRANË- Pedagogu Arlind Qorri dhe gazetari Sokol Shameti kanë reaguar për situatën e krijuar sot tek Petro Nini, ku u tentuan të nxirreshin disa familje nga banesat e tyre.

Në një postim në Facebook, Qorri shkruan se në këtë farë sistemi, fitimi i një firme private është më i rëndësishëm se nevoja e 1 apo 1000 familjeve. Ndërsa po në Facebook, Shameti shprehet se nuk është problemi me brutalitetin e policisë, pashpirtësinë e gjykatës apo grykësinë e atyre pronarëve të cilëve u është vënë në shërbim gjithë makineria e represionit vetëm sepse kanë pranuar ta bëjnë pronën beton.

REAGIMI I ARLIND QORRIT

Në këtë farë sistemi ekonomik, strehimi nuk konsiderohet e drejtë shoqërore, por e mirë private që mund të sigurohet vetëm në treg.

Në këtë farë sistemi, fitimi i një firme private është më i rëndësishëm se nevoja e 1 apo 1000 familjeve.

Në këtë farë sistemi, pronar quhet ai që i siguron ndërtuesit tjetërsimin më të shpejtë dhe të lirë të truallit për pallat. Në këtë farë sistemi, gjykatat i shpallin vendimet pas tenderit të palëve.

Në këtë farë sistemi, ka përmbarues privatë pikërisht që askush të mos dyshojë në mizorinë e tyre ndaj nevojtarëve.

Në këtë farë sistemi, policia është lopata e fundit që u hidhet mbi krye të vdekurve të pakallur.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Në këtë farë sistemi, qeveria dhe bashkia janë krahu i armatosur politikisht i ndërtuesve. Kurse opozita ushtria e tyre rezervë. Këtë farë sistemi ose e përmbysim, ose do të na zërë brenda të gjithëve.

REAGIMI I SOKOL SHAMETIT

Qytetari i reduktuar në njëjës, në tek, në vetminë e familjes dhe interesit privat do të jetë preja më e lehtë e ofensivës së kapitalit i cili nga ana e vet, është i mirëorganizuar e solidar me njëri-tjetrin, i mirëfinancuar prej bankave të veta, i mirëparaqitur prej mediave të veta, i mirëmbrojtur prej policisë së vet e i mirëjustifikuar prej drejtësisë së vet.

Nuk është problemi me brutalitetin e policisë, pashpirtësinë e gjykatës apo grykësinë e atyre pronarëve të cilëve u është vënë në shërbim gjithë makineria e represionit vetëm sepse kanë pranuar ta bëjnë pronën beton.

Problemi është me spektatorizimin e dramës nga ne të tjerët, me përjetimin e dramës së të ngjashmit tonë si dramë e dikujt jashtë nesh.

Kur ta ndjejmë kërbaçin mbi kurrizin e tjetrit sikur të kërciste mbi tonin e të revoltohemi e reagojmë njëlloj, atëherë do të shpëtojmë të gjithë – edhe tjetri sot edhe neve nesër.

Dosja.al

Shto Koment